Prej disa ditësh, këngëtarja Rovena Dilo doli e humbur nga beteja ligjore me deputetin Tom Doshi dhe ish-deputetin demokrat Ndriçim Babasi.
Gjykata e Tiranës i ka njohur Doshin dhe Babasin si pronarët e rinj të truallit prej 888 metrash katrorë të lokal “Rovena”, në një nga zonat më të lakmuara në Shqipëri, ish-Bllok.
Por, pavarësisht vendimit të gjyqit, Rovena Dilo vijon të mbajë lokalin, madje duke i ndryshuar edhe mobilimin.
“Karrige e kuqe vintage! Ndryshime të lezetshme në bar Rovena!”, shkruan ajo, në një nga postimet në Facebook, ndërsa ka publikuar disa fotografi nga pamja e re e bar “Rovena”.
Ajo shihet mjaft aktive në FB lidhur me lokalin, ku hedh herë pas here shkrepje nga pamje të miqve që e vizitojnë, ose ndryshime në mobilim, shërbim, meny etj. Mësohet se këngëtarja do ta vazhdojë betejën ligjore kundër dy deputetëve dhe është e bindur për pronësinë, derisa ka marrë iniciativën që të investojë te lokali. Ndërkaq, Doshi dhe Babasi e kanë blerë tokën nga Agron Vreto, transmeton panorama.
Ai është daja i këngëtares Rovena Dilo. Vreto e ka të regjistruar pronën në bazë të një kontrate dhurimi. Në vitin 1995, Naim Vreto ia ka dhuruar këtë truall Agron Vretos. Por Rovena Dilo dhe mamaja e saj, Silvia, thonë se kontrata është e pavlefshme.
Prokuroria dhe Gjykata nuk mendojnë kështu dhe kanë njohur kontratën e shitjes në favor të Doshit dhe Babasit. Sipas Gjykatës, kjo sipërfaqe u është shitur dy poseduesve të rinj nga Agron Vreto, pronari i kësaj toke. Sipas dajës së këngëtares, lokali me emrin “Vreto”, por që tashmë njihet si bar “Rovena”, ka qenë në bashkëpronësi me mbesën, por jo edhe jo trualli.