Gara e vërtetë tani për syrin, e jo për veshin

Mediale Vip

Gara e vërtetë tani për syrin, e jo për veshin

Nga: Nga Maksim Gjokaj Më: 6 korrik 2015 Në ora: 13:18

Ai ka provuar çdo sfidë, dhe falë kurajës dhe forcës ia ka dalë. Ka sjellë këngë të cilat megjithëse janë të së shkuarës janë këngë të bukura dhe hite që ëmbël këndohen edhe sot. Ky është artisti Naser Berisha që pas shumë kohësh vjen në një intervistë për mediat vetëm në “Bota sot” ku tregon gjerë e gjatë çdo gjë nga jeta e tij, sfidat, sëmudja tashmë e mposhtur, rikthimi apo jo për të jetuar në Gjilan, aktualitetin muzikor, rrugën e tij drejt politikës, si dhe për herë të parë flet dhe ofron foto familjare si rrallë herë.

“Bota sot”: Ku është Naseri, pse po qëndron pak larg mediave?

-Unë kurrë nuk kam qenë nga ata te cilët pa arsyeje dhe me çdo kusht mundohen që të jenë në media, por vetëm kur kam pasur diçka për të thënë atëherë jam munduar ta prezantojë punën time përmes këngëve apo përmes shkrimeve (qoftë ajo në muzikë apo në politikë). Por në anën tjetër tani ka më shumë se 3-4 muaj që unë qëllimisht jam tërhequr paksa nga çdo aktivitet, si në muzikë ashtu edhe në rrjetet sociale për një pushim shpirtëror.

“Bota sot”: Po jetoni në Gjermani ende, apo lajmi se jeni kthyer përgjithmonë në Gjilan ishte i rremë?

-Unë edhe më tej jetoj në Gjermani, kurse sa për “lajmin” se do te kthehem të jetojë në Kosovë, ma merr mendja se lidhet me premtimin i cili ka qenë gjatë fushatës zgjedhore sa isha kandidat për deputet për Parlamentin e Kosovës, ku pas një pyetje te një gazetari se "Çka nëse zgjidhesh si deputet, a do te kthehesh të jetosh në Kosovë" e ku përgjigja ime ishte: Gjithsesi se po, por votat nuk mjaftuan dhe unë edhe më tej jetojë në Gjermani dhe se në mundësitë e mia edhe nga larg mundohem të jem aktiv edhe në muzike, por edhe në politikë.

“Bota sot”: E keni menduar që të ktheheni për të jetuar në vendlindje?

-Diku në vitet 2003-2004 pas sukseseve të albumit të parë dhe të dytë, dhe angazhimit të mjaftueshëm në skenën e muzikës tek ne (thënë figurativisht) valixhet ishin të mbushura dhe të mbyllura për nisje, por në organizim e sipër për kthim dhe gjatë rregullimit të dokumentacioneve në mënyrë që edhe më tej ta gëzojë të drejtën e qëndrimit në Gjermani, brenda 6 muajve ndodhi një “çudi” e madhe tek ne. Ne u mësuam të bëjmë zbritjen e këngëve nga interneti, dhe kështu ra edhe shitja e CD por edhe çmimi i saj, diku nga 7 € sa ishte në 0,99 €, dhe kjo ishte arsyeje e mjaftueshme për të bërë një përllogaritje se në një të ardhme të afërt me muzikën të cilën unë e bëja, nuk do të mund të jetosh, dhe kështu që ndërrova mendje dhe vendosa që mos të kthehem, shikuar nga sot, vendim shumë i drejtë.

“Bota sot”: E dimë se vitet e fundit keni kaluar një kohë jo të mirë nga shëndeti, si jeni tani?

-Po kam kaluar një kohë të vështire, në mes kohës 2008 e deri në vitin 2011 kur edhe u tërhoqa tërësisht nga muzika dhe jeta publike, për shkak të shëndetit, por me kalimin e kohës njeriu mësohet të jetojë me ato probleme dhe me sëmundjen që kisha, e cila për fat të mirë nuk ishte vdekjëprurëse, por në anën vizuale shkaktoi një transformim total në dukjen time, e që natyrisht edhe ndikoi në kualitetin e jetës dhe krijoi një bllokadë në kreativitetin për një punë të mëtutjeshme, si në shkrimin e teksteve ashtu dhe në komponimin e këngëve të reja. Por edhe kjo kaloi dhe u desht të pajtohem me fatin dhe të vazhdojë me punë, natyrisht se një kthim pas 3-4 viteve është i vështirë, por gjithsesi se edhe ashtu shumë çka kishte ndryshuar në skenën muzikore dhe se më nuk ishin rregullat e lojës ato të njëjtat. Tani më gara e vërtetë nuk bëhej më për veshin, por për syrin.

“Bota sot”: Muzika vazhdon të jetë pasioni yt më i madh, kemi ndonjë të re?

-Tani i kam të mbledhura disa këngë të reja të papublikuara, ideja dhe dëshira ishte që të mbledh deri sa të bëjë një album të tërë, por tani më nuk po besoj se do të realizohet edhe aq shpejt ky projekt. Dhe për këtë arsyeje për të mos pauzuar më shumë se një vit vendosa të publikojë një nga këngët e reja dhe kështu vitin e kaluar gjatë verës përsëri publikova këngën "Lora", kurse për ketë verë nuk e di se a do të mundem të publikojë diçka për shkak të angazhimeve dhe obligimeve që kam marrë në relacione me fëmijët të cilët po kërkojnë shumë kohë.

-Ke kohë ta ndjekësh muzikën dhe artistët e rinj në botën shqiptare, çfarë mendon për muzikën aktuale?

-Mundohem që të jem aktual në këtë drejtim.
Artistët tek ne kurrë nuk kanë munguar e bile sot kemi më shumë se kurrë më parë, si nga ana kualitative ashtu edhe nga ana kuantitative, por e dhimbshme është se këta të parët shumë pak shihen në media dhe se shumë pak i jepet hapësirë, kurse për manekinet e raja të cilat duke ju falënderuar Auto-tune dhe Melodyne, sot munden të reklamohen përmes videoklipe ne TV, besoj se nëse tani vazhdojë të flas më shumë për to, do t’i nderoja së tepërmi.

Çfarë ndodhi me grupin tënd që e krijuar disa vite më parë?

-E vërteta është se grupi "Premiera" është formuar gjatë viteve kur ishim në shkollën e mesme në vitin 1986 dhe kemi punuar deri në vitin 1993, në kohën kur më nuk kishte mbetur as edhe një arsyeje e vetme për të bërë muzikë, kurse në vitin 2013 me rastin e 20 vjetorit të shpërbërjes së grupit "Premiera" përsëri vendosëm të hymë edhe një herë në studio dhe të regjistrojmë një këngë, pak për qejfi e pak si simbolikë i një vazhdimi të një shoqërie rinore edhe në moshën e mesme, por në anën tjetër edhe fizikisht nuk është e mundur që të punojmë si bend, pasi që jetojmë në 3 shtete të ndryshme dhe shihemi dhe takohemi vetëm gjatë pushimeve të verës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat