Diedoni: Me Albën kalojmë net të nxehta, pika e saj e dobët xhelozia

Mediale Vip

Diedoni: Me Albën kalojmë net të nxehta, pika e saj e dobët xhelozia

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 08:07

Për një çift si Diedon Musa dhe Alba Çobaj pak distancë ua bën më të bukur lidhjen dhe i afron më shumë shpirtërisht. Edhe pse ai e ka shtëpinë në Kosovë dhe ajo në Tiranë, dy banorët e “Big Brother 8” pas lojës përpiqen të jenë gjithmonë bashkë. Duket se kanë krijuar atë varësinë e bukur me njëri-tjetrin, ndaj raportin e tyre e shohin me të ardhme të bukur. Pasi ka takuar prindërit e saj, Diedoni tregon gjithçka për dashurinë e tyre tani jashtë kamerave.

Kur jeni bashkë ju të dy, çfarë ndodh? Na trego një ditënatë 48-orëshe.
Kur jemi bashkë ne, mbizotëron dashuria. Zgjohemi bashkë me përqafimet e njëri- tjetrit, njësoj si në “BB”. Vazhdojmë ditën me angazhimet tona, duke pritur me shumë dashuri orët e vona të darkës për të bërë gjumë gjithmonë mes përqafimesh.

Një lidhje në distancë si e juaja, sa pasionante dhe emocionuese është?
Të them të drejtën, distanca këto kohë që nga përfundimi i “Big Brother” e deri tani nuk është ndier pothuajse fare mes nesh. Kemi qenë bashkë gjithë kohën, si në Tiranë, ashtu edhe në Kosovë. Mund t’i përshkruajmë si momente të mbushura gjithë pasion dhe dashuri. Por çastet më të bukura janë ato kur takohemi pas dy-tri ditësh, pasi kemi qëndruar larg njëri-tjetrit.

Dukeni çifti tipik që numëroni orët larg njeri-tjetrit… Është kështu?
Gjatë kohës që qëndronim larg njëri-tjetrit, nuk është se i kemi numëruar orët, për shkak se kemi qenë të zënë duke chat-uar në rrjetet sociale (qesh).

Cilët janë personat apo miqtë, me të cilët keni ndarë kohën tuaj?
Unë pas “Big Brother” jam marrë kryesisht me punën profesionale, ndërsa Alba ka qenë duke u marrë me intervista, duke takuar miq, familjarë etj. Edhe në Kosovë kur ka ardhur, ka pasur një mikpritje të jashtëzakonshme duke marrë dashuri nga të gjithë njerëzit, pavarësisht moshës dhe gjinisë së tyre. E duan jashtëzakonisht shumë Albën në Kosovë.

I ke takuar prindërit e saj dhe a keni bërë biseda serioze?
Po, jam takuar me prindërit e Albës. Kryesisht kanë qenë biseda të përgjithshme dhe për raportin tonë. Janë njerëz shumë të mirë, të dashur dhe dua t’u bëj një falënderim të shkruar, që të mos harrohet dhe fshihet kurrë!

Jeni gati për të nisur bashkëjetesën, ashtu siç keni deklaruar më parë?
Ne një lloj bashkëjetese po e shijojmë, përderisa jemi shumicën e kohës bashkë. Normale që një bashkëjetesë stabël në një vend nuk e kemi bërë ende për shkak të angazhimeve në të dy anët e kufirit. Edhe për shkak se Alba nuk ka filluar punë, ndaj na duhet të mendojmë se ku do të vendosemi.

Kjo do të thotë se keni më shumë kohë për pushime?
Ende nuk kemi bërë pushime dhe po ashtu nuk kemi vendosur ende asgjë saktësisht, përveç faktit që do i bëjme bashkë. Mendojmë që të shkojmë me pushime pas gjysmës së dytë të muajit gusht.

Më parë, Alba ka punuar menaxhere në klube nate. Do e lejosh të vazhdojë ta bëjë këtë punë tani që jeni bashkë?
Në fakt, Alba nuk do vazhdojë ta bëjë atë punë më, për shkak se ajo synon ekranin, pra punën në televizion. Por, gjithsesi, përderisa jam me të, e kam pranuar ashtu siç është. Patjetër që nuk do të ndikoja në asnjë vendim të saj, për të bërë punën që dëshiron.

Ndodh që të mërzit Alba ndonjëherë, po ti atë?
Me çfarë më mërzit? Hmmm, po si çdo çift që kanë mosmarrëveshjet e tyre, edhe ne i kemi, por i tejkalojmë ato raste. Mbase e dukshme tek Alba është xhelozia, por që kemi mirëkuptimin e duhur për t’i zgjedhur këto “probleme” në kohë rekord, pasi nuk duam të na ikë asnjë moment nga jeta, të mërzitur me njëri-tjetrin. E, sa i përket se për çfarë e mërzis unë Albën, besoj që këtë pyetje duhet t’ia drejtoni Albës, sepse normal që unë do them se nuk e mërzis kurrë (qesh).

Çfarë të tërheq në trupin e saj, pasi dihet që është modele?
Mua më tërheq çdo gjë që është e Albës, dhe po ashtu secila pjesë e trupit të saj. Nuk do doja të veçoja ndonjë pjesë specifike të trupit, të preferuar, që Albës ia kam veçuar. Por dua që të jetë diçka që vetëm ajo e di.

Do i kërkosh ndonjëherë ta heqë tatuazhin në krah?
Tatuazhin në krah? Asnjëherë. Mua më ka tërhequr fillimisht tipi ekstravagant i Albës me tatutë e saj dhe nuk do të doja kurrë ta hiqte. Madje, jemi duke parë për të përzgjedhur të tjera tatu për të bërë (qesh).

Ju jeni të kundërtit që tërhiqen?
Të kundërt, përveç aparencës, nuk mund të them që kemi ndonjë gjë tjetër. Ndoshta nuk e besoni, por në gjithçka jemi njesoj, në çdo mendim, gjykim, ushqim, sjellje dhe çdo gjë tjetër. Më besoni!

Jeni të bindur se kjo që po jetoni është dashuri dhe jo thjesht pasion? Si arrini ta kuptoni këtë?
Nëse kjo që po jetojmë nuk është dashuri e vërtetë, atëherë çfarë është dashuria e vërtetë dhe a ekziston? Unë them me plot gojën se po, është dashuri e vërtetë dhe e pastër.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat