Krenohem pa fund me to

Mediale Vip

Krenohem pa fund me to

Nga: Nga Maksim Gjokaj Më: 5 korrik 2015 Në ora: 12:27

Një ikonë e muzikës shqiptare, ajo që kur këndon një këngë mbetet gjatë e këndohet nga të gjithë. Kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga kënga “Kur e humba një dashuri” e Festivalit të 32-të i Këngës në RTVSH, e ajo mbahet mend edhe sot si çdo krijim më pas, e një artiste si ajo e fortë edhe sot sjell hite. Është një femër e kompletuar jo vetëm nga profesioni i saj, i cili është skalitur me punë dhe vullnet, por edhe një nënë shembullore dhe një bashkëshorte e zonja. Në këtë intervistë për “Bota sot” vjen artistja Manjola Nallbani, e cila rrëfen për familjen e saj, vajzat të cilat nuk po ndjekin hapat e nënës, e për këtë këngëtares nuk po i vjen aspak keq, flet për datat e rëndësishme që nuk duhet të mungojë në familje çfarëdo koncerti të ketë, e deri te projektet e rradhës.

“Bota sot”: Duke shpresuar që nuk po të shqetësojmë, ne duam të dimë se pse po mungon pak sidomos në Kosovë më media?

- Përshëndetje! Nuk ka ndonjë rëndësi për mua nëse mungoj apo jam prezente në mediat kosovare! Rëndësi ka që publiku i Kosovës të cilin unë e kam treguar me vepra se e kam dashur me shpirt, sidomos në periudhën më të vështirë, ma ka kthyer në çdo koncert ku unë kam qenë prezent, me të njëjtën dashuri dhe respekt! Si në Gjakovë, Prizren, Pejë etj.
“Bota sot”: E tani që po na përgjigjesh janë vajzat aty pranë, apo bashkëshorti?

- Tani që po ju përgjigjem, është pasdite dhe si zakonisht jam me vajzën e vogël dhe Sokolin në shtëpi, ndërsa vajza e madhe studion në Vienë.
“Bota sot”: Për çfarë më shumë këshilloheshn me ta, ndoshta edhe për të dhënë ndonjë përgjigje më interesante neve?

- Sindi është e vogël po e pjekur shumë për moshën, megjithatë jo sa për t’i marrë mendim si t’i përgjigjem një intervistë! Pastaj ne pedagogëve nuk na pëlqejnë kopjet. Sa për Sokolin, i besoj shumë llogjikës së tij dhe i marr mendim për çdo gjë, sepse dhe për shkak të profesionit ai i parashikon njerëzit dhe situatat më me realizëm se unë, përveç intervistave. Sepse nëse do pyesja atë, e para fjalë do thoshte: Mos jep fare intervistë!

“Bota sot”: A ka një ditë në javë apo më shumë që e kaloni të gjithë së bashku?

- Ne ndryshe nga çmund ta mendoni, pjesën më të madhe të kohës e kalojmë së bashku.

“Bota sot”: Po bashkëshorti çfarë din të gatuajë mirë vetëm për Manjolën?

-Eeee për gatim nuk është i zoti, po kjo është një e metë pa rëndësi për një burrë.
“Bota sot”: E vajzat po ndjekin hapat e nënës?

- Vajzat nuk po ndjekin asnjëra profesionin tim, po për këtë s’më vjen aspak keq, përkundrazi! Dua që ato të kenë në jetë një profesion që të vijë shtyrë vetëm nga pasioni i tyre, jo nga dëshira jonë aq më tepër që artisti në Shqipëri apo Kosovë nuk ka ato kushte apo status si në një vend tjetër. Dhe publiku vetë nëse të ka parasysh i dukesh ok, artist shumë i mirë po kaq, e në moment që shkon jashtë e të vlerësojnë të huajt bëhesh jashtëtokësor! Unë kam pasur jo vetëm talentin, po shumë punë e vullnet dhe në gjithë këto vite si kur kam qenë soliste në Opera si tani që jam pedagoge në Universitetin e Arteve, dua që ta respektoj këtë profesion që është dhe një dhuratë e madhe e Zotit!

“Bota sot”: Krenohesh me to, apo ne dimë se edhe ato krenohen me ty, madje thonë se eleganca e tyre është si e mamit?

- Unë krenohem pa fund me to! Si vlerat e vajzës së madhe dhe këtu se kam fjalën për elegancën, megjithëse ajo është dhe shumë e bukur në fakt, po për vlerat si njeri dhe për të voglën të cilën e kemi të tre pikë të dobët, dhe është e mrekullueshme! Natyrisht që ndihem më e lumtur e botës kur ato ndihen krenare për mua! Si çdo mama!
“Bota sot”: E lumtur vetëm me dy vajzat, apo nuk dihet nuk shuhet ëndrra edhe për një djalë?

- Falenderoj Zotin çdo ditë për ekzistencën e vajzave dhe të më falni që po e them po s’është se kam ëndërruar për djalë! Nëse do kisha pasur do i isha mirënjohëse njësoj Zotit siç i jam për vajzat!
“Bota sot”: E dimë se në shumë gëzime dhe festa ti je larg tyre, a është ndonjë festë që duhet të jesh gjithmonë me ta, dhe kurrë larg tyre?

- Për ditëlindje nuk mungoj kurrë! Çfarëdo koncerti të jetë! Për festa kur kam koncerte vajzën e madhe sidomos e kam marrë gjithnjë me vete, e tani që u rrit të voglën!
“Bota sot”: Për shkak të kësaj familje kaq të bukur është Manjola ajo që ka menduar ndonjëhere që ta braktisë muzikën, apo janë ata që të kanë thënë ndonjëherë mjaft më me këtë profesion?

-Asnjëherë nuk e kam tepruar aq me profesionin dhe t’i mungoj familjes sa t’më thonë hiq dore, apo të më shkojë mendja ta lë! S’ka pse të kalohet në ekstrem. Unë kam një punë të përhershme në Universitet si çdo njeri dhe në raste festash ose projektesh personale kam koncerte! Çdo profesion do angazhim po sidomos duke qenë nënë unë e di vetë deri ku profesioni im nuk cënon familjen. Pastaj kjo nuk është një punë që unë e bëj për qef, apo për tu englendisur, po një punë që sjell të ardhura për familjen time! Ekuilibret nuk i ke të shkruara në jetë, i vendos vetë në baze të rëndësisë së gjërave.

“Bota sot”: E lumtur që ke kënduar edhe ateherë ku kishte shumë rregulla dhe vazhdon të jesh ‘in’ dhe sot, apo do të kishe dashur që karriera jote artistike të kishte lindur në këtë 5 vjecar të fundit?

- Muzika në Shqiperi ka kaluar faza eksperimentale dhe mungesë identiteti e shpesh vlerash, sepse pasqyron atë çfarë vendi dhe ne njerëzit jo për fajin tërësisht tonin kemi kaluar! Rëndësi ka që këto vite të fundit po rivijnë vlerat! Ka dhe krijimtari dhe këngëtarë të talentuar! Une kam nisur të këndoj që në vitin e 2-të shkollës së mesme dhe 3/4 vjet kam përjetuar rregulla apo censurë! Pastaj ndryshuan gjërat po kaluan nga me rregulla të tepruara në super liri. Për mua të dy ekstremet janë të dëmshme! Gjithsesi unë jam pjekur në vite dhe profesionalisht dhe s’do doja t’i ndryshoja asgjë jetës sime! Unë kam jetuar atë që më ka takuar mua destinit apo fatit tim!

“Bota sot”: Dhe në fund do të donim të dinim se si ka nisur vera, dhe ndonjë projekt të ri muzikor a do të kemi nga Manjola?

-Vera ka nisur vetëm si stinë po jo pushimet. Po pregatis një klip për një këngë të re të shkruar nga një muzikant i ri shumë i talentuar Endri Muçaj dhe klipin kam fatin që të ma realizojë Erald Nallbani, tek i cili kam besim absolut, jo vetëm pse është vëllai im po sepse e çmoj shumë profesionalisht! Po pregatis albumin tim me muzikë të lehtë e popullore dhe gjatë këtij sezoni kam pasur 3 koncerte me muzikë klasike, i fundit një bashkepunim i UAT me U e muzë të Pejës. Gushti është muaji i pushimit! Ju përshëndes e ju uroj pushime të mbara!/BS/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat