Të ndryshosh mënyrë jetese, kur kap fundin me dorë…

Mediale Vip

Të ndryshosh mënyrë jetese, kur kap fundin me dorë…

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 23:30

Të jesh njëkohësisht i famshëm dhe një shembull perfeksioni nuk është aspak e lehtë. Beteja për të qenë gjithnjë në formë dhe të ndierit mirë me veten bëhet edhe më e ashpër, tashmë kur rrjetet sociale janë gjithnjë e më të pranishme në përditshmërinë tonë.

I shtrenjtë ka qenë çmimi edhe për shumë emra të njohur, shqiptarë dhe ato të huaj, të cilët kanë ndryshuar stil jetese për të qenë gjithnjë në formë dhe sa më të shëndetshëm. Ja disa shembuj konkretë nga bota e showbizz-it:

Kesha - Këngëtarja e njohur Kesha, mund të themi është rasti tipik dhe më i freskët i personave, që kanë ndryshuar stilin e jetesës për hir të shëndetit. Disa ditë më parë, ajo ka lënë ambientet e një klinike rehabilitimi, për t’u rikthyer sërish në shtëpinë e saj. Shkak u bënë çrregullimet me ushqimin, e për pasojë ky problem nisi të ndikonte negativisht dhe në jetën e saj profesionale. Ajo ka rrëfyer për mediet amerikane se, nuk mund të përqëndrohej, të flinte apo të jepte rezultate në skenë. Në qendrën e rehabilitimin, ajo ndryshoi rrënjësisht mënyrën e të ushqyerit, ku specialistët i rikuperuan shëndetin, duke e vënë përballë një diete strikte dhe të shëndetshme. Pas 90 ditësh në këtë qendër, sot ajo i është rikthyer jetës së mëparshme, por më joshëse se kurrë.

Jessica Alba - Bukuroshja hollivudiane ka ndryshuar tërësisht mënyrën e të ushqyerit, për hir të familjes së saj. Ndërsa paparacët e kanë fiksuar së bashku me vajzat e saj, duke bërë “shopping” në supermarketet e Beverly Hills, Jessica Alba ka treguar për revistën “Fitness” rreth filozofisë së të ushqyerit të familjes së saj. Ajo thotë se, përpiqet të shërbejë në tryezë ushqime sa më të freskëta dhe bio. Ajo shton se, në kuzhinën e saj nuk përdoren më ushqimet e konservuara dhe vendin e tyre, tashmë e kanë zënë frutat dhe perimet organike.

Perez Hilton - “Blogger”-i i njohur amerikan, Perez Hilton, i njohur ndryshe si mbreti i lajmeve rozë, ka 3 vite që po punon për të ndryshuar pamjen e tij. Ai ka rrëfyer se, nuk ndihej mirë me pamjen e jashtme, ndaj ka detyruar veten të ushtrojë çdo ditë palestrën, si dhe të ndryshojë menynë e ngrënies. Ai ka treguar se, përmes kësaj metode, ka parë një rezultat të kënaqshëm për fizikun e tij, madje ka këshilluar të tjerët, që duan të ndryshojnë pamjen e tyre, të zgjedhin të gatuajnë vetë vaktet e tyre.

E sa u përket “VIP”-ave shqiptarë...

Samanta Karavella - Dihet tashmë, që një trup në formë kërkon edhe sakrifica, gjë që për Samantën duket se nuk janë të mëdha. Këngëtarja është shprehur se, nuk ka mbajtur kurrë dietë ushqimore për shkak të metabolizmit të saj të mirë, ndonëse tregon se është përpjekur gjithmonë, që të ushqehet shëndetshëm. “Darkën e kam përjashtuar nga menyja ime ditore”, thotë këngëtarja, e cila pranon se, kohë pas kohe, sa herë që ka mundësi frekuenton palestrën, për të ndihmuar më shumë linjat e saj.

Era Istrefi - Ndonëse duket se nuk e ka aspak të nevojshme, edhe këngëtarja Era Istrefi është një “viktimë” e “fitness”-it. Këngëtarja e re ka arritur, që të humbasë disa kilogramë nëpërmjet një programi të posaçëm, e tashmë vazhdon me vullnet të punojë për linjat e saj.

“Real 1” bëhet vegjetarian - Tashmë të gjithë kemi mësuar për pasionin dhe dashurinë e madhe të reperit “Real 1” për sportet. Këtë, vetë reperi na e ka vërtetuar nëpërmjet fotove dhe videove, që poston herë pas here në rrjetet sociale. Por, këngëtari duket aq i përkushtuar saqë ka vendosur, që për të qenë sa më në formë, të ushqehet shëndetshëm. Ai ka zbuluar së fundi se, në dietën e tij ka vetëm “ushqime shpirti” - siç i quan ai, - ndërsa saktëson se në vazhdim do të konsumojë vetëm produkte vegjetariane.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat