Enada Hoxha dhe Gerd Vaso, sërish bashkë në skenë me Fedrën

Mediale Vip

Enada Hoxha dhe Gerd Vaso, sërish bashkë në skenë me Fedrën

Më: 30 maj 2015 Në ora: 11:29

Enada dhe Gerd Vaso bëjnë 20 vjet në skenë. Këtë përvjetor ata kanë vendosur që ta kurorëzojnë me baletin “Fedra”, i cili do të vijë nën koreografinë e Fredy Franzuti-t, në skenën e TKOB-it. E ndonëse u bë një vit mungesë, që këtë çift balerinësh nuk e kemi parë së bashku në skenë, ata vijnë kësaj here jo vetëm si balerinë, por dhe si producentë. Gjatë një interviste më të, Enada na tregon arsyet se përse ka zgjedhur historinë pasionante të Fedrës, bashkëpunim me kompaninë italiane “Balletto del Sud”, për këtë rikthim të sajin. Vepra mbart dramën e thellë të mitit të njohur të Fedrës dhe pasionit të saj të çmendur për djalin e Teseos, Ippolito-n, nga martesa e parë me Dean Artemide (mbretëresha e Amazonës).

Koreografi i njohur italian, Fredy Franzuti, është frymëzuar pikërisht nga personazhet mitologjike si: Teseo, Euripidi dhe Dea Afërdita për ta përshtatur në periudhën fashiste. Personazhet e veprës interpretohen nga Enada Hoxha, Gerd Vaso dhe balerini italian, Francesco Rovea. Një vepër e fuqishme e risjellë në kostumografinë dhe skenografinë e stilit të viteve 1900, ruan nga mitologjia dramën, karakterin e personazheve, konceptin e sjelljes në çift, pasionin dhe çmendurinë, që rrjedh nga fatet e paracaktuara që personazhet nuk kanë rrugë shpëtimi. Baleti do të ngjitet në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në datat 5 dhe 6 qershor.

Enada, rikthehesh në skenën e TKOB-it pas një viti mungesë...

Është e vërtetë. U bë gati një vit që unë nuk kam qenë në skenë (përlotet). E kujtoj shpesh këtë, por nuk është në dorën time. Ka qenë i vështirë momenti kur nisa që të mos jem më aktive në skenë, por ky vit më ka ndihmuar që të reflektoj, mendoj dhe të kuptoj shumë. Jo se më parë nuk isha e përgjegjshme, se çfarë duhet të mendoja dhe se ku duhej që të përqendrohesha, por paska dhe situata të tilla, që vërtet të bëjnë më të fortë, duke të mësuar që të mos kesh shpresë te të tjerët, por vetëm te puna dhe familja jote.

Kur i keni nisur përgatitjet për këtë balet dhe përse “Fedra”?

Ky projekt ka nisur në fillim të prillit. Gjatë asaj periudhe u ideua dhe u mor seriozisht mendimi im dhe i Gerdit për të qenë producentë të një vepre. Por, sigurisht që, kur ti ke dhe miq që të ndihmojnë, njerëz që të duan dhe besojnë te ti, merr formë plotësisht. Është një projekt, që për ne, si balerinë, është sfidë, por në këtë rast është sfidë edhe si producentë. Por ne menduam se ka ardhur momenti që në 20-vjetorin e karrierës sonë të vijmë jo vetëm si balerinë. Ka qenë një propozim nga kompania "Balletto del Sud", me të cilën ne kemi vite që bashkëpunojmë, kemi qenë gjithmonë të ftuarit e tyre specialë dhe ishin ata që na e propozuan këtë vepër. Kjo vepër përmban një dramë tepër të fuqishme dhe do një eksperiencë të madhe skenike si kërcimtarë,e një moshë të përcaktuar për t’u realizuar si vepër. Dëshira e madhe e koreografit Fredy Franzuti, për të qenë ne protagonistë, na shtyu që të ishim producentë.

Si është konceptuar që vepra operistike e vitit 1900 të vijë në kohën e sotme si balet?

Vepra mbart dramën e thellë të mitit të njohur të Fedrës dhe pasionit të saj të çmendur për djalin e Teseos, Ippoliton, nga martesa e parë me Dean Artemide (mbretëresha e Amazonës). Koreografi i njohur italian, Fredy Franzuti, është frymëzuar pikërisht nga personazhet mitologjike si: Teseo, Euripidi dhe Dea Afërdita për ta përshtatur në periudhën fashiste. Është një vepër mitologjike, por që koreografi, Fredy Franzuti, duke pasur një eksperiencë të madhe në krijimtarinë e tij ka dashur që veprën ta sjellë në kohën e fashizmit, sepse muzika është shkruar në ato vite. Kjo ka bërë që kompozitori italian, vitet t’i përshtatë në kohën e fashizmit, duke bërë një miks periudhash. “Fedra” është opera, por që luhet si balet. Është vënë shumë pak në skenë, por gjithmonë është përshtatur në periudhën e mitologjisë. Kësaj here vjen komplet ndryshe dhe mua më vjen mirë.

Çfarë detajesh mund të na tregosh nga kostumografia dhe skenografia?

Baleti do të vijë nëpërmjet elementeve të periudhës së fashizmit. Mua më pëlqen nga kostumografia, fakti që Gerdi, i cili është në rolin e një ushtaraku, vjen me kostum tipik fashist. Ndërsa veshja ime ndryshon. Nga një kostum i detajuar me luksin dhe finesën e kohërave, më pas në një kostum tjetër, një këmishë nate dhe shumë variante, që ndryshojnë në skenë. Ndërsa skenografia është shumë interesante për sa i përket ndriçimit. Një nga pikat e teatrit grek është që një ngjarje të fillojë dhe të mbarojë brenda 24 orësh. Në skenë, unë duhet të ndërroj edhe veshjet. Në një orë dhe 20 minuta tregohet e gjithë historia. Po pres me padurim që të kërcej, sepse është vërtet një dramë shumë e fuqishme dhe një shfaqje e panjohur.

Fedra, një pasionante e çmendur

Personazhi kryesor, Fedra, martohet me Teseon, që në këtë rast është ushtarak, por në atë kohë ka qenë mbret i Athinës. Teseo kishte një karakter shumë të fortë ushtarak, luftarak dhe arrogant. I mësuar gjithmonë të jetë përveçse luftarak, joshës dhe i tërhequr nga femrat. Ndërsa Fedra vjen mjaft e ndrojtur dhe e brishtë, nga një familje fisnike. Martohet me Teseon. Ai ka një djalë nga martesa e tij e parë me perëndeshën Afërditë, teksa dëshiron që të krijojë një familje me djalin e tij dhe me Fedrën. Djali e refuzon, sepse dëshiron të jetë i lirë, ngjan nga e ëma dhe i pëlqen që t’i përkasë pyllit. Por çfarë ndodh? Fedra dashurohet marrëzisht pas djalit dhe ai e refuzon. Atëherë ajo, nga i gjithë ky pasion i çmendur, vendos që t’i japë vdekjen pas tij, duke i shkruar një letër bashkëshortit të saj, që ishte përdhunuar nga djali i tij dhe vetëhelmohet, kalon një çmenduri. Kur Teseo lexon letrën, se djali ka përdhunuar bashkëshorten e tij, ai vendos që ta vrasë. Sigurisht që pendohet më pas, por çdo gjë përfundon tragjikisht.

Njëzet vjet së bashku si balerinë

Enada rikthehet sërish tek ata njerëz, që e kanë besuar dhe duartrokitur për 20 vjet radhazi Enada Hoxhën e kemi parë të interpretojë përherë si soliste kryesore në shumë balete. Ndër ta mund të kujtojmë rolet kryesore: ka interpretuar te legjendat e lashta gjermane “Zhizel”, “Arrëthyesi”, “Romeo dhe Zhuljeta”, “Delina”, “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, te “Mandarini i Mrekullueshëm”, “Traviata” etj. Ajo rikthehet sërish për ata njerëz, që e kanë besuar dhe duartrokitur për 20 vjet radhazi në skenë. Ajo jo vetëm nuk ka vendosur që ta lërë skenën, por pavarësisht rrethanave, do të vazhdojë të punojë si ngaherë, për të qenë më e mira.

Enada, 20 vjet në skenë...

20 vjet nuk janë pak, janë 20 vjet të lodhshëm, por dhe shumë të bukur. Janë shumë faktorë që ndikojnë, por janë vite shumë të bukura, të tëra të kurorëzuara në sukses. Vit pas viti kam synuar ngritje profesionale, dhe kam pasur dëshirën për të luajtur vërtet pjesë të mira në skenë. Kam pasur fatin të kërcej një repertor të madh, por që sigurisht këto vitet e fundit kanë qenë dhe krijimtari, qoftë në teatër, qoftë edhe jashtë teatrit. Kështu që unë, dhe pse kam titullin si koreografe bashkë me Gerdin, kur të bëhen 20 vjet do të them se jam koreografe, për momentin them se jam një balerinë e parë në TKOB, por që bëj dhe koreografen.

Me çfarë pjese je ngjitur për herë të parë në skenë?

Kam qenë te “Zhizel” në moshën 18-vjeçare. Një balet i madh nga përmasat, historia dhe teknika që ka. Është një nga baletet më të vështira të repertorit, që sigurisht është ndër ata më të dashurit, e nëse nis t’i numëroj rolet janë pa fund, por unë jam e lumtur që e kam prekur këtë balet dhe me këtë do të doja ta mbyllja.

Përtej skenës, me Gerdin keni 20 vjet dhe në jetë?

U bënë 20 vjet, por këtë përvjetor e kemi pas disa muajsh. Ndihem mirë, vërtet me fat, që kemi qenë përherë bashkë. Është një fat i destinuar, që në vitin e parë që jemi njohur, kemi pasur mendimin se lidhja jonë do të ishte e përjetshme. Duke njohur mirë njëri-tjetrin apo çfarë dëshirojmë ne nga jeta, pasionet dhe shumë gjëra të tjera që i kemi kaluar bashkë, e tillë do të jetë..

Sa e ndjek Roani krijimtarinë artistike të prindërve?

Sapo ka mbaruar klasën e parë dhe është futur në preokupimin se si do të dalë shfaqja (qesh). Sa herë që shikon se në televizion flasin për shfaqjen, më thotë: “Mami, mami hajde, se po flasin për ju”. Këto kohë ka qenë i angazhuar në aktrim dhe për këtë jam e lumtur. Ka marrë pjesë në tri apo katër shfaqje dhe unë uroj që të zgjedhë fushën e artit, por kjo gjë nuk varet nga unë, edhe pse dëshira është shumë e madhe.

Pas Fedrës, çfarë projektesh do të nisni?

Pas Fedrës në datën 22 deri në datë 2 jemi të ftuar në Itali te “Una notte per Caruso”, që është një shfaqje dhe koncert i përvitshëm, i cili shikohet dhe përtej Italisë. Atje jemi të ftuar specialë, por nuk do të ndalem këtu. Duke qenë se u bë kohë e gjatë që unë nuk kërcej, mendoj se ka ardhur momenti që unë, përveçse si producente, të mendoj për vete, për të qenë ende në skenë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat