Duke kërcyer, realizova ëndrrën time

Mediale Vip

Duke kërcyer, realizova ëndrrën time

Më: 25 maj 2015 Në ora: 10:51

Takimet e para me artin i ka pasur në moshën 10-vjeçare. Pasioni që kishte për baletin i detyroi prindërit e saj që një ditë ta sillnin nga Vlora për të konkurruar në Shkollën e Baletit në Tiranë. Është fjala për koreografen Roberta Mone. Sot ajo numëron rreth 22 vjet përvojë pedagogjike, jo vetëm pranë fëmijëve me trupë të brishtë, por edhe pranë studentëve në Universitetin e Arteve. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Mone tregon se kush e ka mbështetur në këto 22 vite punë me balerinët e rinj, por nuk lë pa përmendur as ata studentë që kanë punuar me të dhe sot janë ndër balerinët më të mirë në vend. Roberta Mone (Ndokaj), pedagogia e asociuar e koreografisë, para pak ditësh promovoi në UA librin “Let’s dance”. Në të tregon për punën e saj me fëmijët dhe se si një koreograf mund të jetë më pranë tyre.

Zonja Mone, nëse u riktheheni kujtimeve të fëmijërisë suaj, si ka lindur te ju dëshira për t’u marrë me art?

Në përvojën time kam parë fëmijë të qeshur me sytë plot dritë, trupa të brishtë dhe këmbë të bukura që ngriheshin në majë të gishtave, buzëqeshje të pafajshme. Kam qenë vetë fëmijë dikur… Kam qenë 10 vjeç kur u shfaqen shkëndijat e para. Ishte pasioni im i madh për baletin, që i detyroi prindërit e mi, që unë të konkurroja në shkollën e baletit. Ishte babi im, i cili më mbështeti dhe më dha forcë për të ecur në rrugën e bukur të artit. Ai ka qenë dhe do të jetë për mua një frymëzim drejt suksesit. Mbaj mend në atë kohë se isha në klasën e 4-t dhe merresha me gjimnastikë. Profesori i gjimnastikës më tha që të sillja prindërit të kontaktonte me ta.

Në bisedë e sipër ai u tha atyre se këmbët e mia ishin zgjatur shumë dhe do të ishte shumë bukur të merresha me balet, gjë që unë e bëja, pasi kërceja gjithë ditën përpara pasqyrës. Të dy prindërit e mi kanë qenë pedagogë, në fakt, ata, duke menduar se isha shumë e vogël, nuk donin që unë të largohesha nga qyteti im i lindjes, që është Vlora. Mbaj mend kur babi i tha mamit: Është më mirë ta çojmë të konkurrojë, pasi do të rritet dhe do të na thotë: “Ju më keni në Shkollën Kombëtare të Baletit për 8 vjet rresht. Gjatë këtyre 8 viteve, aktiviteti artistik ka qenë i larmishëm: koncerte në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, festivale ndërkombëtare, koncerte dhe aktivitete të larmishme etj. Nuk mund të rri pa përmendur njerëzit, që më qëndruan pranë dhe më dhanë forcë për këtë profesion: Petrit Vorpsi (drejtor i Shkollës së Baletit), profesori i nderuar Agron Aliaj dhe Ariana Pertena, e cila më mësoi hapat bazë të baletit, Luan Shtino dhe Nermin Strazimiri.

22 vjet punë si koreografe, a ka qenë përherë qëllimi juaj të punoni me të rinj?

Pas përfundimit (8 vjet) në Shkollën e Baletit zgjodha të konkurroj për koreografi në Akademinë e Arteve. Konkurrova dhe fitova, kështu iu futa rrugës së krijimtarisë dhe pedagogjisë. Studiova me pedagogun, i cili hodhi bazën e krijimit të degës së Koreografisë, prof. dr Skënder Selimin. Pas mbarimit të Akademisë së Arteve në vitin 1992, në shtator të vitit 1993 u emërova pedagoge baleti në Shkollën e Baletit. Punova për 7 vjet deri në vitin 1999, me qëllimin e vetëm për të nxjerrë në skenë breza artistësh, që do të më përfaqësonin me dinjitet, jo vetëm në skenën e TOB-it, por edhe jashtë kufijve. Në 1999 m’u desh të largohesha përtej oqeanit, në SHBA, për disa muaj, për një specializim për raportet bashkëkohore në fushën e koreografisë dhe raportet pedagog-student. Ishte një eksperiencë e bukur dhe e re. Pas kthimit nga SHBA-ja konkurrova dhe fillova punë, si pedagoge në Akademinë e Arteve në vitin 2000 (sot Universiteti i Arteve).

Cila është eksperienca më e bukur nga puna juaj si koreografe?

Gjithmonë me kolegët bashkëpunimi ka qenë i suksesshëm dhe ka synuar në teknikat e reja bashkëkohore të kërcimit. Raportet e suksesshme me studentët më kanë bërë të ndiej kënaqësi dhe emocione të mëdha. Janë 22 vite punë në mësimdhënie, është vështirë të veçosh një moment të caktuar, gjithsesi, po veçoj momentin kur vajza ime, Megi, e cila, dhe ajo e ka nisur rrugën e artit në moshën 5-vjeçare, vendosi të zgjedhë si udhë jete artin e baletit. Momenti kur duhej të konkurronte, puna që duhej të bëja me të më ka krijuar emocione tepër të veçanta, por paraqitja e saj me dinjitet në konkurs më bëri të ndihem krenare.

Çfarë ju mban pranë të rinjve? Si i përjetoni emocionet që ata kanë përballë realizimit të një ëndrre?

Si pedagoge dhe koreografe në Universitetin e Arteve do të doja të ndaja me ju kënaqësinë dhe dashurinë që më fal ky profesion. Raportet e suksesshme me studentët të bëjnë të ndash kënaqësinë e një arritjeje, emocionet e një shfaqjeje, realizimin e një ëndrre, pasionin e madh për artin, ethet e një provimi, mbrojtjen e një diplome. Prurjet e të rinjve të talentuar janë të shumta, çdo vit sjellin diçka të re, diploma dinjitoze dhe shumë emocionuese. Ndihem e lumtur kur punoj me ta, por unë kam 8 vjet që punoj në qendrën time të kërcimit dhe me fëmijët e vegjël, të cilët janë e ardhmja e baletit shqiptar

Le të kërcejmë

Libri i fundit “Let’s dance”, shërben jo vetëm për fëmijët, por edhe për mësuesit e koreografisë. A mund të na tregoni diçka më tepër rreth subjektit të tij?

“Le të kërcejmë!” është një thirrje e bukur për të lidhur trupin me shpirtin nëpërmjet kërcimit. Kam synuar që përmes këtij libri t’i pajis fëmijët me disa shprehi në artin e baletit, të zbuloj tek ata ato cilësi, ato aftësi e atë talent, që shpeshherë rri i strukur thellë brenda tyre, që "trembet" të dalë hapur, që kërkon një dorë për ta marrë dhe sjellë në sheshin magjiplotë të kërcimit. Qëllimi i këtij libri nuk është vetëm t’u mësoj fëmijëve aftësi motore adapte për moshën e tyre dhe parimet bazë të baletit, sepse ky është një detyrim pedagogjik, por shërben si një guidë për të orientuar më tej studimet e tyre. Nëse ata ndjekin si udhë jete artin e baletit, por jo vetëm. Ky libër shërben gjithashtu për të gjithë fëmijët e tjerë, të cilët e ndjekin baletin thjesht për hobi.

Çdokush që ka kureshtje për baletin dhe, madje, vetë pedagogët e rinj të baletit do të kenë mundësi të këshillohen me të, për ta mbajtur në memorien e tyre, në dobi të një pune të lavdërueshme, që ata dhe të gjithë ne të dashuruarit pas artit të baletit, duam të kryejmë me modesti e përkushtim me fëmijët. Libri ndahet në tri pjesë. Pjesa e parë është klasa, mësimi, fëmijët dhe ushtrimet, pra, metodika e mësimdhënies që zë dhe pjesën më të madhe. Pjesa e dytë është një historik i shkurtër i qendrës dhe pjesa e tretë është pjesa vlerësuese, ndonëse modeste, por e nevojshme dhe e arsyeshme.

Gjatë promovimit të librit, pamë se fëmijët ju rrethuan me tufa lulesh dhe përqafime? Cili është ai çelës suksesi që ju keni përdorur me ta?

Mendoj se profesionalizmi dhe arti i komunikimit janë çelësi i suksesit. Kam 8 vjet që jap dhe marr dashuri e befasime të bukura.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat