“Xhaka më pëlqen më tepër se një lojtar, është për t’u admiruar”

Mediale Vip

“Xhaka më pëlqen më tepër se një lojtar, është për t’u admiruar”

Më: 19 prill 2015 Në ora: 14:15

Eliona Pitarka është modelja që ka pushtuar faqet e rrjeteve sociale. E ndërsa e sheh, të bie në sy bukuria e saj femërore dhe ëmbëlsia që ajo të përcjell. Është një vajzë plot gjallëri që i pëlqen të jetë gjithë kohës e rrethuar nga shoqëria dhe njerëzit e saj të dashur. Me bukurinë dhe linjat perfekte trupore ajo tashmë është një ndër modelet më “hot” të Shqipërisë. Por është edhe një tifoze e çmendur e kombëtares shqiptare. “ Nëse Taulant Xhaka i shënon gol Serbisë, do të hamë një darkë së bashku”, shprehet ajo. Ajo tregon se Taulantin e sheh më shumë se sa një lojtar futbolli, ndërsa pyetjes se ka apo jo një partner përkrah, ajo nuk preferon të përgjigjet.

Në media është përfolur se ju jeni një fanse e madhe e futbollit shqiptar. Me kë skuadër jeni tifoze?

Jam një tifoze e çmendur e kombëtares shqiptare dhe brenda kampionatit jam tifoze me skuadrën e Partizanit. Gjithmonë kam ndjekur futbollin dhe ndeshjet me babanë tim. Tashmë jam një simpatizante e zjarrtë e lojës së futbollit.

Kur është hera e fundit që keni shkuar në stadium?

Ndeshja e fundit në të cilën kam qenë në stadium ishte për derbin Partizani-Tirana, gjë qe e shijova shumë sepse fituam. Është shumë emocionuese dhe më sjell shumë kënaqësi.

Po në Europë kush kampionat të pëlqen dhe për kë je tifoze? Kë lojtar do veçonit si të preferuar?

Jam tifoze e kampionatit anglez dhe bëj tifo për skuadrën e Manchester United. Lojtari im i preferuar është Ëayne Rooney, sepse është shumë i talentuar.

Ju keni deklaruar se pëlqeni si futbollist lojtarin Taulant Xhaka? Pse pikërisht kjo preferencë?

Është e vërtetë që në kombëtaren shqiptare mesfushori Taulant Xhaka është i preferuari im. Patriotizmi dhe dashuria e tij për kombin shqiptar dhe pse i rritur larg Shqipërisë, duke mos lënë mënjanë talentin e tij si futbollist ka bërë që të jetë i preferuari im. Deri tani në të gjitha paraqitjet që ka bërë me përfaqësuesen ka shkëlqyer dhe ka qenë titullar. Më është fiksuar momenti i mbrojtjes së flamurit që bëri në fushën serbe ku tregoi guxim si lojtar dhe si shqiptar.

Është përfolur një deklaratë e juaja se ju do i ofronit Tanulant Xhakës një darkë nëse do i shënojë gol Serbisë. Është i vërtetë ky lajm?

Po është i vërtetë si lajm, e kam pohuar në media që lojtarit Xhaka do i ofroj një darkë nëse i shënon gol Serbisë. Kjo në shenjë nxitjeje për të, sepse po pres fitore të “kuqezinjve”. Nëse ai shënon një gol kundër Serbisë do të ketë një tifoze të çmendur nga ana ime.

Taulat Xhaka të pëlqen më shumë se një lojtar?

Po kështu le te themi (qesh). Mbi të gjitha është simpatik dhe shumë i pashëm, kjo është e dukshme. Është vërtetë për t’u admiruar dhe çmuar veprimi aq i guximshëm i tij që bëri me serbët. Më ka ngelur në mendje mënyra sesi reagoi, me sa shumë dashuri për flamurin e kombit të tij dhe kjo është një nga arsyet që unë e pëlqej atë.

Ju jeni një fanse e tij po pse pikërisht do t’i ofronit një darkë?

Mediat mund ta kenë transformuar deklaratën time në forma të ndryshme. Por arsyeja pse unë i kam ofruar një darkë ka qenë sepse më është drejtuar një pyetje për të thënë diçka motivuese dhe nxitëse që Xhaka të japë një performancë sa më të mirë dhe të shënojë gol kundër Serbisë. Prandaj jam shprehur kështu. E kam pohuar si një shenjë shpërblimi nga ana ime. Xhaka shënon gol dhe do të hamë një darkë së bashku (qesh).

Jeta juaj personale, jeni në një lidhje?

S’kam koment.

“Në pamundësi të aktrimit iu drejtova modelingut”

Eksperiencën e parë si modele, Eliona e ka filluar me eventin “Tirana Fashion Ëeek”, që stilisti Joni Peçi organizoi për herë të parë në Shqipëri. Që prej këtij momenti ajo ka vazhduar rrugën e modelingut ku ka modeluar jashtë dhe brenda vendit. Modelingu për Elionën është një pasion i madh dhe ajo e dashuron punën e saj. “Duke qenë se nuk ndoqa dot studimet për aktrim në Akademinë e Arteve, i cili është pasioni im i parë, u mundova ta kompensoja me modelingun për të qenë sërish pranë aparatit fotografik dhe kamerës”, shprehet ajo. Fillimet në këtë fushë për Elionën kanë qenë pak të vështira, për shkak të mosmbështetjes së saj nga familja. “Me kalimin e kohës ata e kuptuan që unë isha për këtë punë dhe pata suksese. Tashmë mamaja ime është fansja ime me e madhe”, tregon Eliona. Aktualisht modelja punon për imazhin e një kompanie, duke qenë një personazh kryesor reklamimi për të. Për Elionën kjo është një eksperiencë e veçantë që e bën të ndihet komode. Eliona i cilëson më të suksesshme eksperiencat jashtë vendit në fushën e modelingut.

“Padyshim suksese mund të quaj perfomancat e mia në sfilatat jashtë Shqipërisë. Mund të përmend sfilatat në Zvicër dhe Gjermani me rastin e festave te Pavarësisë (28-29 Nëntorit), të cilat janë zhvilluar rreth 3 vjet më parë. Kam modeluar për agjensinë kosovare të quajtur “Gecjan Fashion Group”, pohon ajo. Eliona tregon edhe për stinën e verës dhe planet për të ardhmen. “Zakonisht në stinën e verës ofertat për photoshoting dhe sfilatat janë më të shumta. Kështu që do të jem e fokusuar në profesionin tim, por pa lënë mënjanë pushimet me familjen dhe shoqërinë. Planet për të ardhmen momentalisht jam, duke biseduar për një kontratë pune për një agjensi modelingu në Zvicër”, tha ajo.

Për Elionën është profesioni ai që e bën që të kujdeset maksimalisht për lukun e saj. “Jam e fiksuar pas linjave trupore dhe harxhoj disa orë në ditë për lukun dhe veshjen time” tha ajo. Eliona shprehet se një model për të është një femër që ndjek ëndrrat, pasionet e saj dhe ka vetëbesim. “Një femër që lufton për të pasur gjërat që do më shumë në jetë”, rrëfeu ajo. Ajo iu përcjell një mesazh të gjithë adhuruesve, që të lenë pas paragjykimet apo komplekset dhe të luftojnë për pasionet dhe ëndrrat e tyre.

E rritur si “djali” i munguar i babait

Eliona Pitarka ka lindur dhe është rritur në qytetin e Tiranës. Fëmijëria e saj ka qenë e bukur, e mbushur plot me argëtime dhe dashuri. Ka qenë një vajzë çapkëne, por shumë e dashur. Dëshira e babait të saj për të pasur fëmijën e parë djalë bëri që ajo të rritej pak a shumë si një “djalë”. Që kur ishte vetëm një fëmijë, ajo e shoqëronte gjithmonë babanë për të parë ndeshjet e futbollit, e ndërsa sot është kthyer një tifoze e zjarrtë. Gjimnazin e ka bërë në shkollën e mesme “Andon Zako Çajupi”, në kryeqytet, e më pas ka vazhduar studimet e larta për degën Marrëdhënie Ndërkombëtare.

“Angazhimi me modelingun është arsyeja kryesore që kam lënë mënjanë studimet dhe një nga projektet e mija për të ardhmen është përfundimi i universitetit”, shprehet ajo. Aktualisht është duke punuar si modele dhe pasion për të janë moda, sfilatat dhe fotografia. “Mua më pëlqejnë shumë kafshët dhe kam një qen. Hobi im është të shëtis me qenin dhe te mbaj trupin tim në formë, duke aplikuar ushtrime të ndryshme fizike çdo ditë”, tregon Eliona. Ajo rrëfen se frekuenton palestrën dhe shpenzon dy orë kohë në të çdo ditë.

“Në ditët të cilat unë kam angazhime pune në profesionin tim më kalon dita duke punuar. Kur nuk kam punë në profesionin tim, një ditë e zakonshme është nën praninë e familjes sime duke kaluar kohë me ata. Po kështu takohem edhe me shoqërinë time, duke konsumuar kafe”, thotë ajo. Po kështu në kohën e saj të lirë ajo e shpenzon kohë duke lexuar libra, të cilët i falin shumë kënaqësi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat