Çfarë po gatuan Rona Nishliu?

Mediale Vip

Çfarë po gatuan Rona Nishliu?

Më: 1 prill 2015 Në ora: 18:55

Ka mbledh ca ‘brum’ e me atë po don ta ushqejë popullin në Kosovë. Këtë ‘brum’ ajo e ka hulumtuar, e ka mbledhur që disa vite dhe do ta servojë të transformuar.

Është këngëtarja Rona Nishliu, e cila publikut po i sjellë diçka të re nga kuzhina e saj e pasur muzikore.

Këngët e bukura shqipe janë brumi i saj që Rona do t’i risjellë në kombinimin me muzikën free jazz dhe elemente të trip – hop e soul.

Krejt këto do të përfshihen në albumin e saj të parë, që tashmë trajleri mund të gjendet edhe në kanalin YouTube.

“Me Motive Tonat” është emri i albumit që në vete do të mbajë këngët e bukura shqipe. E për KosovaPress, ajo rrëfen qëllimin e këtij projekti.

“Qëllimi i projektit “Me Motive Tonat” është prezantimi i thesareve të muzikës shqiptare tradicionale në versione të transformuara. Transformimi është përkufizimi i këtij projekti, qoftë në kontekstin e përmbajtjes muzikore apo të formacionit muzikor që performon materialin. Unë jam një nga ata fëmijë që janë rritur dhe kanë jetuar me dëshirën dhe idealin e lirisë. Kam përshtypjen se dëshira për të qenë e lirë në çdo dimension më jep guximin të eksperimentoj në punën time krijuese, në rastin konkret me thesaret e muzikës së vjetër, dhe të shërbej për rivleresimin e kësaj trashëgimie të vlefshme shpirtërore dhe pozicionimin më të mirë të këtyre thesareve brenda dhe jashtë vendit”, tha Rona për KosovaPress.

Me gjithë elementet përbërëse, ky projekt që në vetvete përfshin shumë pjesë/media të tjera, ka për qëllim prezantimin e saj si artiste, të bashkëpunëtorëve në këtë projekt, partnerëve institucionalë, kulturës muzikore shqiptare dhe vendit tonë në përgjithësi.

Siç paralajmëron edhe vetë Rona, muaji prill do jetë plot me të reja!. Ajo fton ta ndiqni në kanalin e saj në YouTube apo në rrjetet sociale, ku do të mësoni ditë pas dite më shumë për ciklin e punës “Me Motive Tonat”./KosovaPress/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat