Big Brother, shumë “love story”, pak “lule limoni”

Mediale Vip

Big Brother, shumë “love story”, pak “lule limoni”

Më: 31 mars 2015 Në ora: 00:30

Big Brother ka qenë një oaz i krijimit të lidhjeve dashurore. 30 banorë kanë shpallur dashurinë e tyre, në shtëpinë më të famshme në Shqipëri gjatë këtyre 8 edicioneve.

Por, a ka qenë kjo pjesë e strategjisë së lojës së tyre në “reality show”-n më të ndjekur të shqiptarëve, apo ajo çfarë ka ndodhur ka qenë dashuri e vërtetë? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e tregon vetë jetëgjatësia e lidhjeve të tyre, pas daljes nga Big Brother.

Ogreni dhe Neda, nga BB4, një muaj më parë janë bërë prindër. Edhe pse u paragjykuan brenda shtëpisë, mediet i kushtuan vëmendje lidhjes së tyre dhe vazhdimësisë. Ata vërtetuan se, ajo që lindi mes tyre ishte e vërtetë dhe e sigurt.

Në të njëjtën kohë u njohën Alma dhe Shkëlqimi, të cilët shkëndijat e para i patën në shtëpinë e Big Brother. Pas daljes, ata nisën një histori dashurie, që u finalizua në bashkëjetesë. Ata u vendosën në Itali dhe u bënë prindër të një vajze. Aktualisht, thuhet se çifti i ka dhënë fund marrëdhënies.

Ndërsa historia e fitueses së këtij edicioni, të begatë me çifte, nuk shkoi kaq larg! Ermela nisi një lidhje me Ervinin dhe, pas një bashkëjetese pohuan se historia e tyre kishte marrë fund.

Të parët që thyen mentalitetin në Shqipëri, se mund të krijosh një lidhje e ta konsumosh atë duke qenë i vëzhguar 24 orë, ishin Najada, apo “Noçja” si i thërrisnin të gjithë, dhe Olsi. Ata patën një histori të komplikuar, që u pasqyrua në media. Lidhja e tyre përfundoi disa muaj pas daljes nga shtëpia.

Jehonën e kësaj lidhjeje e zbehu çifti i edicionit të dytë të Big Brother, Adelajda dhe Bjordi. Pas daljes nga shtëpia, ata bashkëjetuan disa kohë në Tiranë, por edhe lidhja e tyre përfundoi. Pavarësisht kësaj, ata kujtohen edhe sot si një ndër çiftet më të dashur në historikun e Big Brother.

Një tjetër histori e bukur dashurie lindi në Big Brother, një vit më vonë, mes Bertinës dhe Erjonit. Marrëdhënia e tyre ka përfunduar 2 vite pas daljes nga “reality show”.

Një tjetër çift lindi po në edicionin e tretë. Fituesi i i BB3, Jetmiri u lidh me Rezartën. Edhe pse lidhja e tyre nuk ishte ndër më të komentuarat, ata bashkëjetuan për disa muaj në kryeqytet, por as lidhja e tyre nuk funksionoi.

Krejt ndryshe ishte për çiftin e bukur të BB5. Ata ishin në qendër të vëmendjes së shtypit rozë dhe emisioneve televizive. Ermali dhe Françeska duket sikur vrapuan, familjet e tyre u takuan, por historia e vrullshme u konsumua disa muaj pas daljes nga shtëpia.

Pak a shumë të njëjtin mediatizim dhe përfundim përshkoi dhe dashuria e Xhulit dhe Arditit. Por ndarja e tyre u kthye në një telenovelë në shtypin rozë dhe asnjëherë nuk u mësua arsyeja e vërtetë e saj.

Çifte të tjera u ndanë pak javë pas përfundimit të “reality show”-t. Pas daljes nga shtëpia, ata kuptuan se nuk kishin më gjëra për të ndarë me njëri-tjetrin.

Marjeli dhe Mirjeta nga BB4 vazhduan jetët e tyre, aty ku i kishin lënë përpara se të hynin në shtëpi. Ai u largua drejt Italisë, ndërsa Mirjeta vazhdoi jetën e saj në Londër.

Seldi dhe Domenika, nga BB3, edhe pse morën bekimin e mami Valit, nuk e zgjatën më shumë sesa disa javë, lidhjen e tyre së bashku jashtë kamerave.

Po aq sa mbijetoi edhe ndienja e Polit dhe Inës, banorët simpatikë të BB1, që u bënë të njohur edhe për humorin e tyre.

Çifti që e kuptoi se nuk do të kishte të ardhme dhe u nda brenda shtëpisë, pa komentuar arsyet, ishte Arjoni dhe Anjeza në BB2.

Ndërsa historia e dashurisë që ka ngjallur më shumë diskutime, padyshim ishte ajo e Anaidit dhe Joanës. Anaidi diti të jetë shumë strategjik në lojë dhe në jetë. Lidhjes i dha fund me një deklaratë televizive të nesërmen, pas daljes nga shtëpia e BB6 me çmimin e madh. Ai tha për “Fan Club” se “Tashmë jam single!”.

Presim me kuriozitet sesi do të vijojë historia e Albës me Diedonin. Deri më tani, ata kanë deklaruar se kanë gjetur shpirtin binjak. Dhe edicioni nuk ka ende një muaj, që ka filluar...

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat