Shumë violina i kam ndërruar

Mediale Vip

Shumë violina i kam ndërruar

Nga: Nga Maksim Gjokaj Më: 5 mars 2015 Në ora: 12:31

Tingujt më të ëmbël të një instrumenti muzikor padyshim që i sjellë violina, e sidomos kjo kur komandohet nga një mjeshtër siç është personazhi ynë sot. Ervin Gonxhi, një nga violinistët dhe bashkëproducentët më të mirë shqiptar rrëfen për “Bota sot” larg modestisë bashkëpunimet e tij më të afërta. Çfarë marrëdhëniesh ka ai me Flori Mumajesin, pse kohët e fundit është shumë në shoqëri nëpër koncerte me artistin Gena. Po a i soset ndonjëherë durimi artistit me këngëtarët që nuk dinë ta përcjellin siç duhet violinën e tij, po për të kënduar a ka provuar ai? Për më tej na tregon Vini siç e thërrasin miqtë e tij.

“Bota sot”: Ervin si je dhe na thuaj cila është puna muzikore që ke në duar?

- Përshëndetje! Kam shumë tani për këtë sezon, shumë artistë që do dalin në treg të njohur normal dhe të panjohur.

“Bota sot”: A mund të na zbulosh ndonjë emër? Nga janë dimë që kanë trokitur edhe nga Kosova?

-Me artistët shqiptarë të Kosovës kam shumë vite që bashkëpunoj dhe kam krijuar shumë këngë, dhe akoma vazhdon bashkëpunimi me ta. Mund të them vetëm Morena Taraku, Fjolla Morina dhe Genën, për të tjerë s’mund të flas dot sepse jam në punë e sipër. Por edhe një emër po e zbuloj jam duke punuar për një këngë për Aurela Gacen.

“Bota sot”: E dimë se kohët e fundit përveç se projektit muzikor të shohim me Genën shumë nëpër koncerte, e keni marrë Genën në produksion, keni një kontratë me të për koncerte?

- Jam shumë mik me Genën dhe ai është një njeri që më ka rritur dhe është dëshira e madhe që të jemi bashkë në koncerte dhe evente të ndryshme . Dhe fal Enis Fetahut që është një menaxher super i fortë i lidhi këto gjëra perfekt. Po Genën e kam marrë në produksion, por kontratë për koncerte s’kam...Hahahahah..

“Bota sot”: Dhe për këtë lidhje Flori nuk është mërzitur pak, apo ndoshta shumë?

- Jo s’ka lidhje të mërzitet Flori.. Hahhaha.. Përkundrazi Flori është njeri i mrekullueshëm, dhe marrëdhëniet e mia me të janë super të forta.

“Bota sot”: Kemi dëgjuar që thuhet se violina e Ervinit është magjike? E si ti s’ka, këtë e kemi dëgjuar nga shumë artistë?

- Nuk mund ta them këtë gjë kurrë në jetë sepse ka më të mirë se unë dhe kjo është shumë e vërtetë, por unë jam munduar të jem gjithmonë pranë publikut dhe ti dhuroj muzikë të bukur. Falënderoj Zotin e madhërishëm për gjithçka çfarë më ka dhënë. Dhe talentin e kam fal atij Elhmdulilah Zotit. Dhe me artistët kam marrëdhënie shumë të mira me të gjithë i dua shumë dhe kaloj shumë mirë me ta. Dhe faleminderit meqë e paskan thënë këtë ndihem shumë i vlerësuar.

“Bota sot”: Deri tani sa violina i ke thyer, ose i ke përdorur aq shumë saqë nuk nxjerrin më tingullin që duhet?

- Hahahahahahah.. Shumë violina i kam ndërruar, por për tu thyer asnjëra deri tani.

“Bota sot”: Ndodh ndonjëherë që je duke përcjellë ndonjë të ashtëquajtur këngëtar/e që nuk ia ka haberin e përcjelljes së muzikës dhe mendon t’ia thesh në kokë violinën si shenjë që e ka nisur kot këtë rrugë? (Ndoshta të shkon thjeshtë në mendje)

-Të them të drejtën më sos ndonjëherë durimi por s’kam çfarë të bëj. Për Zotin i ka puna këto….Hahahahahaahah..

“Bota sot”: Dhe një pyetje që na mbet merak, paratë që futen në violinë si bakshishe, i ndan?

- Po normal që i ndaj me kolegët..Hahahahah..

“Bota sot”: Threedots mendon se do të ishte shumë mangët pa ty?

- Threedots do ishte mangët pa të tre ne, pa tre pikat, pa Florin, Vinin dhe Kledin.

“Bota sot”: Ervini krijon, luan po të këndojë provon, do ta dëgjojmë apo ndoshta e kemi dëgjuar zërin e tij si ndihmës vokal në ndonjë krijim?

- Kam shumë kohë që e mendoj ta këndoj një këngë veç për qejf. Por mendoj se shumë shpejt do ta nxjerr një produksion të tillë do ta bëj veç për qefin tim …Jajahah ..Ka qenë zëri im në shumë këngë, por i modifikuar mirë kuptohet.. Haha…

“Bota sot”: A është një artist shqiptar që nuk do të lodheshe kurrë ta shoqëroje me violinë?

- Është kënaqësi ti shoqëroj me tingujt e violinës time artistët shqiptarë, ashtu siç kam shoqëruar dhe artistë të huaj shumë, nuk besoj se do kem lodhje jo.

“Bota sot”: Dhe në fund ftesat për muzikën tënde janë më shumë ku kohët e fundit, ku mund ta gjejmë Ervinin në Prishtinë, Tiranë apo Diasporë?

-Në Tiranë, Prishtinë por më shumë në Diasporë, normal që atje ka shumë shqiptar që mezi presin të na dëgjojnë dhe ti dhurojmë muzikë të bukur, atmosferë të bukur./BS/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat