Armando Curri, pa dokumente, marangozi më i mirë i Francës

Mediale Vip

Armando Curri, pa dokumente, marangozi më i mirë i Francës

Më: 4 mars 2015 Në ora: 10:44

Lajmi është thuajse historik për shqiptarët! Një syresh, 19 vjeç, që ka mbërritur në Francë vetëm para tre vitesh, sfidon artizanët trashëgimtarë të traditave të ndërtimit të katedraleve e të pallateve mbretërore. Armando Curri merr titullin e lartë, jashtëzakonisht të lakmuar në këtë vend ofiqesh e dekoratash, atë të artizanit të ri më të mirë të Francës në zanatin e marangozit. Për shqiptarët, mbase kjo nuk ka kuptim, por të tregosh në Francë emblemën “Meilleur ouvrier de France”, është sinonim i ndjenjës së krenarisë me legjitime, që mund të ndjej një francez në epokën e çmendurisë financiare kur kemi shpeshherë tendencë të harrojmë se gjithçka fillon nga guri, druri dhe gruri.

Një "Odise" e vërtetë

Por për Armandon, ky moment i paharrueshëm që ai do të përjetojë këtë të mërkurë nën abazhurët pompozë të Senatit francez, desh u kthye në një fiasko. I gjithë shtypi francez ka në “gojë” emrin e Armandos, sepse rasti i tij është shumë i njëjtë me një tjetër fare të freskët. A do të ndodhej Franca sërish brenda një muaji para një tjetër «skandali» me të rinj të jashtëzakonshëm për nga talenti, por pa dokumente zyrtare qëndrimi në Francë? Rasti «tjetër» qe i një buje mediatike të papërmbajtshme. Kryetari i forumit rinor të UMP-së (e djathta në Opozitë në Francë), domethënë kolegu i ri i Nikola Sarkozisë, i vënë në atë post me vetë ndihmën e Sarkozisë, si një djalë me cilësi të rralla, rezultoi se ishte kamerunas klandestin në Francë. Partia e Le Pen-it, bëri namin kundra këtij skandali, por si rrallëherë e majta dhe e djathta franceze u bënë bllok, për të mbrojtur kamerunasin Stefan Kiki.Mund të jesh pa dokumente në Francë, por ky qe talent mbi të tjerët, Franca duhet të dijë t’i mbrojë këto talente. Dhe talenti i ri i radhës, edhe ai pa dokumente, quhet Armando Curra, shqiptar.

Sipas shkollës së tij profesionale në Saint-Etienne ku ai është formuar, Armandos duhet t’i jepet titulli “artizani-nxënës marangoz me i dalluari i Francës”. Problem! Ky titull honorifik, por i lartë në Francën që i bën reverancë (përkulje) profesioneve të dorës, ky kryetitull pra jepet nga dora vetë e Presidentit të Senatit Francez. Në prani të ministres franceze të Artizanatit, ceremonia është fiksuar këtë të mërkurë. Por si do të mundej që Senati të nderojë një klandestin, qoftë të talentuar, sidomos pas aferës se bujshme te kamerunasit? Senati vendos atëherë një "jo" të prerë për Armando Currin dhe ja komunikon vendimin të mirënjohurës “Shoqatë e punëtorëve më të mirë të Francës”, e cila shpall listën e medaljeve të arta. Në fakt i riu shqiptar, deri në moshën 18 veç, konsiderohej si minoren, dhe si i tillë mund të jetonte legalisht në Francë pa dokumente. Por sapo e kaloi këtë moshë, ai kishte marrë një letër nga prefektura që e “ftonte” të largohej nga territori francez.

Sot 19 vjeç, Armando akoma s’kishte arritur t'i marrë dokumentet e reja dhe ftesa për largim ishte ende në fuqi. Kjo i ka mjaftuar kryesisë së Senatit të anulojë medaljen për të, nga frika se mos bëhet skandal në media. Shumë i prekur nga ky poshtërim që i bëhet shqiptarit, drejtori i "Shoqatës së punëtorëve më të mirë të Francës", Bue-Vilomez kërcënoi se : “Vendimi i Senatit për të përjashtuar nga medalja një të ri që është formuar në një zanat, i cili po humbet në Francë është totalisht i pajustifikueshëm, prandaj ne kemi vendosur ta bëjmë vetë këtë ceremoni, enkas për Armando Currin pa ndihmën e Senatit dhe t’i japim medaljen e artë që e meriton”.

Mediet dhe senatorë francezë zmbrapsin Senatin, fitore për Armandon

Pas botimit të kësaj historie të pazakontë në një gazetë të vogël provinciale, mediet franceze hidhen mbi këtë aferë që vjen era “scoop” mediatik. A mund të tregohet Franca si skizofrene, duke respektuar talentet, por duke i poshtëruar ata që s’paskan dokumente? Kryesia e Senatit mbytet nga pyetjet e gazetarëve gjithë ditën e martë 3 mars (dje), 24 orë para ceremonisë. A do jetë Armando Curri i pranishëm për medaljen? Vetë kryetari i Senatit, Zherard Larshe u detyrua të shprehet për mediet pasi dosja mund të kthehej në një patate të nxehtë për imazhin e këtij institucioni prestigjioz. Në fillim ai vuri kabinetin e tij të jap deklarata duke ju përmbajtur ligjit me fjalët: “Vërtetë Senati nuk e ka për detyrë të vendosë kush nxënës-artizan e meriton medaljen, sepse kjo është kompetencë e shoqatës së artizanëve të rinj më të mirë të Francës. Por Senati e ka për detyrë të mos i hap derën një personi pa dokumente të rregullta qëndrimi në Francë për ceremoninë e dhënies së medaljeve fituesve”. Por mediet franceze nuk hoqën dorë. Kjo vjen era padrejtësi. Krah tyre vihen dhe dy senatorët e zonës ku është shkolluar Armando Curri (zona e Luarës).

Një lobing i madh vihet në lëvizje gjatë mëngjesit të djeshëm, që Senati dhe Ministria e Brendshme e Francës mos ta ndërmarrin një veprim kaq të padrejtë sipas tyre ndaj të riut shqiptar. Sipas senatorëve, mbrojtës së kauzës së Armando Curri, ky djalë legalisht nuk duhet konsideruar si me qëndrim ilegal në Francë. Kjo, pasi Armando ka hapur proces në Gjykatën Administrative të Lionit kundra vendimit të prefekturës që e detyronte të largohej nga territori francez. Dhe për aq kohë sa gjykata nuk është prononcuar, Armando Curri nuk mund të konsiderohet si në situatë jo të rregullt administrative. Situata po i dilte kështu jashtë kontrollit kryesisë së Senatit. Çdo vendim që do të merrte kryesanatori francez Zherar Larshe, pro apo kundra Armandos, do t’i kritikohej. Në ndihmë i vjen atëherë Ministri i Brendshëm, i cili urdhëron prefektin e Luarës, Fabien Sydri që t’i lëshojë me urgjencë Armando Currit pasditen e 3 marsit (dje), një leje qëndrimi të përkohshme tremujore. Kjo i heq "gjembin" kryetarit të Senatit pasi i lejon të presë këtë të mërkurë ballëhapur djaloshin shqiptar për t’i dhënë medaljen e më të mirit nxënës-marangoz të Francës.

Boks

"Kam një ëndërr"

Përtej Armandos, kjo është një fitore për të gjithë shqiptarët. Ne nuk jemi komb që përflitemi vetëm për anarki e mafia, por mbi të gjitha jemi njerëz që dimë të punojmë me talent e ndershmëri. Kur je i tillë dhe serioz i hap kudo vend vetes, ky është leksioni që na jep Armando Curri. Ai dhe të tjerë shqiptarë profesionistë, na shfaqen një ditë, pa e pritur dhe pa e pakuptuar, si ambasadorët tanë më të mrekullueshëm, siç janë Inva Mula, apo Tedi Papavrami, apo Ermonela Jaho, apo Angjelin Prejlokaj, apo Rene Rexhepi apo …deri tek i paarritshmi Kadare. “Kam një ëndërr” për të perifrazuar një amerikan të madh: ëndrrën që kryeministri Edi Rama të ishte i pranishëm në Sallën e Senatit Francez këtë të mërkurë, qafë për qafë me djaloshin Armando Curri. Sa i kotë dhe i largët do t’i dukej një Tom Doshi…

Bio

Emri: Armando Curri
Datëlindja: 19 vjeç
Vendlindja: Shqipëri
Vendbanimi: Francë
Pasioni: marangoz

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat