Vildane Zeneli: Po mendoj për një koncert në Shqipëri

Mediale Vip

Vildane Zeneli: Po mendoj për një koncert në Shqipëri

Më: 1 mars 2015 Në ora: 14:30

Suksesi nuk ka limit për bukuroshen me origjinë shqiptare Vildane Zenelin. Përveçse është modele me një karrierë të suksesshme në SHBA ajo po tenton të shkëlqejë edhe në muzikë. Ajo është e para shqiptare imazh i kufjeve të famshme, “Beats by Dre”. Ky ka qenë edhe shansi që kjo modele ka shfrytëzuar për të bërë realitet ëndrrën që ka patur gjithmonë, të këndojë. Me ndihmën e tekstshkruesit Andreas Carlsson ajo ka realizuar rreth 20 këngë, mirëpo asnjë prej tyre nuk është publikuar. Sipas Vildanes, publiku amerikan është shumë paragjykues dhe duhet të punosh shumë fort që të merresh seriozisht. Aktualisht ajo po merret me realizimin e klipit të këngës së saj të parë të titulluar “Dance me”. Kohë më parë ajo ishte protagoniste e këngës dhe videoklipit të këngëtarit Robin Thicke, “All Tied Up”, ndërsa aktualisht po tenton të shfaqet e vetme në projekte të reja me muzikë pop dhe rrok. Në planet e ardhshme nuk mungon as një vizitë në Kosovë dhe në Shqipëri, ku kryefjala do të jetë përsëri muzika.

Vildane, ju kemi parë gjithmonë si modele, kurse së fundmi mësuam, që pëlqeni edhe të këndoni. Por si lindi kjo dëshirë, çfarë raporti keni me muzikën?

Muzika ka qenë gjithmonë pasioni im, qysh nga kujtimet më të hershme të fëmijërisë. Gjithmonë kam dashur të bëhesha këngëtare. Unë këndoj gjatë gjithë ditës. Çdokush që më njeh mua mirë, e di se unë kam dashur gjithmonë të bëj muzikë. Unë besoj se çdo gjë kërkon kohë, edhe tani është momenti im për të bërë atë që dua më shumë. Kam qenë shumë e bekuar që kam pasur një karrierë të suksesshme si modele. Pavarësisht se tani po merrem me muzikë, nuk kam në plan asnjëherë që të heq dorë nga modelingu, por do të fokusohem më shumë edhe te muzika.

Kush ju shtyu që të ndiqni këtë pasion dhe të regjistroni muzikë në studio?

Është një histori e gjatë dhe për të qeshur. Shumë herë kur unë shkoja për të realizuar disa foto, këndoja midis pushimeve që bënim ndërmjet seteve fotografikë. I gjithë stafi që punonte me mua më thoshte se unë duhet të ndiqja karrierën si këngëtare. “Ti je një modele e mrekullueshme, por pasioni yt është muzika, e cila është e një niveli tjetër. Njerëzit duhet ta dëgjojnë këtë”, më thoshin ata. Unë i dija të gjitha këto, por isha shumë e zënë me modelimin, derisa nisa të punoj pranë “Beats By Dre”, ku kuptova dhe ndjeva se mund të ndiqja pasionin tim për muzikën. Kompania “Beats By Dre” ka si pronar Dr. Dre dhe Jimmy Iovine. Jimmy Iovine ka në pronësi “Interscope Records”, kompaninë më të madhe të regjistrimit në botë me disa nga artistët më të mirë si: Lady Gaga, Eminem, Gwen Stefani, U2, Lana Del Rey, Kendrick Lamar etj. Duke qenë se unë kam qenë imazhi i Beats, kam qenë pranë këtyre artistëve, të cilët më influencuan dhe më dhanë kurajën që të bëj diçka konkrete në muzikë. Unë nuk ua kam thënë kurrë Jimmy Iovine ose Dr Dre se kisha dëshirë të këndoja. Ata më njihnin mua vetëm si një modele të suksesshme, por nuk i dinin aftësitë e mia në të kënduar, sepse unë asnjëherë nuk ua kisha thënë. Rreth dy vjet më parë, diçka më shtyu dhe vendosa të telefonoj mikun tim të ngushtë, Andreas Carlsson, i cili është një nga tekstshkruesit më të mirë në Amerikë.

Pse pikërisht Andreas Carlsson?

Sepse ai është miku im dhe është shumë i talentuar. Ai është edhe anëtar i jurisë së X Factor në Suedi. Andreas gjithmonë ka dashur që unë të merrem me muzikë. Karriera e tij është e shkëlqyer. Ai ka shkruar disa nga hitet më të mira si: për N Sync këngët “Bye Bye Bye”, “It's gonna be me”, Celine Dion “I'm Alive”, Katy Perry “Waking Up in Vegas”, Britney Spears “Oops!.. I Did it Again” dhe shumë të tjera. I telefonova atij dhe i thashë se doja të punoja në studion e tij. Ai nuk më pyeti për asgjë, thjesht më tha se për këtë duhet që të shkoja në Suedi, sepse ai ishte atje duke punuar për X Factor. Unë sigurisht që pranova. Preva biletën e avionit dhe udhëtova drejt Stokholmit ditën tjetër. Brenda gjashtë ditëve ai shkroi, prodhoi dhe regjistroi gjashtë këngë për mua. Unë nuk bëra asgjë tjetër ato ditë vetëm qëndroja në studio dhe punoja për këngët pa pushim. Shkoja në hotel vetëm për të fjetur dhe kthehesha sërish në studio për të regjistruar në mëngjes. Nuk mund ta besoj atë që ne bëmë. Nuk ishte një këngë, por gjashtë. Unë nuk kisha regjistruar asgjë paraprake më parë. Ky ishte fillimi.

Çfarë planesh keni për të ardhmen?

Në planet e mia të ardhshme kam dëshirë që shumë shpejt të realizoj diçka në Kosovë dhe në Shqipëri. Planet e mia të ardhshme lidhen kryesisht me muzikën, por do të na duhet të presim derisa gjërat të jenë gati për të ndodhur.

Kur do të bëhen publike këngët?

Nuk e di se kur do të jetë publike kënga e parë, sepse ende nuk kam vendosur një datë të saktë. Kam bërë publike vetëm 15 sekonda nga klipi i saj. Kënga me titull “Dance me” është krijuar për publikun amerikan dhe fillimisht do ta publikoj këtu. Kënga është në anglisht dhe është kompozuar nga Jonas Saeed. Teksti flet kryesisht për një argëtim të çmendur të një historie dashurie. Kjo është kënga pop, ndërsa pjesa tjetër e këngëve të mia janë plotësisht ndryshe. Ato kanë elemente të thella rroku. Kam punuar rreth 20 këngë, por besoj se nuk do t’i publikoj të gjitha. Kjo është pjesë e një procesi. Ti regjistron disa nota të këngës dhe më pas përzgjedh ato që mendon se kanë potencial për t’u bërë hite.

Ju mendoni që këngët t’i publikoni me videoklipe?

Po. Aktualisht jam duke punuar mbi një klip xhirimet e të cilit po bëhen në Los Angelos. Puna për të nuk ka përfunduar ende.

“Duhet shumë punë që publiku të të vlerësojë”

Pse nuk po i publikon këngët e punuara?

Sepse gjërat nuk funksionojnë si në Evropë, këtu në Amerikë është pak ndryshe. Ti nuk mundet që sapo ta regjistrosh një këngë ta publikosh atë. Në rastin tim, unë jam një modele që kurrë më parë nuk jam marrë me muzikë, që do të thotë se njerëzit më njohin si një modele, jo si një këngëtare. Askush nuk të merr seriozisht, nëse e dinë që gjithë jetën ke punuar si modele dhe nuk të kanë dëgjuar asnjëherë më parë të këndosh. Publiku është shumë paragjykues ndaj që të provosh veten si artist, duhet që të realizosh një punë vërtet të mirë që njerëzit të duan ta dëgjojnë, ta duan, ta blejnë dhe ta vlerësojnë atë. Për mua është shumë e rëndësishme që njerëzit të më marrin seriozisht dhe të mos mendojnë se unë jam thjesht një modele, që po provoj të bëj muzikë. Dua që muzika ime të flasë për veten e saj. Unë dhe stafi im i punës po tregohemi shumë të kujdesshëm në atë se çfarë duam që të publikojmë. Ky është një proces që do të ndodhë. Shumë artistë shpenzojnë një vit, dy ose më shumë duke punuar për një album. Kjo është ajo që artistët e vërtetë bëjnë dhe që kujdesen për punët e tyre. Punët e mira nuk bëhen brenda ditës.

Cilin këngëtar botëror pëlqeni më shumë. A keni një prej tyre model?

Sia është padyshim artistja më e preferuar për momentin. Pëlqej shumë edhe Rihanën. Ajo ka një zë super seksi, ajo është seksi në gjithçka. Ndërsa si model nuk marr askënd. Nuk dua të bëhem si askush tjetër. Dua të kem stilin tim dhe mënyrën time të të kënduarit. Tonaliteti është shumë i rëndësishëm, një nga arsyet pse gjithë këta njerëz janë të interesuar që të punojnë me mua është për shkak të tonalitetit të zërit tim. Ata mendojnë se është unik dhe i ndryshëm, çka më bën mua të veçantë, që mos të krahasohem me artistë të tjerë. Kjo është diçka e këndshme, sepse unë nuk dua që njerëzit të thonë se muzika ime ngjan me të Rihanës, të Alicia Keys, Christina Aguilera-së apo çfarëdolloj artisti tjetër. Unë i respektoj dhe i pëlqej shumë këta artistë të mëdhenj, por tashmë ekziston një Rihanna, një Alicia Keys dhe një Christina Aguilera, edhe nuk është bukur që t’i ripërsëritim dhe kopjojmë. Në fakt asnjëherë nuk do të zëvendësohen pasi janë ikona. Mua më pëlqen fakti që njerëzit me të cilët punoj dhe bëj muzikë mendojnë se kam në tonalitet të mirë zëri. Nëse dëshiron të jesh dikush tjetër, kjo tregon mungesë krijimtarie dhe vetëvlerësimi. Aq më shumë sa do të tentosh të bëhesh dikush tjetër, aq më i papëlqyer dhe i pavlerësuar nga publiku do të jesh. Jo faleminderit! Unë preferoj të jem origjinale, cilido që të jetë rezultati i mirë apo i keq. Unë jam njeri që punoj shumë dhe jam shumë e thjeshtë. Kështu më pëlqen mua të jem. E bëj punën për të arritur sukses, nuk vdes për famë.

Po muzikën shqiptare a e ndjek?

Nuk e njoh gjithë muzikën shqiptare, por njoh atë pjesë të muzikës që bëjnë artistë, të cilët janë miqtë të mi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat