Këngëtarja Soni Malaj është bërë imazh i firmës së orëve të dorës “Daniel Wellington”. Këtë e ka bërë të ditur së fundmi, vetë artisja shqiptare përmes rrjetit të saj social Instagram. Këngëtarja ka postuar një foto në të cilën tregon fotografinë e realizuar për firmën e njohur “Daniel Wellington”, duke bërë me dije se tashmë ajo është një nga imazhet e kësaj firme. Ndërkaq Soni, ndër të tjera ka treguar se këtë vit do të jetë shumë aktive, nëpërmjet bashkëpunimeve në fushën e muzikës, këngë të cilat do ta sjellin krejt ndryshe.
Kështu që mesa duket, bashkëpunimet për të nuk do të kenë të ndalur. Ka vetëm pak kohë që ka hedhur në treg video-klipin “Tulipani i Bardhë”, një bashkëpunim ky me këngëtarin libanez, Saad Ramadan. Kënga shoqërohet nën ritme të fuqishme të muzikës dance. Soni ka lajmëruar se, së shpejti këtë këngë do ta sjellë edhe në versionin anglisht. Mirëpo ky prezantim i saj për publikun, duket se është vetëm fillimi, pasi gjatë këtij viti ajo do të jetë shumë aktive në skenë. Këngëtarja ka thënë se nuk ka pranuar të jetë në netët “live” në jurinë e “X Factor Albania” këtë vit, pasi vrulli dhe angazhimet e saja janë të shumta në muzikë.
Ajo ka qenë për tre vjet me radhë pjesë e jurisë së këtij spektakli. Në medie të ndryshme kanë dalë fjalë se Soni do të vijë së shpejti me një duet me këngëtarin Young Zerka. Ky bashkëpunim pritet që të jetë shumë ndryshe, nga ajo që e kemi parë deri më tani këngëtaren Soni Malaj. Këtë e tregon edhe bashkëpunimi me këngëtarin origjinal të muzikës rege Young Zerka. Përveç karrierës artistike duket se Malaj, po kujdeset shumë edhe për look-un e saj. Ajo ka publikuar shpeshherë fotografi, duke u ushtruar në palestër. Performanca e fundit në spektaklin “Dance with me”, ku suportoi mikeshën Rozana Radi, tregoi më së miri linjat perfekte të këngëtares.