Grimierja që zbukuron gjithë vip-at shqiptarë

Mediale Vip

Grimierja që zbukuron gjithë vip-at shqiptarë

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 15:22

Padyshim të gjithë e kanë parë punën e saj, kur hapin televizorin apo kur shohin fotot e personazheve më të njohur të skenës. Nëse hap faqet sociale të emrave më të njohur të vipa-ve shqiptarë, poshtë fotove të tyre do të jetë patjetër emri i saj. Pasioni për pikturën, artin dhe të bukurën e bëri atë të kalojë një jetë mes vajzave të ekranit dhe duke iu nxjerrë në pah bukurinë. Është fjala për Lili Ismailin, make up artisten më të njohur në Shqipëri. Nuk ka personalitet të muzikës, modës apo politikës që nuk është zbukuruar nga duart e saj. Me eksperiencën e saj 30-vjeçare mes ngjyrave dhe kozmetikës, Lili ka arritur të mësojë shumë në këtë fushë. Nga lapsi dhe kremi “Bukuria” dikur deri te produktet nga më të sofistikuara dhe moderne të kozmetikës sot, Lili ka arritur të nxjerrë më të bukurën e çdo portreti, duke e mbajtur në linjat e klasikes dhe natyrales. Në një intervistë për “Shekulli”-n ajo tregon detaje nga profesioni i saj i gjatë, eksperiencat në ekran mes artistëve si edhe detaje nga jeta e saj familjare.

Zonja Lili, si lindi pasioni për të nxjerrë në pah të bukurën te femrat?

Qysh kur isha e vogël më pëlqente shumë të pikturoja. Me dorë të lirë pikturoja kryesisht portrete. Kam marrë shumë nga nëna ime. Ajo ishte mësuese, por qepte edhe stilonte rroba. Ndërsa unë në atë kohë merresha me kukullat duke iu rregulluar flokët dhe duke iu qepur rroba. Të futesha në botën e salloneve të bukurisë ka qenë një rrugë e nisur vetëm nga pasioni. Fillimisht nuk kam pasur asnjë kurs apo trajnim, thjesht pasionin për ta bërë këtë punë. Pastaj me kohën kam bërë specializime dhe trajnime jashtë vendit, në Greqi, Itali dhe ShBA. Si kanë qenë hapat tuaj të parë? Unë jam vajzë Elbasani, që më vonë u martova në Tiranë. Kur isha në Elbasan kam filluar punë në ato floktoret shtetërore që ishin atëherë. Më pas kur erdhi demokracia dhe u martova në Tiranë, kam hapur sallonin tim të parë privat. Të hapje një biznes në ato kohë ishte shumë e vështirë. Kam qenë licenca e tretë në gjithë Shqipërinë. Më pas kam shkuar në Greqi, Itali dhe në Amerikë ku jam kam marrë eksperiencë dhe jam trajnuar nga emra të njohur për grim që preknin yjet botërorë.

Si ndodhi kalimi nga salloni privat në studiot e grimit në televizione dhe evente?

Kam punuar shumë fort për vite me radhë për të arritur diku. Në vitet e para të demokracisë së bashku me një mikeshën time hapëm një sallon të vogël. Puna e mirë dhe serioze që bënim i solli artistët te ne. Mua më ka ndihmuar edhe fati, pasi kur erdha në Tiranë takova njerëzit e duhur. Kam pasur shansin të punoj me Vera Grabockën. Ajo më hapi edhe dyert e televizionit. Lidhjet e para me televizionin i krijova falë bashkëpunimeve me Vera Grabockën në miset e para që u zhvilluan në Shqipëri dhe me spektaklet televizive.

Cila ka qenë puna më emocionuese e gjithë këtyre viteve?

Në këtë profesion emocione ka plot. Kur në sallon vjen dikush që nuk është i prekshëm nga të gjithë dhe ka një emër sigurisht që është emocion dhe vlerësim. Këta personazhe kanë mundësinë për të shkuar kudo, dhe mes gjithë këtyre alternativave më zgjedhin mua. Shumë emocionuese janë punët si me artistët dhe me politikanët. Kam pasur rastin që disa prej tyre t’i kem zbukuruar edhe nuse.

Në kompleksitetin e trajtimeve që mund të bëhen në një sallon, cila është puna që ju keni më përzemër?

Padyshim grimi. Kam preferuar ta përzgjedh klientelën për të punuar me njerëz që e kuptojnë më mirë punën që unë bëj dhe i japin rëndësinë e duhur asaj.

Cilat janë ngjyrat me të cilat luan?

Në përgjithësi jam në stilin klasik dhe jo të ekzagjeruar. Më pëlqen më shumë bukuria natyrale dhe jo e ekzagjeruar. Në grim jam detajiste dhe i kushtoj shumë rëndësi edhe gjërave të vogla. Në portret asgjë nuk duhet të bërtasë fort.

Çfarë këshille do t’ju jepni vajzave si profesioniste në fushën e grimit?

Të përpiqen që lëkurën dhe flokët t’i trajtojnë për t’i patur sa më të shëndetshëm. Nuk ka nevojë për flokë të shtrirë me piaster, thonj të gjatë apo ngjyra të forta për të qenë e bukur. Edhe një këshillë tjetër shumë e nevojshme është që në kohën e duhur të bëjnë grimin e duhur.

“Përveç se një grua në karrierë kam zgjedhur të jem dhe nënë e përkushtuar”

Pavarësisht orëve të gjata në punë, pas kuintave të spektakleve të ndryshme, make up artistja, Lili Ismaili, gjen kohë për t’iu përkushtuar familjes. Ajo prej 25 vjetësh është e martuar dhe ka dy fëmijë binjakë, një djalë dhe një vajzë. Megjithëse ata kanë shtatë vjet që janë zhvendosur në Itali për të kryer studimet, ajo gjithmonë gjen kohë për t’iu ndenjur pranë. “Familja dhe fëmijët janë gjithçka për mua. Jam përpjekur që të gjej kohë për të qenë pranë tyre, si kur ishin të vegjël edhe tani. Djali, Mario mbaroi për Menaxhim Biznesi dhe unë e kam ftuar në Shqipëri për të më dhënë atë që më menaxhojë punët e mia. Ndërsa vajza, Anila studion për Arkitekturë dhe besoj se do të jetë një arkitekte e zonja”, u shpreh ajo. Raportin e ngushtë që ka Lili me të bukurën dhe me artin në përgjithësi, e ka trashëguar edhe e bija Anila.

Që fëmi- jë asaj i është dashur të rrijë në sallonin e nënës duke parë shumë vajza që zbukuroheshin. “Mbaj mend kur vajza kishte mbrëmjen e maturës nga ngarkesa që ishte në sallon ajo u rregullua e fundit. Por, përballë saj unë asnjëherë nuk jam ndjerë në stres, sepse ajo ka shumë shije dhe di ta shfaqë bukurinë e saj, edhe pa ndihmën time”, u shpreh ajo. Sipas saj puna në sallon është e përgjithësisht e lodhshme, por edhe e bukur, sepse të jep liri të krijosh. “Pa modesti them që unë bëj një gjë që e bëjnë të gjithë. Nëse unë kam këtë emër sot, kjo vjen si pasojë e viteve që unë kam në këtë profesion. Ajo që unë ju them klienteve me shumë siguri është që nga salloni im ato nuk do të dalin të shëmtuara. Unë nuk do e prish bukurinë e tyre. Një defekt në tipare unë mund ta mbuloj ose ta fsheh, por vetëm kaq. Ky është i gjithë sekreti. Dhe sigurisht pas gjithë këtij përkushtimi fshihet vetëm pasioni për ta bërë këtë punë sa më mirë pa ndjerë lodhje”, u shpreh Lili. Jeta mes produkteve kozmetike e ka bërë atë të bëjë pothuajse gjithmonë grim. “Kam një lëkurë të bardhë në të verdhë, që në qoftë se nuk bëj tualet dukem si e sëmurë, ose si e lodhur. Brenda pak minutave, pasi bëj grim fytyra ime ndryshon dhe duket më me dritë”, tregon ajo.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat