Turjan Hyska: Çdo moderator e do festivalin në CV

Mediale Vip

Turjan Hyska: Çdo moderator e do festivalin në CV

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 10:03

Turjan Hyska është i përzgjedhuri i produksionit për të qenë përkrah Floriana Garos dhe Liberta Spahiut në Festivalin e Fundvitit. Moderatori i ‘Vizion Plus’ rrëfen hezitimet që pati deri në momentin që i tha po ftesës së organizatorëve. Sipas Turit Festivali i RTSH është shumë më tepër se një program televiziv. “Është histori, traditë dhe mbi të gjitha pasuri kombëtare’, shprehet në intervistën e dhënë për “Bluetooth”. Flet dhe për raportet që ka me dy koleget e tij në skenë, ku shprehet i lumtur që është mes tyre dhe i vetmi problem është gjatësia, që do ta penalizojë përkrah dy bukurosheve.

Turi si ju erdhi ftesa për të qenë moderator i festivalit të RTSH?

Nga Shpëtim Saraçi(drejtori artistik), Bledi Laço (regjisori)dhe drejtori i RTSH-së, Martin Leka.

A patët ndonjë moment hezitimi për t’i thënë po këtij projekti?

Në fakt dhjetorin e kam gjithmonë me shumë impenjime, për hir të prodhimeve të shumta në ‘Vizion Plus’, por me suportin e drejtorit të përgjithshëm të ‘Vizion Plus’ ven?dosa ta pranoj ftesën. Duke vlerësuar faktin që Festivali i RTSH-së është një event që çdo moderator dëshiron ta ketë në cv. Stafi artistik më pëlqen shumë sivjet kështu që mendoj që do të realizojmë diçka që publikut do t’i pëlqejë.

Çfarë mendoni se do të sjellë ndryshe ky vit me pjesëmarrjen tuaj në këtë kompeticion?

Festivali i RTSH-së ka një fizionomi të tijën që s’mund ti ndryshohet lehtë, por bashkë me stafin dhe dy bashkëprezantueset do të mundohemi t’i japim energji dhe freski. Fundja jemi tre prezantues të rinj në moshë!

I keni dëgjuar këngët në prova, si ju duken këngëtarët, a janë të denjë për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurosong?

I kam preferencat e mia, por s’më lejohet të shprehem. Di që do të ketë garë të fortë!

A do të përfshiheni në këtë festival dhe me idetë tuaja personale, t’i jepni diçka nga vetja?

Ajo që më pëlqeu nga takimi i parë me stafin artistik ishte dëshira për të punuar në grup dhe për të pranuar ide të reja. Megjithatë po them që në këtë projekt unë jam thjesht në rolin e moderatorit dhe jo autor.

Sipas jush, çfarë i ka munguar Festivalit të RTSH deri më sot?

S’di të them…

Edhe pse një kompeticion profesionistësh, nuk është shumë i ndjekur nga moshat e reja, pse mendoni se ka ‘çaluar’ Festivali i RTSH tek kjo pjesë?

Mendoj që ky festival është shumë më shumë se një program televiziv, është histori, traditë dhe mbi të gjitha pasuri kombëtare! Trendet ndryshojnë, festivali mbetet festival!

Mendoni se zgjedhja e moderatorëve të rinj dhe të suksesshëm për publikun është një truk i organizatorëve për të thithur dhe shikuesit e rinj?

Kjo pyetje i takon t’u bëhet organizatorëve, vetëm ata mund ta japin një përgjigje të saktë përsa i përket zgjedhjes sonë.

‘I bekuar’ mund të quhesh mes Libertës dhe Florianës, ndjeheni i tillë?

Sigurisht! Gjithmonë kam qenë për bashkim kombëtar. Më pëlqen shumë përzgjedhja e vajzave.

I njihni më herët vajzat, keni patur një mendim për aftësitë e tyre si moderatore, ndonjë kritikë?

Sigurisht që i kam ndjekur dhe kam një mendim për të dyja, por do t’ua them në privat se nuk i dihet si reagojnë.

Si ndjeheni që jeni mes dy femrave bukuroshe, por edhe shumë të gjata?

Ky po është problem. Qafa ime do të stërvitet goxha këto ditë. Me zor nuk do të zgjatem, s’kam ç’bëj.

Ju ka kompleksuar ndonjëherë gjatësia, duke qenë se edhe partnerja juaj, Orinda është shtatlartë?

(Qesh) S’jam aq i shkurtër sa të kompleksohem, por të them të drejtën dhe po të isha 1.90 s’do të ishte keq! Zoti na bekon në një formë ose një tjetër kështu që rehatohemi me këto që kemi.

Keni provuar se dini të bëni shumë gjëra në televizion, çfarë ju ka mbetur tjetër pa bërë?

Në fakt Radio s’kam bërë kurrë dhe më vjen shumë inat për këtë.

Për shembull duke përfituar nga skena, kur do ta shikojmë Turin të këndojë?

Nuk e di. Është vendim grupi ky.

Meqenëse jemi në atmosferë festivalesh, e ndoqët Këngën Magjike, po performancën e Orindës?

Gjithë qejf! Më pëlqeu gjithçka për hir të së vërtetës.

Prej shumë vitesh në një marrëdhënie, kur do të martoheni ju dhe Orinda?

Atë ditë që ju do e nxirrni në gazetë.

Si do t’i kalojë festat Turi, preferoni festat familjare apo ato të çmendurat me shoqërinë?

Për mua mjafton të ketë festë, pak rëndësi ka se si do festohet.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat