Jeta nuk është show bizz, sot për nesër

Mediale Vip

Jeta nuk është show bizz, sot për nesër

Më: 20 dhjetor 2014 Në ora: 18:39

Ajo është më shumë se e bukur. Ka një mënyrë të sajën me të cilën prezantohet në ekran. Liberta Spahiu, bukuroshja që bën emisionin më të ndjekur të show bizz-it në Kosovë, është lançuar edhe si një ndër prezantuesit e Festivalit të 53-të në Televizionin Publik Shqiptar. Se sa frytdhënëse pritet të jetë ky bashkëpunim, edhe se sa thjeshtë do të vijë kjo eksperiencë tek ajo, Liberta na e rrëfen në intervistën për gazetën “Shekulli”, se është shumë e gatshme për të bashkëpunuar edhe me dy prezantuesit e tjerë, Floriana Garon, edhe Turjan Hyskën. Përpos të tjerave, e guximshmja Liberta Spahiu rrëfen edhe për botën e spektaklit në Kosovë edhe në Shqipëri.

Liberta, jeni përzgjedhur për të prezantuar Festivalin e 53-të Radio Televizionit Publik Shqiptar. Si e keni pritur këtë ftesë?

Ai që ma bëri ftesën për të prezantuar ishte Martini, drejtori i Televizionit Publik Shqiptar, i cili qysh në fillim më ka lënë përshtypjen e një njeriu me shumë humor. Ishte i lehtë dhe komunikues. Nuk ishte njeri që mund të kapej me gjëra të kota, por kishte ide të menduara mirë. Përveç prezantimit në festival, duhet dikush edhe që të bën për vete që të pranosh diçka. Ai kishte rrugën e duhur për komunikim. E pranova me kënaqësi dhe lehtësi. Natyrisht me pak frikë, sepse për mua kjo është hera e parë në prezantimin e një festivali të tillë, por nuk besoj se ka apo do të ketë ndonjë problem. Varet se si do të përmbushet mozaiku i festivalit. Skenari, veshja dhe bashkëpunimi me siguri do të shkojnë më së miri. Unë jam gati.

A ka qenë prezantimi i një festivali në ambiciet tuaja?

Të them të drejtën, jo. Por prindërit e mi, të cilët kanë jetuar me Festivalin e RTSH-së për një kohë të gjatë kanë pasur gjithnjë dëshirë që të më shihnin në një prezantim të tillë. Dhe unë kam kënaqësinë që të jem pjesë e një festivali, i cili ka qenë pjesë e shtëpisë sime, dikur.

Jeni moderatorja e emisionit më të ndjekur të show bizz-it shqiptar. Sa e rëndësishme është të bashkëpunoni me ata që nuk duken për shumë arsye në ekranin e televizionit?

Unë nuk grindem. Unë jap qëndrime, marr vendime. (qesh) Po bëj pak shaka, ndoshta edhe për të rrëfyer pak “modesti”, sepse në të vërtetë unë mendoj se, jam shumë bashkëpunuese edhe shumë e këndshme me njerëzit që punoj. Madje për mua ata janë kthyer në miq. Jam po aq e këndshme sa me miqtë e mi edhe në punë.

Sa bashkëpunuese pritet të jeni me Floriana Garon dhe Turjan Hyskën. A njiheni me ta?

Besoj se gjithçka është në rregull, që tani. Kështu që, mendoj gjithashtu se gjithçka do të jetë në rregull. Jam e bindur që të tre së bashku do të bëjmë më të mirën për festivalin e fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar.

Është hera e parë që do të prezantoni në Shqipëri dhe me siguri nuk do ta keni të vështirë të shkëlqeni. A do t'i prisni me më shumë prioritet ftesat profesionale që ju vijnë nga Tirana?

Natyrisht që jam rritur profesionalisht me njerëzit nga Tirana. Kam punuar me Armand Shkullakun pesë vjet dhe kam pasur kënaqësinë që të mësoj shumëçka nga bashkëpunimi profesional. Prandaj unë edhe me njerëzit nga Shqipëria e kam nisur karrierën dhe nuk është çudi që të bashkëpunoj me ta.

Kosova apo Shqipëria prodhon më shumë histori show bizz-i?

Unë dëshiroj që t’i them të gjitha fytyrave publike dhe sidomos femrave, që të kalojnë pak kohë në show bizz, se aty fillojnë të ndërtojnë shijen e parë, e pastaj dalin edhe emrat e mëdhenj. Mos shikoni shumë gala mbrëmje të Oscarit, se ajo është një tjetër botë, një botë e televizorit që është edhe pak larg nesh. Është vetëm për shikim relaksues, ku gara e vërtetë nuk është vetëm për film, por edhe për mënyrën e veshjes dhe të paraqitjes së asaj çfarë duan të thonë këto personazhe, apo të përcjellin në mediet e të gjithë botës.

Kjo botë vlen edhe për dashuritë, edhe për raportin me prejardhjen, edhe për jetën e vështirë që keni pasur, edhe për familjet që janë të shkolluara dhe të pashkolluara. Jeta nuk është sot për nesër. Ajo ndërron. Herë bëhet më e bukur, edhe herë më e keqe. Shijoni atë më të bukurën dhe të keqen e saj, por jeta nuk është show bizz.

Pse mendoni se Kosova ka më pak festivale, ndërkohë që ne numërojmë 3 të tillë?

Sepse ne kemi jetuar më pak me Italinë dhe me festivalet. Te ne, Rock-u është finesë dhe jo festivali i muzikës. Pra, ne na ka munguar një traditë festivalesh ndaj edhe jemi pas në këtë pikë.

Si e shihni përfshirjen e të rinjve nga Kosova në talent show-t, edhe festivalet e Shqipërisë?

Është betejë e tregut të gjuhës dhe jo vetëm e këngëve. Tregu i Shqipërisë dhe Kosovës tashmë mund të konsiderohet një treg.

Bio

Liberta Spahiu ka lindur në 4 janar të vitit 1985. Ka lindur në kryeqytetin më të ri në botë, në Prishtinë. Është prezantuesja e emisionit më të ndjekur sa i përket show bizz-it në Kosovë, edhe në Shqipëri. Çdo javë ajo hap dyert për të na informuar me të rejat më të fundit, që vijnë nga bota e yjeve tanë duke përcjellë intervista, reportazhe pikante dhe thashetheme. Liberta është bërë pjesë e televizionit edhe për faktin se ajo ka një fizik të shkëlqyer. Ka provuar më parë edhe të jetë pjesë e modës, sepse parametrat i ka shumë të mira. Është 172 centimetra e gjatë dhe peshon vetëm 52 kilogramë. Ngjyrën e syve, ashtu si edhe të flokëve i ka si një kafe që anon drejt çokollatës. Ndoshta nuk ka asgjë të veçantë, por gjithçka i kombinohet bukur me gjithçka.

Personazhe me emër të RAI-t vijnë në Shqipëri për festivalin

Turjan Hyska, Floriana Garo dhe Liberta Spahiu, është treshja e përzgjedhur nga organizatorët për të drejtuar Festivalin e 53-të të Këngës në RTSh. Hyskaj vjen në skenën e këtij festivali, pas një përvoje të suksesshme si në muzikë ashtu edhe në gazetarinë televizive. Ndërsa Floriana Garo dhe Liberta Spahiu, vijnë nga bota e modës edhe e spektaklit. Organizatorët e festivalit thonë se treshja e përzgjedhur për të drejtuar ngjarjen më të rëndësishme muzikore të fundvitit, do të jetë një befasi e këndshme për publikun.
Ndërkohë është bërë e ditur se Bledi Laço do të jetë regjisori i Edicionit të 53-të të Festivalit në RTSH. Kjo është hera e parë që ai drejton një festival të tillë. Laço tha se edhe pse skena shqiptare ka plot festivale të muzikës, stafi po mundohet ta realizojë Festivalin e sivjetshëm të RTSH-së, duke përdorur një platformë regjisoriale tërësisht origjinale. Kjo do të behët e mundur edhe nga bashkëpunimi me disa artistë italiane të njohur në fushën e skenografisë. Skenografia e festivalit i është besuar Patrizia Bocconit, ndërsa Marcelo Lazzeti do të jetë drejtor fotografie. Të dy janë personazhe me emër dhe me karrierë në RAI dhe jo vetëm.
Prej dy javësh Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar publikoi emrat e këngëtarëve dhe zërat shoqërues, por ata ende po punojnë për të vendosur detajet përfundimtare të 26 këngëve të Festivalit të 53-të të këngës në RTSH. Alfred Kaçinari, i cili është edhe një nga producentët muzikor të festivalit është shprehur se, shumë shpejt të gjithë artistët dhe stafi i festivalit do të zhvendosen në skenën e Pallatit të Kongreseve. Deri dje ata ende ishin duke i zhvilluar provat në sallën e Orkestrës së RTSH-së. Ai ka nënvizuar edhe vlerën që ka larmia e orkestracioneve këtë vit, së bashku me performancën skenike të artistëve. Ndryshimi i sivjetshëm i Festivalit të 53-të të Këngës në RTSH do të jetë edhe transmetimi i tij në High Deffinition, i cili do t’i rriti më shumë vlerat./Shekulli

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat