Orinda: Për ne kishte shumë rëndësi mendimi i Dr. Florit, këngët kalonin një herë nga ai

Mediale Vip

Orinda: Për ne kishte shumë rëndësi mendimi i Dr. Florit, këngët kalonin një herë nga ai

Më: 23 nëntor 2014 Në ora: 10:38

Një ditë para se të humbin mikun dhe bashkëpunëtorin e tyre në muzikë, Dr. Florin, ata konkurruan në “Kënga Magjike” me këngë të gëzuar. Orinda Huta dhe Landi Hysi i “West Side Family” sollën në “Kënga Magjike” muzikën ritmike të vëllait të Dr. Florit, Albanit. Orinda thotë se për ta kishte shumë rëndësi mendimi i Florit, dhe se kur binte fjala për bashkëpunim me të, mendonin gjithmonë “kemi kohë”.
Muzikë ritmike për “Kënga Magjike”. Pse ky ndryshim 360 gradë që nga dalja e fundit para pesë vitesh me “Oqean”?
“Oqean” ishte përjashtim. Në “Kënga Magjike” gjithnjë jam shfaqur me këngë ritmike. Duke qenë se ky vit mund të konsiderohet si viti i baladave të bukura, bashkë me Albanin vendosëm që nëse riktheheshim në “KM”, duhet ta bënim me ritëm. Ai e kompozoi në vitin 2010 këngën, por e kishim lënë mënjanë, sepse na duhej një bashkëpunëtor i mirë.
Kishte vënë dorë Dr. Flori te kjo këngë?
Flori e kishte dëgjuar motivin vite më parë. Nuk e kishte dëgjuar të përfunduar, pasi ndodhi shumë shpejt. Të dielën mbrëma e pyetëm Albanin nëse Flori e dëgjoi këngën, por na tha se nuk kishte patur mundësi t’ia tregonte dhe se do e bënte sapo ta takonte. Për ne kishte shumë rëndësi mendimi i Florit. Gjithnjë ka qenë ai që na jepte mendimin troç për këngët. “Ia keni fut kot!- thoshte (e ne qeshnim). “Po çfarë s’të pëlqen?-e pyesja. “Asgjë moj s’më pëlqen, nuk e kupton publiku. Ti për ata i bën këngët”. Ose “këtë të fundit e ke qarë…”, thoshte. E kështu vazhdonte dhe nuk i shteronte kurrë energjia.
Kishit planifikuar ndonjë bashkëpunim me të?
Plane për bashkëpunim kishim, por gjithnjë thoshim “kemi kohë” ose duhet të bëjmë një këngë të fortë me mesazh dhe ta krijojë Flori.
Me ty rikthehet dhe Landi i “West Side Family” në skenë. Pse bashkë?
Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin dhe e kam pasur në planet e mia, që të realizoja bashkëpunim të stilit R&B me Landin. “Winnie Pooh” kishte nevojë për një vokal që këngës të mos i binte ritmi asnjë moment, ndaj Landi ishte zgjedhja ideale. Ky bashkëpunim me të nuk besoj që do të jetë i fundit. Shumë shpejt bashkë do të realizojmë një tjetër këngë.
Duket se i ke lënë mënjanë baladat këto kohë. Ka lidhje me gjendjen tënde shpirtërore?
Unë kam shumë pak balada në repertor. Nga 25 këngë, numërohen rreth 3 balada. Ndihem mirë në këngët me ritëm, edhe pse mund të kenë vështirësi më të madhe në arritjen e suksesit. Gjithsesi, asgjë nuk e bëj pa e menduar gjatë. Para se të publikojmë një këngë apo video me bashkëpunëtorët e mi, ngremë pyetje. Përpiqemi ta pozicionojmë veten si publik dhe mendojmë komentet që mund ta shoqërojnë projektin e radhës. E sa për “Winnie Pooh”, deri më tani nuk jam çuditur nga komentet.
Ke disa bashkëpunime me djem të muzikës, por ende jo me Turi Hyskën, partnerin tënd në jetë. Pse?
Nuk është në planet e mia bashkëpunimi me Turjanin. Megjithatë “kurrë, mos thuaj kurrë!”.
Duke u rikthyer prapë tek “Oqean” dhe fustani madhështor, kësaj here zbulon këmbët. Trup i tonifikuar, në ç’mënyrë?
Palestër, palestër dhe vetëm palestër. Kam një super instruktore, Ornela, e cila kujdeset për mua. Përpiqem shumë që të rregulloj edhe ushqimin, por oraret e punës kurrë nuk më kanë ardhur në ndihmë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat