Flet gruaja e Dr Florit: Vuajti faktin që djali i sapolindur është i sëmurë

Mediale Vip

Flet gruaja e Dr Florit: Vuajti faktin që djali i sapolindur është i sëmurë

Më: 20 nëntor 2014 Në ora: 18:21

Blerina, bashkëshortja 29 vjeçare e Dr. Florit, (Florian Kondi), bën apel që të mos insistohet te konsumimi i drogës si shkak i vdekjes së këngëtarit.
Ajo ka lëshuar një apel, për sa u përket publikimeve të detajeve paraprake që u mësuan nga Mjekësia Ligjore, por edhe nga shërbimet e tjera spitalore, ku të gjitha shenjat tregonin që ai kishte konsumuar kokainë dhe shkaku i atakut kardiak ishte overdoza. Blerina kërkon të mos i mëshohet këtij versioni, pasi, Flori kishte disa kohë që nuk konsumonte drogë. Blerina është shprehur se Dr. Flori po e vuante së tepërmi gjendjen e rënduar shëndetësore të djalit të tij të lindur rreth dy muaj më parë në një spital privat në Tiranë dhe shtoi kjo situatë mund të ketë ndikuar në atakun kardiak. Në dëshminë e saj për efektivët e Komisariatit Nr. 2, ajo është shprehur se gjatë orëve të para të mëngjesit i kishte dhënë qetësues Floranit, por ende nuk dihen detajet e tjera për orët paraardhëse, para se të shfaqej përkeqësimi i shëndetit. Hetimet për ndihmën Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria e Tiranës mori në pyetje shefin e shërbimit të Urgjencës në Tiranë, Naim Lusha. Nga burime pranë prokurorisë mësohet se ai ka mohuar neglizhencën nga ana e tij apo personelit mjekësor. Më tej, Lusha shpjegoi linjën standarde të punës së këtij shërbimi Urgjence, ndërsa për rastin konkret u shpreh se fillimisht ka shkuar një grua që ka kërkuar ndihmë nga mjekët dhe personeli mjekësor kërkoi që ajo më parë duhet të njoftonte policinë, që të evitohej ndonjë përplasje, për shkak se gruaja thoshte se ai kishte probleme me alkoolin. Për telefonatën e bërë në Urgjencë, Lusha i tha prokurorisë se pas 3 minutash, mjekët shkuan në shtëpi, por Dr. Flori kishte ndërruar jetë. Një infermier i kësaj Urgjence, me inicialet A.Sh., po hetohet në gjendje të lirë, për mosdhënien e ndihmës. Ndërkaq, të gjithë familjarët e Floran Kondit dhe personat që u ndodhën pranë në momentet e fundit, pretendojnë njëzëri se mjekët kanë shfaqur neglizhencë për këtë rast, ndonëse ishin lajmëruar disa herë. Mjekësia Ligjore Debatet e shumta dhe përplasjet e mendimeve të opinionit publik rreth shkaqeve të vdekjes së Dr. Florit, pritet të sqarohen shumë shpejt vetëm nga Mjekësia Ligjore, si instrumenti i vetëm zyrtar dhe i besueshëm që përcakton shkaqet e plota të vdekjes. Ditën e hënë, pasi Floran Kondi kishte mbërritur atje pa jetë, nga një test paraprak, ekspertët mjekoligjorë kishin gjetur shenja kokaine, por analizat e plota toksikologjike duan më tepër se 10 ditë kohë për të dalë. Mirëpo, pikërisht për të shuar një herë e mirë këtë atmosferë dyshimesh, specialistët e morgut të Tiranës janë duke kryer të tjera analiza, rezultatet e të cilave pritet të dalin në një kohë më të shkurtër. Procedohet infermieri, nuk dha ndihmë Policia e Tiranës nis procedimin penal ndaj një infermieri për mosdhënie ndihme. Burimet zyrtare të policisë thanë se “filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A.SH., 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë infermier në Urgjencën e Tiranës, pasi më datë 17 nëntor 2014, ora 09:30, kur shtetësia B.L. ka njoftuar për gjendjen e keqësuar të bashkëshortit Floran Kondi (Dr. Flori), ky infermier nuk ka marrë masat për të dërguar ambulancën bashkë me ekipin mjekësor për t’i dhënë ndihmë dhe dyshohet se mosdhënia e ndihmës në kohën e duhur mund të ketë ndikuar në vdekjen e tij”. Sipas policisë, procedimi penal parashikohet nga neni 97 i Kodit Penal dhe ka të bëjë me rastin e vdekjes së shtetasit Floran Kondi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat