Ja çka ndodhi në seancën Ledri Vula vs Krenar Çoçaj!

Mediale Vip

Ja çka ndodhi në seancën Ledri Vula vs Krenar Çoçaj!

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 11:37

Avokatët e Krenar Çoçajt dhe Gazmend Mirenës kundërshtuan aktakuzën që klientët e tyre i ngarkon me veprën penale shkaktim i lëndimit të lehtë trupor. Prokuroria pretendon se këtë lëndim ata ia shkaktuan reperit, Ledri Vula.
Gjykata Themelore në Prishtinë të hënën mbajti seancën e dytë kundër Krenar Çoçajt dhe Gazmend Mirenës, të akuzuar për rrahje të këngëtarit Ledri Vula.

Në këtë seancë gjykata ua mundësoi të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre kundërshtimin e aktakuzës dhe provave, një gjë që ata e bënë duke dërguar kundërshtimin me shkrim.

Kosovare Kelmendi, avokatja e Krenar Çoçajt i kërkoi gjykatës që nëse vendos ta hedhë poshtë kundërshtimin e avokatëve, ta bëjë këtë me shkrim, për t’ua mundësuar mbrojtësve që të ankohen në Gjykatën e Apelit.

Prokuroria mbrojti aktakuzën duke thënë se ajo është ngritur në bazë të provave të mbledhura. Organi i ndjekjes i propozoi gjykatës të vazhdojë shqyrtimin gjyqësor.
Edhe Tomë Gashi, avokati i Ledri Vulës mbështeti prokurorinë.

Gjykata hodhi poshtë me vendim kundërshtimin e aktakuzës nga ana e avokatëve mbrojtës, por këtë do ta bëjë me shkrim për t’ua mundësuar avokatëve ankesën në Apel.
Seanca u shty për kohë të pacaktuar.
Sipas aktakuzës Gazmend Mirena e kishte goditur reperin e njohur me kondak revoleje, ndërsa Krenar Çoçaj me shufër metali.

Mollë sherri për këtë incident ishte këngëtarja Dafina Zeqiri, e cila e la Krenar Çoçajn pa e njoftuar se është në lidhje me Ledri Vulën. E pasi Ledri dhe Dafina dolën publikisht në Videofest duke u puthur si çift, aty edhe plasi irritimi i Çoçajt, i cili edhe besohet ta ketë nxitur sulmin ndaj Ledrit.

Ledri atëkohë e la muzikën dhe e la Dafinën, për t'iu kthyer muzikës më vonë, ashtu sikurse Dafinës. Por, me Dafinën tani janë vetëm miq dhe bashkpuntorë, asgjë më shumë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat