Aktorja Niada Saliasi, Mariana e premierës “Tartufi”

Mediale Vip

Aktorja Niada Saliasi, Mariana e premierës “Tartufi”

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 08:47

Aktorja Niada Saliasi do të interpretojë rolin e Marianës në premierën “Tartufi” që është pjesë e sezonit artistik në Teatrin Kombëtar. Përzgjedhja e aktores erdhi pas audicioneve të zhvilluar në TK, ku morën pjesë aktore si Dasara Xhangolli, Aurora Qazimi, Ermela Ruri, Suela Xhonuri, Klesta Shero, Alesia Xhemalaj, Nigela Ruka, Ina Gjonçi, Arjola Basho, Oriada Zeza dhe Julinda Emiri. Vepra premierë do të vijë në skenë me regji nga Erion Kame, ndërsa aktorja Saliasi vjen me këtë rol pas disa eksperiencave të saj jo vetëm në kinematografi, por dhe në shfaqje të ndryshme teatrore, ndërsa roli i Marianës shënon dhe rolin e parë kryesor të saj në një premierë të Teatrit Kombëtar. Personazhet në komedinë që do të vijë me regji të Erion Kames janë: Tartufi, zonja Pernelë, Orgoni, Elmira, Damisi, Mariana, Valeri, Kleanti, Dorina, zoti Besnik, një oficer policie. Në ngjarjen e veprës që zhvillohet në Paris nuk mungojnë dhe figurantët. “Tartufi” e Molierit për herë të parë u shfaq në oborrin mbretëror të Varsajës, më 12 maj 1664. Kleri dhe aristokracia u dëshpëruan pa masë dhe intervenuan që të ndryshohet emri në “Mashtruesit” dhe ta ndërrojë veshjen Tartufit nga klerik në civil. Pas variantit të tretë më 1669 u lejua shfaqja. Tema e komedisë është hipokrizia e shtresës klerikale, që mundohet të pasurohet në mënyrë shumë të shpejtë, duke shfrytëzuar besimin që kanë të tjerët për profesionin e tyre të shenjtë dhe mendjelehtësinë e shtresës borgjeze që një kohë bëhet viktimë e hipokrizisë klerikale. Ndërkaq që “Udhëtimi i gjatë drejt natës” më regji nga Spiro Duni që erdhi në skenë më 3 tetor ora 19:00, çeli sezonin e ri të TK-së, për tu pasuar nga vepra teatrore “Ëndrra e një nate vere” në datën 15 shtator, e për të vazhduar me shfaqjet e tjera të repertorit. Këto ditë në skenën e TK është shfaqur drama “Radio Iliria”, ndërsa premiera që priten janë “Liri në Bremen”, “Shtëpia pa dritare”, “Tartufi”, “Vrasja e Zhan Pol Maratit”, “Gruaja në dritare”, të cilat do të vihen në skenën e Teatrit Kombëtar gjatë këtij sezoni thuajse çdo ditë të javës, me qëllim afrimin në teatër jo vetëm të publikut kryeqytetas.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat