E mirë, e mirë, por... në të gjitha drejtimet

Mediale Vip

E mirë, e mirë, por... në të gjitha drejtimet

Më: 20 shtator 2014 Në ora: 12:44

Modelja shqiptare me eksperiencë 10- vjeçare, Nada Gogaj përfaqësoi Shqipërinë në një garë ndërkombëtare për modën. Konkurrimi për mis u organizua nga Fashion TV dhe u bë në Girne të Qipros, nën drejtimin e Michel Adam. Në këtë aktivitet morën pjesë 29 vajza nga shtete të ndryshme. Gara nisi në datën 7 shtator dhe përfundoi në datë 14. Megjithëse kishte rreth 100 mijë vota, rreth 2 mijë vota më shumë se vendi i dytë, ajo nuk mundi ta marrë kurorën e më të pëlqyerës në internet, por u klasifikua si vajza më e bukur e “Miss Fashion TV 2014”. Nada Gogaj (1990) për herë të parë është ngjitur në pasarelë kur ishte 15 vjeç në “Mis Vlora”, ku edhe u vlerësua me çmimin e parë. Ka qenë pjesë e shumë pasarelave kombëtare dhe ndërkombëtare, si edhe ka realizuar disa spote publicitare. Nada, për shumë njerëz është bërë e njohur edhe nga batuta e transmetuar për një spot publicitar në medie: “I mirë, i mirë, por jo në të gjitha drejtimet”.

Nada, si lindi dëshira për të qenë pjesë e “Miss Fashion TV 2014”?

Para pak kohësh kam qenë pjesë e një aktiviteti tjetër mode, “Miss Kemer Internacional”, në Antalia të Turqisë. Aty krijova disa kontakte me persona që kishin çuar edhe herë të tjera modele në “Miss Fashion TV”. Më pas aplikova në internet, ku edhe dërgova disa nga fotografitë e mia. Ndihmë më ka dhënë edhe agjencia e modeleve, në të cilën unë bëj pjesë.

Si jeni ndierë gjatë qëndrimit tuaj në Qipro?

Shumë mirë. Aty gjithmonë të presin mirë. Ishte një konkurrim i kuruar deri në detaj. Kishim një staf të organizuar mirë, i cili ishte gjithmonë në shërbimin tonë.

Sa çmime u ndanë në këtë garë?

Gjithsej u ndanë pesë çmime. Një çmim e jepte rezidenca ku ne ishim akomoduar. Çmimi tjetër ishte për vajzën më të pëlqyer dhe më të votuar në internet, më pas vendi i parë për dy shoqërueset. Çmimi i shoqërueseve dhe i vendit të parë zgjidheshin nga juria e Fashion TV.

Çfarë çmimi fituat në këtë konkurrim?

Unë isha pretendente për të marrë çmimin e më të preferuarës në internet, sepse isha më e votuara nga vajzat, gjithsej me 92952 vota. Pata një mbështetje shumë të madhe nga shumë artistë në Shqipëri, por edhe nëpër rrjete sociale emri im ishte më i lakuari. Megjithatë çmimin e më të votuarës e mori Jovana Zivkovic, vajza nga Serbia, e cila kishte në total 79498 vota, pra me më pak se 2 mijë vota se unë.

Pse mendoni se nuk ta dhanë çmimin e merituar?

Mendoj se, çmimin nuk ma dhanë pasi vajzat e tjera kurorën e kishin ambicien e tyre më të madhe. Ato bënë kompromise të tjera për ta marrë, ndërsa unë vajta të përfaqësoja veten dhe nuk bëra asgjë tjetër. Si të thuash unë jam një “mis pa kurorë”, por dola e fituar sepse mora një fitore morale, shumë herë më të madhe se një kurorë. Më mbështetën dhe më pëlqyen afërsisht 100 mijë njerëz nga e gjithë bota. Më erdhi keq vetëm për mbështetësit e mi, që u preokupuan ta pëlqenin dhe ta shpërndanin profilin tim në rrjetet sociale, që unë ta merrja atë çmim.

Çfarë fituat tjetër në këtë garë mode?

U njoha me shumë profesionistë në botën e modës dhe duke qenë një ndër 10 vajzat më të bukura, munda që të reklamoj edhe Shqipërinë mes shumë vendeve të tjera. Munda që të krijoj kontrata me agjenci jashtë vendit si në: Singapor, Bali, Tailandë, Stamboll etj. Jam përzgjedhur nga stafi i Fashion TV për të bërë një turne me shfaqjet e modës në shumë vende të botës etj.

Duke qenë se, keni një eksperiencë 10-vjeçare në fushën e modës, si e shihni modën shqiptare a po ecën ajo në drejtimin e duhur?

Krahasuar me modën jashtë vendit kemi ende rrugë për të bërë. Por, vlen të theksohet se kemi bërë ndryshime të mëdha në këto dhjetë vite dhe moda tani nuk po paragjykohet më, por po shihet si diçka e bukur. Mendoj se, po ecim ne rrugë të drejtë dhe për vajzat që e kanë ëndërr pasarelën po krijohen terrene të përshtatshme. Po krijohen mundësi për të qenë imazh i kompanive dhe bizneseve të mëdha dhe po zhvillohen më tepër aktivitete mode, që janë shumë të bukura dhe me nivel.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat