Naseri: Vendosa për artin në vend të “bukurisë” së kiçit

Mediale Vip

Naseri: Vendosa për artin në vend të “bukurisë” së kiçit

Nga: Intervistoi: Mimozë Lakna Më: 14 shtator 2014 Në ora: 18:10

Autori dhe këngëtari i hiteve të mëdha si “Biondina”, ”Do të doja”, “Hajt shko”, Naser Berisha pas një kohe të gjatë mungese, është rikthyer në skenën muzikore shqiptare edhe me hitin e radhës të titulluar “Lora”.

Gjatë një interviste për gazetën “Bota sot”, Naseri tregon se ndonëse ishte përballur me disa vështirësi në jetë, kishte gjetur forcën për t`iu kthyer skenës dhe muzikës.

“Bota sot”: Naser, ti një kohë të gjatë i ke munguar skenës muzikore shqiptare, prej nga të erdhi ideja që të kthehesh me këngën dhe klipin “Lora”?

Naser Berisha: Pas një pauze e cila edhe nuk ishte e planifikuar dhe me vetë dëshirë, ku si shkak ishte një sëmundje e cila për fat të mirë nuk ishte e rrezikshme për jetë, por që ka ndërruar dukshmërinë time, e pikërisht për këtë arsyeje jam menduar gjatë se a do të munde ta gjej forcën dhe ta kthej kreativitetin tim të zakonshëm për të punuar edhe më tej në karrierën time , apo të vendosi që të punoj vetëm për artiste të tjerë në studion time, pa u paraqitur edhe një here vet para kamerave dhe para publikut, kurse e tërë kjo zgjati pak me shumë se 3 vite deri sa vendosa që të kthehem me këtë këngë dhe klip i cili quhet “LORA” .

“Bota sot”: Kush është “Lora”, a ka ndonjë prapavijë ky emër, apo ishte spontan?

Naser Berisha: Miku dhe bashkëpunëtori im Barlet Qerimi i cili jeton në Zvicër erdhi një vikend tek unë dhe më tha se ka një ide për një këngë të mirë por që teksti i mungon, e unë ia ktheva nëse ia vlen muzika tekstin do ta shkruaj unë dhe filluam punën në studio dhe si titull i këngës vendosëm që të jetë emri i një femre, e rastësisht ishte vajza ime në studio e cila quhet Lorana, kurse unë e shkurtova dhe e bëra vetëm Lora, dhe kështu filloi puna në këngë dhe kur mëngjesi agoi dhe pasi që kishim pirë edhe diçka për ta “nxehur” fytin kënga ishte e përfunduar .

“Bota sot”: Kush janë autorët e klipit dhe të këngës?
Nser Berisha:
Siç e ceka edhe më lart pra muzikën e bëri Barleti, unë e bëra tekstin dhe e aranzhuam së bashku, kurse videoklipin ia besova Urban Graphics nga Gjilani.

“Bota sot”: Me çfarë je duke u marrë për momentin?

Naser Berisha: Por tash pasi që veq kam vendosur që përsëri të merrem më aktivisht me muzikë, jam duke punuar në një këngë të re , realisht 2-3 këngë por njërës nga to do t`i vij radha shpejt edhe të publikohet, përndryshe punoj edhe për këngëtarë tjerë të rinj të cilët kanë interesim që të ju punoj këngë këtu në Gjermani në studion time BB-Records.

“Bota sot”: Gjatë verës ishe prezent në disa koncerte, a do të thotë kjo se i je rikthyer përfundimisht skenës?

Naser Berisha: Po me siguri se po, por mendoje se koncertet live janë shumë të rralla, e që në të vërtetë do të duhej të kishte shumë më shumë se sa kemi për momentin. Kurse unë do të mundohem që sa më shumë të punoj në këtë drejtim edhe pse e di se në këtë treg që është për momentin është shumë vështirë të mbijetosh si artist i cili mundohet të bëjë diçka artistike. Shembull:Unë gjatë bërjes së skenarit për klipin e këngës, në mënyrë “demonstrative” e caktova që “Lora” të jetë një Balerinë e cila bën karrierë, edhe pse kisha mundur që ti përshtatem tregut të muzikës dhe klipeve aktuale dhe personazhin “Lora” ta bëja të ishte manekine apo edhe diçka tjetër e me pas të zgjedh një bukuroshe dhe fotografin e klipit ta punoje ne atë mënyre që vajza të dukej sikur të kishte fytyrë plastike, por unë e vendosa të kundërtën , vendosa për artin në vend të “bukurisë” kiçit.

“Bota sot”: Si ndihesh kur të gjitha këngët e tua vazhdimisht pëlqehen dhe këndohen nga publiku?

Naser Berisha: Mendoj se kjo është kënaqësia më e madhe për secilin këngëtar, e bile unë mendoje se duke u bazuar se në me Rock muzik nuk mundemi të fitojmë shumë , ky është “dëmshpërblimi” i vetëm i yni, që na bën të merremi edhe me tutje me këtë muzikë.

“Bota sot”: Ke menduar editimin e ndonjë albumi?

Naser Berisha: Financiarisht prodhimin e një albumi (tek ne) ma nuk ia vlen në asnjë zhanër të muzikës, edhe në ato zhanre ku kanë me miliona klikime, sepse zbritja e këngëve nga interneti e ka sjellë çmimin e një CD në vlerën e plastikes dhe letrës që e mbështjell e jo më shumë, pra për 90 cent. Por unë shpresoj se kështu dalëngadal ta përmbyll edhe albumin e 4 dhe ta plasoje në treg, vetëm sa për ta përmbyll edhe një cikël të punës sime.


“Bota sot”: Qe një kohë të gjatë je pjesë e skenës muzikore, a mund të na e japësh një vlerësim rreth saj?

Naser Berisha: Tani me duhet te kritikoje por jo për shkak se ndoshta muzika ime ma nuk dëgjohet aq shumë si më pare, por do të mundohem ta përshkruaj realitetin.
Unë mendoj se koha kur janë shkruar këngët të cilat i kanë mbijetuar kohës, ka shkuar një herë e përgjithmonë, por kjo po ndodhe jo vetëm tek ne por në gjithë globin, tani punohet me moton “ një për 6 javë (me kajmak) dhe shkojmë me tjetrën “
Këtë ma vërtetojnë në njëjar mënyre edhe fëmijët e mi kur unë e dëgjoj ndonjë këngë e cila ndoshta i ka 6 muaj apo vetëm një vit e vjetër, fëmijët me thonë babi kjo këngë është e “shekullit” te kaluar.
Kur e kujtoje rinin time e di se ne kemi dëgjuar vepra qe ndoshta ishin 20-30 vite te vjetra por atyre jo rastësisht edhe ju thuhej vepra , shih këtu Pink Floyd, Led Zeppelin, Deep Purple, Queen, U2 etj. etj. Por një kohe edhe tek ne ka patur këngë te cilat do te jetojnë gjate, ato janë këngët e viteve te `80 `90 e bile edhe deri kah mesi i viteve të 2000, por nga momenti kur këngët ma nuk luhen nga dora e njeriut, por sepmlat thirren nga një program dhe behet vetëm radhitja e tyre në mënyrë që të del një këngë, e në rastet më të këqija edhe blihen (apo vidhen) komplet ato ne internet ma nuk mund te thuash se po krijon vepra.
Me thuaje ti vet te lutem se sa këngëve ua din strofat e tekstit (hiq këtu refrenin) pa marr parasysh se sa milion klikime i ka ne youtube, pra asnjë apo shumë pak, pra kjo ka te bej me dinamiken e prodhimit të këngëve si produksion masiv në shiritat prodhues te fabrikave ku prodhohet Smoki apo Chipsi.

“Bota sot”: A duhet të shpresojmë se megjithatë ende ka vlera të mirëfillta muzikore?

Naser Berisha: Unë ende e di se ka muzicient të cilët këngën e shkruajnë me instrumente ne dore dhe me pas edhe e incizojnë në studio me instrumentalistë të gjallë, por kjo formë e punimit të këngëve po shkon ne zhdukje çdo dit e më tepër, dhe në anën tjetër edhe publiku po ua “tregon” rrugën dhe zhanrin, kurse këngëtaret në mënyrë që edhe më tej të mbesin në skenë dhe të mund të jetojnë nga muzika po i përshtaten këtij tregu.

“Bota sot”: Na trego më shumë për jetën tënde në Gjermani, sa të mungon vendlindja?

Naser Berisha : Vendlindjen e dua shumë, unë kam mërguar në moshën 26 vjeçare, e që i bije se unë vitet më te mira te rinis sime i kam kaluar atje, por tani jam mësuar me një jetë e cila ka një rregull në jetë, këtu dihet kur punohet dhe dihet kur pushohet, e mendoj se ky mentalitet ende nuk ka arritur tek ne , por kjo e metë është në përgjithësi në vendet Ballkanike dhe nuk është specifike vetëm e jona. Kam shpresuar se pas lirisë që e fituam dhe me një përfaqësim të madh të ndërkombëtareve në Kosovë sado pak do të mësojnë nga kontakti me ta edhe mënyrën e jetesës dhe të përfitojnë principe për punë dhe pushim, por nganjëherë e kam përshtypjen se ka ndodhur e kundërta , ndërkombëtarët e kanë marr mënyrën e jetesës sonë 

“Bota sot”: Si është Naseri si person familjarë?

Naser Berisha: Unë mendojë se jam shumë një kryefamiljar i mirë dhe një baba modern, pa tentuar qe te asimilohem unë dhe fëmijët e mi, por gjithsesi se integrimin në shoqëri këtu e kam marr si një gjë pozitive. Prioritet për mua ka qenë që fëmijët të jenë të suksesshëm në shkolle dhe në anën tjetër të dine të shkruajnë dhe flasin Shqip, e për ketë jam angazhuar një kohë të gjatë ku me bashkatdhetar kemi themeluar edhe shoqatën Shqiptare “MERGIMTARI” këtu dhe në kuadër të saj kemi hapur edhe shkollën Shqipe.

"Bota sot" : Në jetën tënde tashmë ka zënë vend edhe politika, e mendon të vazhdosh të merresh me politikë apo gjithçka përfundoi me zgjedhjet e 8 qershorit

Naser Berisha: “Nëse ne nuk merremi me politikë, ajo merret me ne gjithsesi” prandaj gjithmonë kam qenë qytetar aktiv, unë edhe më tej do të jem aktiv aq sa mundem të jem nga këtu, kritikat e mija ndaj të keqes i kam shprehur edhe në këngën time “HAJT SHKO” e cila në vitin 2003 vetëm dy ditë pas publikimit është censuruar, por edhe sot dhe në të ardhmen do të mundohem që te kontribuoj për aq sa mundem.

“Bota sot”: Cilat janë planet tua për të ardhmen e afërt, a do të vazhdosh të sjellësh hite për publikun?

Naser Berisha: Planet dhe dëshira ekziston gjithsesi, por se sa do të ia arrije n`varet edhe nga inspirimi momental ne kohen kur shkruaje, por besoje se mundin do te ia beje gjithsesi.

"Bota sot": Për fund, a ke ndonjë porosi për lexuesit tanë dhe publikun në përgjithësi?

Naser Berisha: I falënderohem të gjithë atyre fansave të cilët i ndegjojnë këngët e mia edhe pas kaq shumë kohe që ka kaluar dhe me përkrahjen të cilën ma japin përmes e-mailave apo edhe në rrjetet sociale, kështu më bëjnë që edhe më tej të kem vullnetin dhe dëshirën që të punoj këng të reja në mënyrë që së paku të mbesim në kontakt përmes këngëve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat