Erisa Xhixho e LSI, dasmë tradicionale pas 7 vitesh lidhje

Mediale Vip

Erisa Xhixho e LSI, dasmë tradicionale pas 7 vitesh lidhje

Më: 31 gusht 2014 Në ora: 11:16

Ata do të lidhin kurorë në një ceremoni të thjeshtë, tradicionale, pa shumë zhurmë. Erisa Xhixho dhe Enea Nuredini i japin fund beqarisë muajin tjetër për të lidhur martesë me njëri-tjetrin gjatë një ceremonie romantike, nën ndriçmimin e qirinjve, zhurmën e valëve të detit, muzikës në sfond, luleve të shumta, që do të dominojnë në dekorin e ideuar nga Alketa Vejsiu. Bashkë me urimet për detyrën e re si zëvendësministre e Integrimit Europian, Erisa po përjeton emocionet e ceremonisë së dasmës më 11 shtator. Një nga përfaqësueset dhe aktivistet më të njohura të Lëvizjes Socialiste për Integrim do të lidhë martesë me të dashurin e saj prej shtatë vitesh, Enea Nuredinin, në një ceremoni elegante dhe pa shumë bujë, që do të organizohet në “Juvenilja al mare” në kompleksin Lura (Gjiri i Lalzit). Ftesat tashmë janë shpërndarë për miqtë, ndërsa çifti po bën përgatitjet e fundit për t’u shfaqur sa më sharmant dhe me klas në ditën e tyre të veçantë. ”Do të jem nuse klasike, me grimin special të Lili Ismailit dhe po ashtu atmosfera që kemi menduar për atë natë, do të jetë e këndshme dhe e thjeshtë, një ide kjo e organizatores Alketa Vejsiu, me të cilën na u përputhën idetë që çdo detaj të jetë fin dhe sa më pranë natyrës”, tha Erisa për gazetën “Panorama”. Ceremonia e dasmës do të nisë në orën 18:30 të 11 shtatorit, me celebrimin zyrtar nga përfaqësues të Bashkisë dhe ngjitjen në altar, në prani të të afërmve të çiftit, fisit të përbashkët dhe miqve të tjerë. Më pas, të ftuarit do të zhvendosen për të festuar në koktejlin që do të mbahet në breg të detit dhe që do të zgjasë nga ora 19:00 deri në 22:30 të mbrëmjes. Pas kësaj nate festive, data 12 shtator do të jetë pushim për çiftin, për ta finalizuar këtë ngjarje të veçantë të dashurisë së tyre me një darkë intime me miqtë më të ngushtë, që do të organizohet mbrëmjen e 13 shtatorit në ambientet moderne të kompleksit “Royal Hill”. Erisa dhe Enea në lidhjen e tyre shtatëvjeçare kanë provuar dy vite fejesë dhe një vit e gjysmë lidhje në distancë pas zhvendosjes së Erisës në Londër, ku përfundoi studimet Master. Ndryshe nga çiftet e tjera që provojnë bashkëjetesën para se të martohen, Erisa dhe Enea kanë ndjekur hapat e njohjes tradicionale, duke mos shmangur edhe fejesën.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat