Një artiste dhe një nënë e mrekullueshme si Miranda Hashani

Mediale Vip

Një artiste dhe një nënë e mrekullueshme si Miranda Hashani

Nga: Intervistoi: Mimozë Lakna Më: 31 korrik 2014 Në ora: 11:04

Pas tre viteve i është rikthyer skenës me këngën “Mirë se vjen”, e mirëseardhje këngëtares Miranda Hashani i ka uruar publiku i cili e ka mirëpritur projektin e saj të fundit. Gjatë një interviste për gazetën “Bota sot”, Miranda tregon se në muajin shtator po planifikon të vij me një këngë duet derisa shprehet se gjithmonë i ka qëndruar besnike kultivimit të vlerave të mirëfillta artistike.

Po ashtu gjatë kësaj interviste keni mundësi të njiheni edhe me Miranda Hashanin si një nënë e përkushtuar në rritjen dhe edukimin e dy djemve të saj Detit dhe Donit.

“Bota sot”: Miranda, sapo ke publikuar këngën dhe klipin të titulluar “Mirë se vjen”, si u prit kjo këngë nga publiku?
Miranda:
Kënga "Mirë se vjen" po pëlqehet shumë. Kam marre shumë mesazhe e urime. Mendoj që adhuruesit e mi e përqafuan shpejt këtë këngë.

“Bota sot”: Kush janë autorët e këtij projekti?
Miranda:
Autor i këngës është bashkëpunëtori dhe miku im i ngushtë Avni Qahili të cilit i falënderohem jashtë mase.

“Bota sot”: Një kohë të gjatë i ke munguar skenës, përse?
Miranda:
Skenës i mungova 3 vite. Arsyeja ishte shumë e forte, u bëra nënë përsëri dhe desha tu rri sa më afër Donit dhe Detit. Nuk desha të ju mungoj për asnjë çast, të paktën derisa të rriteshin pak. E dija që skenën do ta gjeja përsëri aty ku e kisha lënë siç e gjeta, ndërsa rriten e fëmijëve nuk e gjen se ajo ikën prandaj desha të ju rri sa më afër qe nesër mos të më mungojnë momentet e kujtimet e panumërta dhe jam shumë e lumtur që arrita të shijoj këtë pjesë të jetës bashkë me ta.

“Bota sot”: Vera është një prej kohëve kur këngëtarët e promovojnë veten me projekte të shumta, a do të kemi edhe nga ti ndonjë këngë tjetër?
Miranda:
Jo, këtë verë do jem prezente vetëm në këtë këngë. Të re planifikoj të kem diçka në shtator, ndoshta ndonjë duet. Verën e kam shumë të ngjeshur me mbrëmje familjare dhe ahengje e nuk më mbetet kohë për ndonjë projekt tjetër.

“Bota sot”: Nga dy zhanret e muzikës që i këndon, cilin do ta veçoje më shumë, muzikën popullore apo muzikën e lehtë?
Miranda:
Të dy zhanret i kam përzemër, i këndoj me shumë kënaqësi, ndoshta pak me shumë ma merr anën popullorja se më flen më shumë në shpirt e sidomos këngët e vjetra.

“Bota sot”: Në aktualitetin e muzikës shqiptare, çka mendoni se i duhet një këngëtari për të qenë “in”, në tregun muzikor shqiptar?
Miranda:
Mbi të gjitha i duhet të ketë talent për muzike, të dijë të interpretoje mirë dhe të ketë një paraqitje ashtu siç i ka hije skenës.

“Bota sot”: Sa i preferon bashkëpunimet dhe a mund të presim ndonjë bashkëpunim nga ti?
Miranda:
Ju ceka edhe më lartë që shumë shpejt do kem një bashkëpunim kënge duet, vetëm jam në dilemë të zgjedh këngëtare apo këngëtar.

“Bota sot”: Sa po arrin muzika popullore dhe ajo qytetare, t`i bëjnë ballë sfidave të kohës?
Miranda:
Po mendoj që këtyre dy zhanreve po i kthehet vendi aty ku duhet. Me faktin që në shume mbrëmje të organizuara çdo dite e më shume po rritet numri i dëgjuesve.

“Bota sot”: Je ndër këngëtarët e paktë që kujdesesh shumë për kultivimin dhe ruajtjen e këtyre vlerave, sa është e vështirë kjo për ty?
Miranda:
Vërtetë e kam ruajtur me shumë xhelozi prej vitesh gjithmonë falënderuese e adhuruesve të këngës time, ata që më përcjellin çdo kund ku unë këndoj, dhe sa herë që jam zhgënjyer janë ata që më kanë kthyer. Ata më bëjnë ta dua edhe më shumë prandaj e kam të vështirë të lëkundem.

“Bota sot”: Ke menduar për editimin e ndonjë albumi?
Miranda:
Për Album ende skam menduar, duke e pas parasysh faktin që plasimi është tejet i vështirë. Këtu tek ne ende nuk po funksionon si duhet e drejta e autorit.

“Bota sot”: Na trego pak për jetën tënde familjare?
Miranda:
Jam e bekuar nga Zoti që kam një familje të mrekullueshme. Lumturi pafund e kënaqësi të panumërta ka në shtëpinë tonë. E dua jetën kështu të mbushur plot. Familje ku shpirti më bëhet rehat.

“Bota sot”: Si është Miranda si nënë?
Miranda:
Si nënë kam shumë obligime e përgjegjësi. Mundohem të jem 24 orë me Donin e Detin vetëm kur më duhet patjetër i lë me Mentorin jo me dado, nuk dua dikush tjetër të merret me rriten e fëmijëve të mi dua të merrem vetëm unë dhe kur s`jam këtë detyrë në mënyrë perfekte e kryen Mentori, e unë të kem mundësinë do rija në telefon apo internet edhe nga larg ti përcjelli e mos tu ndahem vetëm deri sa të rriten e ta marrin veten. Fëmija ka nevoje për mbikëqyrje dhe dashuri prindërore.

“Bota sot”: Çfarë mund të presim nga ti në të ardhmen?
Miranda:
Unë shumë pak flas për te ardhmen. E di qe do te vazhdoj të këndoj. Po bëhem gati për studimet për master në Interior Design. Ndonjë këngë e videoklip të ri. Etj.



“Bota sot”: Për fund, a ke ndonjë porosi për fansat e tu dhe lexuesit tanë?
Miranda:
Për ata që lexuan këtë interviste timen, ju dëshiroj nga zemra paçi vetëm të mbara e gëzime në jetën tuaj. Ju si redaksi u jam shumë mirënjohëse dhe ju falënderoj që më dhatë mundësinë të shpalos këto copëza nga jeta ime private dhe profesionale.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat