Taulant Balla e Xhemi Shehu ndjekin Real-Bajern, foto në një gazetë në Spanjë- FOTO

Mediale Vip

Taulant Balla e Xhemi Shehu ndjekin Real-Bajern, foto në një gazetë në Spanjë- FOTO

Më: 24 prill 2014 Në ora: 07:52

Ka pasur dhe aromë shqiptare gjysmëfinalja e djeshme e "Champions League", ku Reali i Madridit doli fitues përballë gjermanëve të Bajernit të Mynihut. Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe prezantuesja e njohur Xhemi Shehu janë fotografuar mbrëmë në stadiumin "Santiago Bernabeu" të shoqëruar nga bashkëshortët e tyre. Fotografia është publikuar dje nga gazeta kryesore sportive në Spanjë "Marca". "Bukuritë e të dy ekipeve", është diçitura e fotos përkatëse ku dy vajzat shqiptare, Xhemi Shehu, tifoze e madrilenëve dhe bashkëshortja e Ballës, "pro" gjermanëve kanë bërë tifo për ekipet e zemrës.
"IRONIA" E RASTIT
"Me këto rroga, ku i gjejnë paratë që shohin Bajernin?". Kjo ishte pyetja që artikuloi më datën 18 prill ish-kryeministri Pandeli Majko gjatë debateve në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Ai solli një episod gjatë udhëtimit, teksa kishin takuar në avion disa gjyqtarë, të cilët po shkonin për të parë ndeshjen e Bayern Mynih. "Ju e dini shumë mirë. Ishim duke shkuar në Mynih, bashkë me ne ishin edhe gjykatës që kishin prerë biletën për të parë ndeshjen e Bajernit. Më falni miqtë e mi. Të gjithë ne, me kemi këto rroga që kemi, ju del juve të blini biletën dhe të shkoni të shikoni ndeshjen?! Ju del ju të bëni gallatë me të ardhurat tuaja dhe të shkoni të shikoni ndeshje?! Ne kemi krijuar një elitë të korruptuar në zemër të Shqipërisë dhe shtetit tonë ligjor i ka mbetur vetëm L-ja. Prandaj o do e bëjmë, o do i themi 'shkoni për lesh'", - u shpreh Majko. Në replikë me të deputeti demokrat, Gent Strazimiri tha se "gjyqtarëve dhe politikanëve që kanë nga tre shtëpi, një vilë të madhe në mes të Tiranës, një më të madhe në bregdet dhe një tjetër në mal, të jeni të bindur që iu del hesapi me pre biletën dhe të shkojnë të shohin ndeshjen në Mynih. Nuk janë vetëm gjyqtarë dhe prokurorë, janë politikanë të lartë, janë politikanë të ekzekutivit kryesisht. Marrin të gjithë certifikatën e virgjërisë tek ILDKP, se deri më tani asnjë nuk ka dalë, i përflasim, i përflasim, kurrë nuk ka prova, kurrë nuk shkon njeri para drejtësisë", - u shpreh ai.
NDESHJA E MBREMSHME
Champions League ka dhuruar emocionet e radhës. Dhe kush më shumë se sa Real Madrid dhe Bajern Mynih mund ta bënin këtë. Në "Santiago Bernabeu" nuk ka pasur goleada, kartonë, shtylla, apo penallti, por loja ka qenë me ritëm shumë të madh dhe spektakli sërish është dhuruar mes gjigantëve të Ligës së Kampioneve. Ka dominuar lojën Bajerni, që në 70% ka zotëruar topin, por vendësve u ka mjaftuar një kundërsulm dhe i kanë ndëshkuar kampionët e Europës. Ka qenë pikërisht Benzema, ai i cili ka shtyrë topin në rrjetë pas një asisti të Kontreaos. Ka qenë ky episodi i takimit dhe pavarësisht rasteve të pastra nga të dyja ekipet, do të ishte goli i vetëm i ndeshjes, që gjithsesi e lë të hapur ndeshjen e kthimit në "Allianz Arena" të Mynihut. Trajneri Pep Guardiola humb për herë të parë në Madrid dhe kjo është një shenjë e keqe për bavarezët, që kundër spanjollëve gjithnjë kishin pasur rezultate pozitive. Megjithatë, mbeten edhe 90 minuta për t'u luajtur dhe gjermanët shquhen për përmbysjet, madje në pak minuta dhe jo për një ndeshje të tërë. Më 29 prill, në ndeshjen e kthimit, do të mësohet finalisti i parë i Champions League.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat