Gjykata gjermane bllokon shoqërinë “Acromax” dhe vendos në favor të Florit

Mediale Vip

Gjykata gjermane bllokon shoqërinë “Acromax” dhe vendos në favor të Florit

Më: 5 prill 2014 Në ora: 09:19

Ka tejkaluar veten, duke qëndruar në heshtje, e duke mos u shfaqur shpesh nëpër media, ndonëse tentativat për të përbaltur emrin e tij në këto gjashtë muaj kanë qenë të shumta. Kantatori Flori Mumajesi, sjell sot përmes kësaj deklarate të dytë për mediat të vërtetën e tij mbi konfliktin me kompaninë “Acromax”, e cila ka menaxhuar deri para pak muajsh të drejtat e tij autoriale në “Youtube”. Vendimi i Gjykatës gjermane flet në favor të Mumajesit, po për më shumë lexoni deklaratën e tij të plotë.

Flori Mumajesi: E vërteta ime
“Kam heshtur gjatë, sepse nuk më pëlqen të flas kuturu. Edhe kur është shpifur për mua, nuk kam thënë asgjë… Pasi prisja këtë moment dhe në këtë moment dua të them pikërisht këtë:
E kam thënë dhe në një deklaratë të mëparshme, që askush nuk duhej të përfshihej në një situatë të cilën do ta ndiqja ligjërisht. Në respekt të asaj deklarate kam qendruar i heshtur gjithë këtë kohë, në lidhje me diçka e cila më ka shqetësuar shumë, dhe më besoni, ka qenë shumë e veshtirë të rrija kaq i qetë… I heshtur, por sigurisht, i vendosur kam ndjekur të gjithë rrugët ligjore për të kërkuar diçka e cila është e patjetërsueshme…është e drejta ime.

Ashtu si çdo muzikant, tekstshkrues, interpretues, performues dhe autor, duhet ta mbroj këtë të drejtë pa kompromise, askush nuk mund ta vjedhë dhe askush nuk mund ta marrë me dhunë. Mbi këto parime themelore, në dukje kaq të thjeshta, por ndonjëherë shumë të komplikuara për t’i mbrojtur, zyra ligjore e cila më ka përfaqësuar ka arritur të marrë në dt. 25.03.2014 vendimin nga Gjykata e Këlnit në Gjermani. Në këtë vendim, gjykata është shprehur në favorin tim, duke vendosur:

1. Ndalimin e menjëhershëm të bllokimit të padrejtë që “Acromax” ka bërë ndaj kanalit “Threedtos Production” në “Youtube” gjatë gjithë kësaj kohe;

2. Ndalimin e menjëhershëm të çdo përdorimi dhe shfrytëzimi mbi veprat e mia, për më shumë se 300 këngë, nga “Acromax” ose siç shumica i njohin, Aldor Nini, Anxhela Faber apo “Arkiva Shqip”;

3. Në rast se këto shkelje vazhdojnë “Acromax” do të gjobitet deri në 250 mijë Euro, ose 6 muaj ndalim/arrest.

Siç e kam shprehur edhe në deklaratën e parë, kur kjo çështje ka filluar, nuk kam pasur (dhe s’kam për të pasur kurrë) qëllim të dëmtoj në asnjë lloj mënyre, kolegët, shumë prej të cilëve janë edhe miqtë e mi. Por, njëkohësisht shoh me shumë keqardhje sesa të papërgjegjshëm janë personat të cilët shfrytëzojnë veprat e mia dhe të kolegëve e miqve të mi, edhe pas këtij vendimi gjykate, duke vazhduar të kryejnë shkelje, duke thyer ligje dhe vendime të gjykatave kombëtare (pa harruar këtu edhe dy kallzime penale në hetim në Shqipëri dhe jashtë, për të njëjtët persona) dhe duke rrezikuar kështu fshirjen e kanalit “Arkiva Shqip”, prej të cilit dëmtohen vlerat që artistë, kolegë e miq, kanë ndërtuar në vite. Them shkelje edhe pse në shumë prej rasteve fjala më e saktë do të ishte vjedhje, sepse nuk mund të quhet ndryshe shfrytëzimi i punës së tjetrit pa i dhënë atij atë çka i takon.
Kolegë e miq, me shumë prej jush kam folur privatisht, pasi jeni interesuar, më keni pyetur, më keni përkrahur dhe për këtë u jam shumë mirënjohës, por në këtë rast dua publikisht të tërheq vëmendjen tuaj maksimale: mbroni veprat tuaja, mbroni muzikën tuaj, mbroni punën dhe rezultatet që keni arritur në vite, dhe mos lejoni në asnjë mënyrë t'ju shfrytëzojnë pa ju dhënë atë që ju takon, mos lejoni t'ju vjedhin, kushdo qofshin ata, mos heshtni kur doni të flisni, pavarësisht shantazheve, kërcënimeve, presioneve, sepse në fund të ditës e drejta nuk shtrembërohet dot.

Që në fillim të kësaj çështje kam besuar dhe shpresuar në mirëkuptimin e të gjithë artistëve, kolegëve, dhe miqve të mi, duke theksuar në çdo moment që kam kërkuar vetëm TË DREJTAT E MIA. Vendimi që u morr nga Gjykata e Këlnit është vetëm fillimi i një historie që do të jetë e lodhshme, por që në fund besoj se do të çojë në vend gabimet që të gjithë ne artistët, videoproduksionet, interpretuesit, tekstshkruesit, shtëpitë diskografike, televizionet, kemi bërë nga padituria, duke i besuar punën dhe djersën tonë, personave të gabuar. Ju them me bindje, që pavarësisht lodhjes që kjo çështje mbase do të sjellë, në fund do të jetë në të mirën e të gjithëve, dhe në favor të atyre që jetojnë me muzikën dhe për muzikën”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat