Rikthehet i madhi Adriano Celentano

Mediale Vip

Rikthehet i madhi Adriano Celentano

Më: 9 tetor 2012 Në ora: 10:46

Rikthehet në skenë Adriano Celentano, një prej këngëtarëve më të dashur edhe për publikun shqiptar.

Të paktë kanë qenë bashkëatdhetarët tanë që kanë marrë pjesë në pjesën e parë të show-t gjigant muzikor të Adrianos, krahasuar me atë numër të madh admiruesish, që do të kishin dashur të merrnin pjesë në këtë eveniment muzikor të jashtëzakonshëm.

I madhi Adriano u kthye në skenë për publikun, që mezi e priste, pas 18 vitesh një periudhë kjo shumë e gjatë për dashamirësit e tij të muzikës. Megjithatë gjatë kësaj periudhe Adriano na ka sjellë reagime në mënyrën e tij ndaj realitetit, albume të mrekullueshëm, muzikë cilësore dhe tekste si gjithnjë me shumë peshë.

Në shfaqjen e së hënës, kur Adriano tentoi ta kthente mbrëmjen në një 'talk show', iu desh të tërhiqej, sepse spektatorët kishin dëshirë ta dëgjonin të këndonte. U ndërpre në këtë tentativë nga publiku, por edhe nga kolegu i tij Gianni Morandi.

Që në natën e parë të shfaqjes, pasi 'Rock Economy' do të vijë sërish sonte në natën e dytë, që është edhe mbrëmja kulmore, Celentano i dhuroi publikut këngë të periudhave të ndryshme të krijimtarisë së tij. Celentano solli në mënyrë të mrekullueshme "Si è spento il Sole" e po ashtu edhe këngën e re "La Cumbia di chi cambia". Mediat komentojnë se Adriano pati edhe disa pasiguri në ekzekutimin e këngëve, por në përgjithësi 74-vjeçari e kaloi me sukses provën e radhës në skenën gjigante.

Pikat kulmore të shfaqjes ishin kur Celentano solli "Il Ragazzo della Via Gluck", shoqëruar vetëm nga një kitarë. Këngëtari magjepsi të gjithë Arenën, duke mos gabuar as edhe në një notë, ndërkohë që publiku këndonte i ekzaltuar bashkë me Celentanon. Më pas erdhi për mrekulli dueti me Morandin "Scende la Pioggia".Publiku u ngrit në këmbë, ndërsa kur të dy sollën këngën "Ti penso e cambia il mondo", entuziasmi, sidomos i spektatorëve të vjetër në moshë, arriti kulmin. Adriano në fund të direktes televizive, e mbylli për publikun me 'Rock Around the Clock'.Publiku ndërkohë ishte i gjithi në këmbë...Ndërsa sonte, Adriano ngjitet sërish në skenë me surpriza të tjera. Flitet për një rikthim të këngëtares së madhe Mina...a do të ndodhë realisht kështu? Asnjëherë nuk i dihet. Adriano dhe të tijët, janë të paparashikueshëm!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat