Kantautorja britanike dhe i dashuri i saj Caspar Jopling që së shpejti do të kurorëzojnë dashurinë e tyre kanë ndarë lajmin e gëzueshëm në mënyrën më tradicionale – në pjesën e njoftimit të dasmave në gazetën britanike The Times.
“Shpallet fejesa mes Caspar, biri i The Hon Nicholas Jopling nga Yorkshire dhe Jayne Warde-Aldam nga Yorkshire dhe Elena, e bija e Arthur Goulding nga Herefordshire dhe Tracey Sumner nga West Midlands”, thuhej në njoftimin e gazetës së ditës së martë.
Goulding – e cila ka përdorur emrin e saj të plotë, Elena, në njoftimin zyrtar për fejesë – është në lidhje me Jopling tash e 18 muaj.
Jopling është shkolluar në kolegjin prestigjioz Eton në Britani – ku kanë studiuar edhe Princi Harry dhe Princi William – para se të studionte për historinë e artit, arkitekturës dhe filmit në Harvard.
Duke pasë miqësi me familjen mbretërore, Goulding ka kënduar në dasmën e Princit William dhe Kate Middleton në vitin 2011 derisa së fundmi çifti ka shijuar një pushim në Jordani me Princeshën Beatrice në muajin prill.
Jashtë planeve për dasmë, Goulding është duke punuar për albumin e saj të katërt në Londër dhe po përgatitet që të këndojë për herë të parë në Korenë Jugore, muajin e ardhshëm.