Ndryshime në jetën profesionale të Bora Zemanit pas divorcit, përgatitet të nisë punë në tjetër televizion

Mediale Vip

Ndryshime në jetën profesionale të Bora Zemanit pas divorcit, përgatitet të nisë punë në tjetër televizion

Më: 18 korrik 2018 Në ora: 15:19
Bora Zemani

E ftuar në “Top Arena”, prezantuesja Bora Zemani, e cila prej disa vitesh është pjesë e “Digitalb”, përveçse foli për futbollin dhe ndeshjet e Kampionatit Botëror, iu përgjigj disa pyetjeve rreth jetës së saj personale pas divorcit nga Vin Veli dhe karrierën e saj si vajzë televizioni. Bora u shpreh se djali i saj është personi më i rëndësishëm për të, që padyshim e ka prioritetin e saj në jetë tani si nënë e re.

Ndërsa e pyetur se në cilin televizion do ta shohim në sezonin e ri televiziv, ajo u shpreh: “Një gjë është e sigurt, do të merrem sërish me futboll. Një emision me përmbajtje politike nuk do të drejtoj”, u shpreh ajo, duke lënë të hapur mundësinë e largimit nga “Digitab”-i, për t’u shfaqur në tjetër ekran sezonin e ri. Sipas burimeve tona, në këtë merkato lëvizjesh të prezantuesve nga një ekran në tjetrin, po komentohet edhe Bora, por ende nuk dihet saktë emri i televizionit.

Në “Digitalb”, Bora ka prezantuar emisionin “Guximtarët”, ku personazhe të famshëm provonin adrenalinën e hedhjes me parashutë në Jug. Në lidhje me sportin, në intervista të ndryshme ajo është shprehur: “Unë realisht nuk jam më tifoze e një skuadre, që kur jam lidhur kaq shumë me futbollin. Më pëlqejnë shumë skuadra. Por tifo bëj vetëm për Kombëtaren dhe sigurisht futbollistët e preferuar janë ata të Kombëtares kuq e zi”.

Sa për konkurrencë brenda punës, vitin e kaluar mediat online publikuan lajme me tituj: “Bora Zemani i merr emisionin Ilda Bejlerit”, pasi ajo njoftoi ndjekësit se do të moderonte “Bar Skedina”, një program që iu dha asaj, pasi Ilda nisi me “Zona gol”. Po cila është marrëdhënia e saj me Ildën, dhe konkurrencës mes gazetareve të sportit? “Gjithmonë do të jetë kjo ideja që femrat shkojnë keq me njëra-tjetrën. Me ne nuk ndodh. Ose të paktën nuk e shohim njëra-tjetrën rivale nga fakti se jemi femra. Në ‘Super Sport’ është një staf i madh gazetarësh shumë profesionistë dhe të gjithë kemi një qëllim të përbashkët, që të gjithë emisionet dhe çdo gjë tjetër aty të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ‘Supersport’ të jetë referencë për të gjithë sportdashësit. Shumë pak gjëra duken në ekran, por ne realisht kemi të gjithë marrëdhënie shumë të mirë edhe jashtë punës, ku mblidhemi shpesh edhe për dreka e darka”, është shprehur ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat