Klea Huta bën familjare lidhjen me Elgit Dodën, kantautori e ndjek me statusin e burrit në udhëtimin në SHBA

Mediale Vip

Klea Huta bën familjare lidhjen me Elgit Dodën, kantautori e ndjek me statusin e burrit në udhëtimin në SHBA

Më: 16 korrik 2018 Në ora: 15:52
Klea Huta dhe Elgit Doda

Pak muaj më parë, Klea Huta dhe Elgit Doda bënë publike për herë të parë lidhjen e tyre me anë të një postimi në “Instagram”. Që prej asaj kohe, secili prej tyre u përpoq të fliste më shumë me anë të gjesteve e fotove të postuara në “Instagram”, sesa me fjalë gjatë e gjerë për marrëdhënien e tyre.

E ftuar në “Thumb”, Klea Huta dha disa detaje lidhur me partnerin e saj, duke zbuluar disa fakte nga marrëdhënia e tyre jashtë vëmendjes së publikut. Fillimisht, Klea pranoi se vitet e fundit pushimet i kishte kaluar me Elgitin, pavarësisht se ne nuk kemi ditur gjë gjithë kësaj kohe. Por jo vetëm kaq, një fakt për t’u përmendur dhe që e bën marrëdhënien më serioze, është se lidhja e tyre tashmë është bërë edhe familjare.

“Në momentin që e kam njohur unë Elgitin, e kanë njohur edhe ata. Unë dhe Elgiti njihemi këtu e para 6 vitesh. Ka qenë mendim shumë i mirë dhe shumë pozitiv nga familjarët e mi për Elgitin. Dhe kryesorja, ata ecin me idenë “nëse ti je e lumtur, edhe ne jemi të lumtur”, ka treguar Klea. Me këtë deklaratë, ajo ka pohuar se familja e Kleas është mjaft e kënaqur me zgjedhjen e vajzës së tyre, ndërkohë që sa i takon lidhjes që ata kanë, duket se tashmë janë si një çift i martuar.

Elgiti e ka shoqëruar Klean me statusin e partnerit në udhëtimin e saj të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po xhiron dhe interviston personazhe të famshëm për programin e ri televiziv, që do të transmetohet në “Top Channel”. Producenti i projektit, Artan Korenica, e ka faktuar këtë me anë të një fotoje që ka postuar në “Facebook”- un e tij, ku Elgiti pozon i lumtur në krah të Kleas në Los Angeles.

“Life is Beautiful”, shkruan ai sipër fotos, ku çifti duken shumë të dashuruar krah njëri-tjetrit. Sipas burimeve brenda çiftit, Klea me këtë rast po xhiron në SHBA dhe klipin e saj të ri, një këngë e kompozuar nga Elgiti. Duket se ai ka marrë përsipër menaxhimin e Kleas jo vetëm si këngëtare, por edhe si showgirl, pasi e shoqëron kudo. Ai u pa pranë saj në foton që postuan pas mbërritjes në Miami Beach ku bënë xhirimet e para për programin e ri, bashkë me stafin e punës.

Sipas burimeve brenda televizionit, ky program do të ketë gjithsej 12 puntata dhe do të intervistohen 12 personazhe që jetojnë jashtë Shqipërisë. Mesa duket, kjo do të jetë një verë aventureske për Klean dhe stafin e emisionit, pasi ata duhet të udhëtojnë në vende të ndryshme të botës si Amerika, Anglia etj., për xhirime dhe intervista. Flitet se disa nga personazhet që do t’i bashkohen këtij formati, pra, që do të jenë protagonistë me rrëfimin e historive të tyre të suksesit nëpër botë janë: Emina Cunmulaj, Angela Martini, Ermonela Jaho, etj..

Kështu, me nisjen e sezonit të ri televiziv, Klea Huta do të rikthehet në “Top Channel”, aty ku provoi veten e saj disa vite më parë si showgirl. Pasi e kemi parë si prezantuesen e “Gjeniut të vogël” në “Tv Klan”, tashmë do e shohim në programin e ëndrrave nga çdo prezantuese që ka qejf udhëtimet dhe që u dedikohet personazheve shqiptarë, që janë bërë të njohur jashtë vendit. Në programin me titull “Top of The Top” do të rrëfehen histori mbresëlënëse suksesi të vajzave të bukura dhe me famë nga Shqipëria e Kosova.

Për “Panorama Plus”, producenti Artan Korenica tregoi detaje nga ky spektakël i ri, për të cilin ende nuk është thënë një datë e saktë se kur nis transmetimin në ekranin e “Top Channel”. “Jemi duke përgatitur 12 emisione me 12 personazhe VIP nëpër botë. Sa i përket Angela Martinit, ajo është njëra nga protagonistet e 12 VIPve dhe jo prezantuesja, siç u fol fillimisht në media”. Ndërkohë, Klea mund të themi se ndihet e bekuar dhe me fat, pasi në këtë moment ka dhe karrierën, dhe dashurinë. Edhe pse e kanë ditur që sytë kureshtarë përreth kanë qenë të shumtë dhe gjithashtu edhe fotografët, Elgit Doda dhe Klea Huta u panë së bashku për herë të parë gjatë finales së festivalit “Kënga Magjike”.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat