Erika: Nuk ndjej xhelozi profesionale sepse jam vetvetja!

Mediale Vip

Erika: Nuk ndjej xhelozi profesionale sepse jam vetvetja!

Maksim Gjokaj Nga Maksim Gjokaj Më 13 korrik 2018 Në ora: 18:49
Erika

- Erika, e buzëqeshur, e lumtur, si gjithmonë. Kjo më bën përshtypje te ti... Je gjithmonë kështu?

- Përpiqem. Mendoj se jeta është shumë e shkurtër për të qenë e mërzitur apo negative. Më pëlqen të jem pozitive, së paku për aq sa mund të jem e tillë, për pothuajse gjithçka që më rrethon. Ku ka më mirë se pozitiviteti! Të marrësh dhe të përçosh pozitivitet e bën jetën më të bukur, më të lehtë.

- Çfarë pëlqen puliku te ti që të ka kaq shumë për zemër?

- Me siguri, këngët e mia, punën time. (Buzëqesh) Plus që unë përpiqem të jem gjithmonë vetvetja me këdo, qoftë me njeriun më të thjeshtë apo me atë më të rëndësishëm, me fansin tim më të zjarrtë…

- Ke më shumë adhurues femra apo meshkuj?

- Nuk është se e kam bërë këtë bilanc. Nëpër koncerte dihet që kur këndojnë femra, vijnë më shumë meshkuj dhe anasjelltas, por ky nuk është një tregues i mirëfilltë për këtë. Për mua e rëndësishme është të më duan për atë që bëj, të vlerësojnë punën time të cilën e bëj me shumë dashuri e përkushtim, duke u përpjekur që të mos zhgënjej askënd, në radhë të parë Erikën e më pas, edhe publikun.

- Një gjë që bie në sy është edhe performanca e bukur në klipet e tua…

- Performanca është një gjë e mirë për një këngëtare, performanca i shërben këngës, plus që në fushën e artit bëjnë pjesë të dyja, ndaj i bëj të dyja me kënaqësi.

- Si gjithmonë, edhe këtë verë ke qenë mjaft produktive...

- Po, e vërtetë. Mua më pëlqen të jem në kontakt me publikun, nuk dua që ai të humbasë vëmendjen ndaj meje, ndaj kam preferuar të vij gjithnjë me diçka të re përpara tij. Sapo kam sjellë këngën me klip “Bang Bang” dhe shumë shpejt në planet e mija afatshkurtra, do vijë një tjetër këngë dhe klip.

- Cili është angazhimi yt më i madh këtë verë?

- Janë ftesat e shumta në evente verore në Shqipëri dhe jashtë saj dhe sigurisht një sezon  i ngarkuar me gëzimet familjare ku do jem e pranishme për të kënduar.

- Duket sikur rivaliteti mes kolegësh është gjithnjë i pranishëm, edhe pse i nënkuptuar ose disi i kamufluar. Ti ruan shoqëri në mesin e këngëtarëve apo për sa kohë që ekziston kjo klimë, nuk është e mundur diçka e tillë?

- Xhelozia profesionale duket si diçka jo e këndshme, por realisht, për të qenë të vërtetë me veten dhe të tjerët, duhet kuptuar që kjo është diçka edhe e mirë në vetvete sepse kështu ti motivohesh të bësh më të mirën e mundshme, të japësh maksimumin prej vetes dhe diçka e tillë nuk mund veçse të jetë pozitive për të gjitha palët. Sa i përket shoqërisë me kolegët, unë jam munduar gjithmonë që t’i ruaj raportet të mira me kolegët, duke parë gjithmonë punën time.

- Luku me të cilin paraqitesh, është gjithnjë një trend më vete. Duket sikur moda është një tjetër pasion i yti…

- Sa i përket lukut, shija është relative, por unë kam vënë re që publiku ka shije, ka sy për të parë dhe kuptuar se çfarë është e bukur, e pranueshme e çfarë jo. Unë ia kam lënë gjithmonë në dorë publikut, por shyqyr që gjithë ai investim që bëj, më është vlerësuar dhe shpërblyer.

- Një gjë tjetër që e bën me po aq pasion?

- Një gjë tjetër që e bëj gjithmonë me shumë dëshirë është gatimi. Më pëlqen të gatuaj, është relaksim total. 

- Udhëtime, udhëtime, udhëtime… Të janë mërzitur udhëtimet për punë?

- Ndoshta jo tamam mërzitur, por do të thoja që më ka humbur pak durimi. Megjithatë, është diçka për të cilën duhet ta mbledhësh mendjen, duhet kuptuar që kjo është puna jote, kjo është diçka që është e lidhur me punën që ti bën, kështu që s’të mbetet veç ta pranosh.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat