Miriami: Falë fëmijëve ripërjetova një fëmijëri të dytë

Mediale Vip

Miriami: Falë fëmijëve ripërjetova një fëmijëri të dytë

Më: 19 prill 2018 Në ora: 21:38
Miriam Cani

Pyetje: Çfarë ishte në ‘The Voice’ siç e kishe imagjinuar dhe çfarë ndryshe nga sa e kishe parashikuar?

Prisja që të ishte diçka shumë e bukur, pasi të punosh me fëmjët është mrekulli. Dashuria, energjia dhe çiltërsia e tyre të mbushin me energjinë më pozitive që mund të ekzistojë. Një energji që të rrëmben dhe ta bën jetën më të bukur. Ndryshe nga të rriturit, fëmijët nuk kanë komplekse, janë vetvetja dhe të përfshijnë në argëtimin e tyre. Ripërjeton një fëmijëri të dytë falë tyre.

Për ty nuk ishte hera e parë në ‘The Voice’. Njiheshe mirë me formatin. A ishte kjo një lehtësi për ty?

Është e vërtetë. Për mua ky ishte viti i katërt i ulur në një panel dhe fillimisht mendova se tashmë isha mësuar me këtë rol. E mora me shumë lehtësi, por ndodhi komplet e kundërta. Kam qenë e përfshirë më shumë se kurrë në çdo fazë, televizive apo dhe pas kuintave. Jam përpjekur të jem prezente në çdo formë, sepse dashuria që kam ndier për talentet e skuadrës sime më ka bërë t’i shoh gjërat në shumë dimensione për të evituar çdo trishtim të tyre.

Cili nga trajnerët e tjerë të ka rrëmbyer zëra që do të kishe dashur ti kishe në skuadër, pasi shpeshherë ju kemi parë duke ‘luftuar’ për konkurrentë?

Tek të dyja skuadrat ka patur zëra për të cilët kam ‘luftuar’, por në fund besoj se të gjithë kemi qenë shumë të lumtur me 18 talentet e skuadrave tona.

Keni krijuar raporte dhe jashtë ‘The Voice’ me fëmijët?

Kemi krijuar raporte shumë të mira me njeri-tjetrin. Vazhdojmë të kemi ende grupin e madh në Instagram chat ku shkruajmë vazhdimisht dhe jo vetëm për muzikë. I kam të gjithë pa përjashtim në zemrën time dhe do t’i kujtoj gjithmonë me shumë dashuri.

Çfarë ka qenë gjëja më e rëndësishme që ke dashur t’i mësosh fëmijëve gjatë këtyre muajve?

Përveç pjesës profesionale jam munduar shumë t’i mësoj me frymën e duhur të garës/konkursit. Ata janë shumë të rinj dhe gjithçka që ata bëjnë në këtë moshë ndikon në formimin e karakterit të tyre për të ardhmen. Raportet që do kenë me njerëzit, shoqërinë, familjen apo puna në grup. Fëmijët asnjëherë nuk duhet të ushqehen me një ego të gabuar apo të tepruar. Jam përpjekur t’u shpjegoj, se pavarësisht talentit, janë shumë të rëndësishme shumë faktorë të tjerë për të qenë i sukseshëm. Përulja, mirënjohja për gjithkënd që të ndihmon që ti të shfaqësh këtë talent dhe mbi të gjitha pozitiviteti.

Sa e vështirë ka qenë për ty të marrësh vendime?

Në fazën e Netëve Live çdo vendim që merrej ka qenë i kontestueshem, pa dyshim! Sepse në atë fazë që arritëm u përballën më të mirët e këtij edicioni me njeri-tjetrin. Kam ndier keqardhje për secilin nga fëmijët e larguar. Gjatë gjithë këtyre muajve kam dhënë vlerësimet e mia për ta dhe gjithçka kam thënë e mendoj vërtet. Janë të supertalentuar, secili prej tyre ka veçori që e bëjnë unik dhe nëse dikush ka kaluar e dikush jo, nuk është aspak e rëndësishme në nivel suksesi.

Jo gjithmonë kam thënë aq sa kam dashur për secilin prej tyre, për shkak të kohës televizive, për shkak të emocioneve nuk kam gjetur fjalët e duhura, por ata e njohin dashurinë dhe përkushtimin tim ndaj tyre dhe për mua kjo ka rëndësi. Unë mendoj që përtej kupës që do fitojë njeri prej 6 finalisteve, fitorja më e madhe janë miqësitë që janë krijuar dhe mund të zgjasin përgjithmone në jetën e tyre. Kjo do të vlejë në një të ardhme shumë më shumë se diçka materiale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat