Një ditë me Almeda Abazin

Mediale Vip

Një ditë me Almeda Abazin

Më: 14 prill 2017 Në ora: 08:09
Almeda Abazi, Tolgahan Sayisman dhe Erblin Jaku (majtas)

Ajo është aktorja shqiptare më e famshme dhe më e suksesshme në Turqi. Almeda Abazi rrëfen për herë të parë për një televizion shqiptar si ia doli të jetë në majat e suksesit në Turqi. Ajo u bë pjesë e emisionit “Pasdite në Top Channel” në të parën dalje publike pas martesës, dy muaj më parë me një nga aktorët më të famshëm turq, Tolgahan Sayisman.

Dashuria dhe dasma në Los Angeles

Tolgahan Sayisman është personi që ka fituar zemrën e Almeda Abazit. Ai tregon për herë të parë në një televizion shqiptar  historinë e tyre të dashurisë. “Kishim miq të përbashkët dhe merrnim pjesë në evente të ndryshme, kështu jemi njohur. Për Almedën e dija që nuk ishte në asnjë lidhje, pasi e di që kishte një garë se kush do të fitojë zemrën e Almedës, thashë edhe unë jam në këtë garë dhe jam shumë I lumtur që kam pranë vetes një vajzë si Almeda të cilën e dua shumë”, thotë Tolgahan për “Pasdite në Top Channel”. 

Ndërkohë duke qeshur Almeda tregon për “garën” që bëhej në Turqi “unë e dija për garën, por bëja sikur nuk e dija. Unë i kisha vendosur qëllim vetes që do të merresha vetem me karrierën time dhe nuk do të krijoja lidhje dashurie. Por kur e pash Tolgahan për herë të parë më pëlqeu dikush”, tregon Almeda. E nëse ishte dashuri me shikim të parë, të dy thonë që jo. Por si e priti familja e Tolgahan lidhjen e tij me një vajzë shqiptare? 

“Kur isha me xhirime në Shkup të Maqedonisë dëgjova një fjalë të urtë për shqiptarët ‘të marrësh një vajzë shqiptare është si të këpusësh një lule nga parajsa’. Më bëri shumë përshtypje dhe isha shumë kurioz të njihja një vajzë shqiptare. Jam shumë i lumtur që pata fatin të marr më të bukurën e Shqipërisë të cilën e dua shumë. Babai im me origjinë të largët është shqiptar”, tregon aktori i njohur. 

Kurorëzimin e kësaj dashurie Almeda dhe Tolgahan vendosën ta bëjnë në hotelin më të mirë në Los Angeles, aty ku është xhiruar dhe filmi “Pretty Woman”. “Kisha disa arsye pse zgjodha Los Angeles. Nga shtëpia që kam atje kam shkëmbyer mesazhet e para me Almedën. Atje kemi kaluar pushimet e para si çift, kështu që atje zgjodhëm të bëjmë edhe dasmën”, tregon Tolgahan. 

“Kishim ftuar njerëzit tanë më të afërt. Nuk kishim shumë njerëz, por ishin ata që donim të kishim pranë në këtë ditë. Unë i thashë Tollgës që dua dicka të thjeshtë dhe u surprizova kur më tha dasma do të bëhej në hotelin më të mirë në Los Angeles, Beverly Wilshire”, thotë Almeda. 

Ndërkohë muajin e mjaltit e kaluan në California. 

“Kishim menduar të shkonim në Hawai, por ishte kohë me shi, kështu që vendosëm të lëviznim nëpër Caliofornia. Por do të shkojmë një herë tjetër në Hawai”, tregon çifti i ri. E sa u përket planeve për fëmijë thonë që gjithçka ja kanë lënë në dorë Zotit.

Familja

Almeda tregoi në “Pasdite në TCH” se 13 vite më parë nisi të jetojë mes Shqipërisë dhe Turqisë deri sa 8 vite më parë u vendos përfundimisht në Stamboll për të ndërtuar jetën dhe karrierën e saj. 

“Para tetë vitesh unë humba babin. Isha shumë e mërzitur. Në Tiranë gjithçka më lidhte me babin, shtëpia, njerëzit, gjithçka. Unë kisha ëndrrat e mia, dëshirat e mia dhe bashkë me mamin dhe motrën vendosëm të largohemi drejt Turqisë”, tregon Almeda në bisedë me gazetarin Erblin Jaku.  

Në çdo hap të sajin pranë ka pasur mamanë, Albanën. 

“Unë kam shkuar në çdo takim që duhet të bëhej për çdo projekt, unë përgjigjesha në telefon, unë ktheja mesazhet. E kam këshilluar për gjithçka dhe jam shumë e lumtur të shikoj sot se vajza ime ia doli”, tregon zonja Albana për “Pasdite në Top Channel”. 

Almeda jetonte me mamin dhe motrën, edhe pse ishte në një lidhje dashurie. “Me mua flinte deri sa u martua dhe tani që ndodhi kaq shpejt fejesa, martesa, sesi më duket. Almeda ka qenë gjithmonë me idenë që një do të kem në jetë, ishalla është i fundit megjithëse jetës nuk i dihet asnjëherë. Unë të dy vajzat e mia i kam këshilluar gjithmonë për gjithçka. Jam shumë e lumtur kur i shikoj sot të dyja të realizuara dhe që vijnë e më thonë mami këshillat e tua ishin të duhurat, ia vlejtën. Çfarë mund të kërkojë më shumë një mama kur fëmijët e saj janë të lumtur?”, tregon e emocionuar Albana.

Almeda thotë se tashmë ka edhe një mama të dytë, vjehrrën e saj. 

“Djali im Tolgahan u bën vite që punon në televizion dhe unë nuk kam dalë kurrë para kamerave, edhe nëse do ma kërkonte nuk do të dilja, ama Almeda ka tjetër vend tek unë dhe për Almedën sigurisht që pranvoa me kënaqësi të dilja”, thotë zonja Aishe. 

Kur e pyesim sesi është Almeda si nuse dhe si reagoi kur djali i saj i tha se do të martohem më një shqiptare, zonja Aishe sërish shpreh dashurinë për nusen e re. 

“E dua shumë Almedën. Unë kam edhe një vajzë që është në moshën e Almedës dhe iu siguroj që nuk i ndaj nga njëra-tjetra. Ne e njihnim Almedën nga televizori sepse e kishim parë në produksione të ndryshme. Me aq sa kuptonim dukej njeri i mirë, por kur e njohëm nga afër ajo është më shumë sesa një njeri i mirë. Kur djali ynë na tha se do të martohem me Almedën, për ne ishte dita më e lumtur e jetës sonë”, rrëfen zonja Aishe.

Shqipëria

Kur e pyesim a të mungon Shqipëria, Almeda përgjigjet pa hezitim “më mungon shumë Shqipëria”. Ajo nuk harron nga erdhi dhe i është mirënjohëse Shqipërisë për gjithçka i dha. 

“Në Shqipëri nisi gjithçka. Pjesëmarrja në Miss-e atje më ndihmoi shumë. Unë kisha gjithmonë dëshirë televizionin kështu që ishte një shtysë për mua”, thotë Almeda. Thotë se e viziton 2 herë në vit vendlindjen pasi një pjesë e familjes së saj, gjyshërit, vazhdojnë ende të jetojnë në Tiranë. 

Po pse nuk ka ardhur deri tani me Tolgahan në Shqipëri, përgjigjen e jep vetë ai. “Unë kam shumë respekt për familjen e Almedës. E di që një pjesë e familjes së saj jetojnë në Tiranë dhe unë nuk doja të vija në Shqipëri si i dashuri I Almedës, por si bashkëshorti I Almedës” tregon aktori.

Karriera

Asgjë nuk ishte e lehtë në Turqi, thotë Almeda. 

“Krijova shumë kontakte, shkoja për intervista, por nuk po ndodhte asgjë. Kishte ditë të mërzitesha shumë dhe kam menduar të heq dorë. Ndoshta kishte mënyra të tjera si mund të merrej një rol, mënyra të cilat unë nuk i bëja dot”, thotë bukuroshja shqiptare. 

Almeda tregon për “Pasdite në Top Channel” se ishte Dancing Ëith the Stars program që e ndihmoi të bëhej e njohur në Turqi. 

“Më pas erdhi edhe Survivor, që bashkë me Dancing ishte në vendin e parë në klasifikimin e programeve më të shikuara. Pastaj më morën sërish në Survivor All Stars, ku u mblodhën më të mirët e 10 viteve të fundit”, thotë Almeda gjatë intervistës për “Pasdite në Top Channel”. 

“Ndërkohë realizova edhe një emision që më pëlqente shumë. Udhëtoja në vende të ndryshme të botës prezantoja historinë, kulturën. Ishte një projekt që e doja shumë” tregon artistja shqiptare në intervistën eksluzive për gazetarin Erblin Jaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat