Ndërtimi i hekurudhës bllokon rrugën në Kumanovë

Maqedonia

Ndërtimi i hekurudhës bllokon rrugën në Kumanovë

Më: 13 tetor 2018 Në ora: 20:47
Foto ilustrim

Punëtorët rrinë nën hije. Rruga vazhdon të mbetet e bllokuar prej 4 muajsh. Meremetimi i nënkalimeve të linjave hekurudhore, ka shkaktuar telashe në kryqëzimin e një nga rrugëve kryesore të Kumanovës.

Banorët ankohen se punimet po shkojnë me ritëm të ngadaltë. Disa që përtojnë t’i bien rrotull rrugës alternative, përbirojnë ndërmjet shtyllave të urës. Ata kërkojnë që kjo urë të kryhet sa më shpejt, me qëllim që të lirohet qarkullimi rrugor përpara dimrit, pasi që sipas tyre ajo rrugicë po ua shkatërron automjetet.

“Si nuk na pengon, këtu punojnë ka vetëm dy punëtorë. Është turp se kjo është rrugë kryesore. Ne nuk mund të kalojmë, këta rrinë ulur, nuk merakosen. Urë e re do të ishte 100 herë më mirë, këtu shikoni sa shumë material kanë vënë, por duket për asgjëkund. Unë kam vozitur kamion për shumë vite, ajo urë është dashur të ngritet edhe më lart, por këta e kanë bërë punën pa e menduar mirë” tha Sllave Trajkoviq, qytetar.

“Besoj që duhet të ketë një zgjidhje të shpejtë, nuk mund të zgjasë kaq shumë një sanim i vogël. A po keni vështirësi në lëvizje? Po kemi shumë vështirësi se ajo rruga tjetër është shumë e keqe nuk kanë shtruar asnjë metër asfalt, thjeshtë rrugë katastrofale. Nuk na kanë dhënë sqarime se për sa do të kryhet kjo punë,” tha Ferat Memedi, qytetar

“Asgjë nuk kanë bërë, kurse ne i shkatërrojmë automjetet i biem rreth e përqark nëpër atë rrugicë me pluhur e gropa. Çdo ditë duhet edhe t’i lajmë veturat, ajo kushton siç paguajmë regjistrimin e veturave me koston për rrugët. Shikoni urën, gjithë verën është kështu, duhet të punohet në dy-tri ndërrime që ajo të ndërtohet njëherë e mirë” tha një qytetar.

Sipas Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, vonesat janë bërë për arsye financiare dhe nuk është nënkalimi i vetëm në atë aks hekurudhor Kumanovë-Belljakovcë, në gjatësi prej 30,8 km, për të cilin ka arritur shifrat e 147 milionë eurove. Sipas projektit, ky segment filloi të ndërtohet në 2014 dhe është dashur të përfundonte në vitin 2016. Por, nga NP “Hekurudhat e Maqedonisë-Infrastruktura” thonë se deri në vitin 2023 synohet përfundimi i tërësishëm i linjës hekurudhore Maqedoni-Bullgari.

Segmenti i dytë i hekurudhës me një gjatësi prej 34 kilometrave nga Belljakovca deri në Kriva Pallankë, do të kushtojë 130 milionë euro, kurse hekurudha me 30 tunele nga Kriva Pallanka deri në pikën kufitare me Bullgarinë, sipas projektit do të ketë një kosto nga 350-370 milionë euro.

Sipas autoriteteve, në Korridorin 8-të që lidh Maqedoninë me Bullgarinë dhe Shqipërinë, prej 300 km funksionon vetëm aksi hekurudhor Kumanovë-Kërçovë. Nga Drejtoria e hekurudhave thonë se për linjën Kërçovë – Strugë – Lin, projekti është hartuar dhe pritet që shteti të sigurojë mjetet. Për këtë aks hekurudhor me Shqipërinë, e cila është në gjatësi prej 63 kilometra, duhet të sigurohen 500 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat