Maqedoni, vazhdon edhe sot debati për ndryshimet kushtetuese

Maqedonia

Maqedoni, vazhdon edhe sot debati për ndryshimet kushtetuese

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 12:45
Foto

Komisioni Kuvendar për Çështje Kushtetuese sot duhet ta vazhdojë debatin për ndryshimet kushtetuese sipas Marrëveshjes së Prespës. Debati filloi pardje, por qëndrimet e pushtetit dhe opozitës nuk u ndryshuan. Disa konsiderojnë se ky shans është i pakthyeshëm, ndërsa disa të tjerë se procesi është jo kushtetues.

Kryeministri Zoran Zaev sërish ka apeluar të tejkalohen paragjykimet partiake dhe politike dhe të bëhet kujdes me të ardhmen e shtetit. Përkujtoi se seanca e Komisionit për çështje kushtetuese vazhdon sot, ndërsa pas përfundimit të saj është caktuar seancë kuvendare, të hënën.

“Pres të gjendet guxim, të tejkalohen paragjykimet partiake dhe politike, të bëhet kujdes me të ardhmen e shtetit, sepse ky shans është i papërsëritshëm. Vendimin që e sjellim është me përgjegjësi dhe vlerë të madhe për të ardhmen e qytetarëve. Besoj se të gjithë ne, para se gjithash dhe mbi të gjitha, do të mendojmë për shtetin tonë, për fëmijët dhe gjeneratat të cilat vijnë pas nesh”, theksoi kryeministri.

Zaev edhe njëherë tregoi në përgjegjësinë serioze, para të cilës në këto momente janë drejtuar faktorët politikë, të përzgjedhurit politikë dhe popullorë, ndërsa para se gjithash Parlamenti.

Javën e ardhshme pritet të dihet nëse do të ketë shumicë prej dy të tretave për ndryshimet kushtetuese sipas Marrëveshjes së Prespës ose do të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare që mund të organizohen me afate të shkurtuara, transmeton Alsat M.

Debati pas propozimit për inkuadrim drejt ndryshimit të Kushtetutës në Komision, sipas nenit 196 të Rregullores, mund të zgjasë më së shumti dhjetë ditë pune. Anëtarët e Komisionit për çështje kushtetuese dhe deputetët gjatë kontrollit mund të flasin disa herë në kohëzgjatje prej gjithsej 20 minuta, ndërsa koordinuesit e grupeve të deputetëve gjithsej 30 minuta. Përfaqësuesi i propozuesit në seancë, sërish, mund të flasë disa herë, por jo më shumë se gjithsej 30 minuta. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat