Sela për rastin “Sopoti”: Jeni fundërrina shovene – ju i dënuat, ju i amnistuat dhe tani prapë i dënoni

Maqedonia

Sela për rastin “Sopoti”: Jeni fundërrina shovene – ju i dënuat, ju i amnistuat dhe tani prapë i dënoni

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 18:03
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka reaguar për vendimin e Ministrisë së Drejtësisë, për të mos i dëmshpërblyer të dënuarit e pafajshëm në rastin “Sopoti”.

“Treguat fytyrën tuaj të vërtetë. Jeni fundërrina shovene të së kaluarës me po të njëjtët mbetje nën shërbimin tuaj si dikur edhe tani. Bashkë i dënuat dhe ua montuat procesin politik, bashkë amnistuat veten tuaj nga përgjegjësia dhe faji për montimin, tani bashkë po ua jepni edhe dënimin e radhës akoma më të rëndë-përbuzjen e vuajtjeve mbi njëdekadëshe të tyre dhe të familjeve të tyre. Drejtësi për Sopotin, përgjegjësi për montuesit, dëmshpërblim për vuajtjet. Çka është e radhës pas Almirit dhe Sopotit?!”, shkruan Sela.

Ndryshe, sot u publikua dokumenti me të cilën vërtetohet se dikasteri i Renata Deskoskas nuk e ka pranuar kërkesën e sopotasve të cilët pafajësisht u dënuan për vendosjen e një mine në Sopot. Jo-zyrtarisht, sipas Alsat resori Drejtësisë nuk i mbulon dëmet për shkak të mungesës së buxhetit, çështja kalon në instanca gjyqësore.

Kërkesa për dëmshpërblimin e një pjese të dënuarve ishte dërguar në muajin maj të këtij viti.

Pas tërheqjes së akuzës nga ana e Prokurorisë Speciale për shkak të mungesës së dëshmive, pala e dëmtuar ka dorëzuar kërkesë për dëmshpërblim më 21 maj të këtij viti. Avokati Paçuku, ka kërkuar dëmshpërblim me vlerë prej 2.5 milionë euro për 6 të dëmtuar, ndërkaq për 4 të tjerë të cilët kanë qenë jashtë vendit, do të dorëzojë gjatë javës së ardhshme.

Ministrja e Drejtësisë Deskoska sot i ka udhëzuar të dëmtuarit në këtë rast që dëmshpërblimin për vitet e kaluara si të pafajshëm në burg ta kërkojnë me rrugë gjyqësore.

Rasti “Sopoti” është nga viti 2003, kur dy ushtarë polakë dhe një shtetas i Maqedonisë humbën jetën, pasi që një automjet terreni i NATO-s shkeli në minë në rrugën rajonale Sushevë – Sopot

Në këtë rast dhjetë persona janë dënuar për terrorizëm.

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në korrik të vitit të kaluar ia ka dorëzuar lëndën Prokurorisë Speciale, pasi që në opinion u publikuan bisedime të funksionarëve qeveritarë të ndërlidhur me këtë rast.

Nga materialet e përgjuara të publikuara në vitin 2015 nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ose të ashtuquajturat “bomba”, dëgjohet si ish-ministrja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe ish-shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, diskutojnë për rastin në fjalë dhe thonë se të akuzuarit janë burgosur pa faj, por, siç thonë gjatë bisedës, “kjo s’është me rëndësi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat