Nikollovski: Hetojmë ndikimin rus ndaj referendumit

Maqedonia

Nikollovski: Hetojmë ndikimin rus ndaj referendumit

Më: 22 shtator 2018 Në ora: 17:29
Nikollovski

Rusia ka ndikim ndaj referendumit, dhe për këtë ekziston një hetim aktual. Kjo u njoftua nga kreu i DSK-së Goran Nikolovski në një intervistë televizive, por pa zbuluar më shumë detaje rreth mënyrës në të cilën organizohet veprimi kundër suksesit të referendumit të ardhshëm.

“Ne shohim një performancë të organizuar në rrjetet sociale. Një qasje e organizuar që shkon në drejtim të reduktimit të pjesëmarrjes në referendum, një dështim i referendumit, diçka që do të përfshinte më tej një sërë ngjarjesh të tjera. Para së gjithash, lajme të rreme dhe të pavërteta. Këto janë lajme propagandë, por edhe ama të rreme. Po, para së gjithash lajme të rreme ose do të thosha gjysmë të vërteta”, u shpreh Goran Nikollovski, drejtor i DSK-së.

Nuk ka kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Maqedonisë, dhe propaganda që po ndodh është në sferën e interesave gjeo-strategjike, vlerësoi Nikolovski.

Kjo deklaratë e drejtorit të DSK-së, vjen në një kohë kur kryeministri Zaev vetëm pesë ditë më parë tha se nuk kishte informacion dhe dëshmi për ndikimin e mundshëm rus kundër referendumit.

“Sa i përket ndikimit të mundshëm të vendeve fqinje apo Rusisë apo vendeve të tjera në rajon, mund të them se nuk kemi identifikuar vende që kanë përhapur lajme të rreme, natyrisht, lufta e përgjithshme kundër lajmit të rremë mbetet këtu”- theksoi Zoran Zaev, kryeministër i Republikës së Maqedonisë.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, gjatë vizitës së djeshme në Banja Lukë, mohoi se kishte një ndërhyrje ruse në rezultatin e referendumit. Përkundrazi, ai tha, ndryshe nga Moska zyrtare, shumë zyrtarë evropianë dhe amerikanë shkojnë çdo ditë në Maqedoni dhe apelojnë për referendumin.

Ndërsa, Alsat M një javë më parë publikoi informacion nga shërbimet e sigurisë për praninë e zyrtarëve rusë në Maqedoni, të cilët jozyrtarisht mund të agjitojnë kundër referendumit. Kur kërkuam përgjigje nga Departamenti për Analiza dhe Hulumtime në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, ata shkurtimisht njoftuan se gjithçka është nën kontroll.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat