Hahn-Zaev: Javën e ardhshme fillon procesi i verifikimit

Maqedonia

Hahn-Zaev: Javën e ardhshme fillon procesi i verifikimit

Më: 18 shtator 2018 Në ora: 17:37
Johanes Hahn dhe Zoran Zaev

Komisionari evropian për Zgjerim, Johanes Hahn theksoi se referendumi i 30 shtatorit do ta përcaktojë të ardhmen e Maqedonisë dhe se nuk është koha për lojëra partiake.

Ai porositi të gjitha partitë politike që të kenë kujdes se si sillen dhe çfarë porosish përcjellin, ndërsa qytetarëve iu apeloi që të marrin pjesë në këtë referendum unik që do të ketë pasoja afatgjate për vendin, rajonin dhe gjithë Evropën.

“Nuk kemi kohë për të humbur. Prandaj javën e ardhshme do të kemi një takim shumë të rëndësishëm në Bruksel ku ne do të fillojmë në mënyrë gjithëpërfshirëse verifikimin, përfshirë gjithë punën përgatitore për fillim të negociatave. Kjo pos dispozitave ligjore ka të bëjë me cilësinë e ajrit, cilësinë e prodhimeve ushqimore, me sistemin shëndetësor dhe arsimor që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën tuaj të përditshme”, tha Hahn.

Ndërsa, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev vizitën e Hahn në prag të referendumin e vlerësoi si mbështetje të fuqishme.

“Mbështetja miqësore në këtë fazë të këtij procesi është jashtëzakonisht e mirëseardhur, sepse na ndihmon të përmirësohemi, të bëhemi më të përgatitur për fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim”, tha ai.

Në konferencën e përbashkët për media, Zaev dhe Hahn njoftuan se më 27 shtator do të fillojë procesi i verifikimit i njohur si skrining.

Hahn tha se BE-ja do t’i sigurojë vendit këshilla teknike për reformat që do ta përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.

Gjatë vizitës dyditore në Shkup, pos përfaqësuesve të pushtetit, Hahn takoi liderin e VMRO DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski por jo edhe presidentin Gjorge Ivanov. Në vazhdën e vizitave të përfaqësuesve të BE-së para referendumit, të enjten pritet të vijnë eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtajn.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat