Mattis: SHBA do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë

Maqedonia

Mattis: SHBA do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë

Më: 17 shtator 2018 Në ora: 11:50
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, sot ka arritur për vizitë zyrtare në Maqedoni. Pas pritjes solemne nga delegacioni i Qeverisë së Maqedonisë, Mattis realizoi takim të përbashkët me Zoran Zaevin, Radmilla Sheqerinskan dhe përfaqësues tjerë qeveritar.

Në konferencë të përbashkët pas takimit me Zaevin dhe Sheqerinskan, Mattis tha se SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin Maqedoninë në procesin e integrimeve euroatlantike. Ai falënderoi kryeministrin Zaev, për siç tha, lidershipin e treguar në zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.

“SHBA-të njohin lidershipin tuaj dhe ju falënderoj për përpjekjet që bëni për reforma. Ju përgëzoj për hapat tuaj që të nënshkruani marrëveshjen historike me Greqinë. E dimë se ajo kërkoi diplomaci dhe durim. Ju uroj për zgjidhjen e kontestit të emrit. Marrëveshja e Prespës do t’ju mundësojë reforma kyçe për anëtarësim në BE dhe NATO. Vendi juaj sapo e festoi pavarësinë, ndërsa tani duhet të shfrytëzohet mundësia për të ardhme më të mirë. Duke u bërë pjesë e NATO-s do të bëheni pjesë e Aleancës më të fortë ushtarake. Ta citoj Jens Stoltenbergin, ne ju presim si anëtarja e 30-të e NATO-s”, tha mes tjerash Mattis.

Ndërsa kryeministri Zoran Zaev, tha se është nder që sekretari amerikan i Mbrojtjes të vizitojë Maqedoninë. Ai falënderoi Mattis për mbështetjen që SHBA ka dhënë për shtetin.

“Është nder për ne që Mattis vjen në këtë kohë, pasi është moment i rëndësishëm për qytetarët tonë, të cilët duhet të japin mbështetje për marrëveshjen me Greqinë në referendum. Vizita juaj tregon edhe një herë mbështetjen e SHBA-ve për Maqedoninë. I kam treguar Mattis se angazhohemi për të realizuar referendum të suksesshëm. I thash se bëjmë thirrje për bashkim, pasi bëhet fjalë për qëllim të përbashkët – anëtarësim në NATO dhe BE. Vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësuara në BE dhe NATO, është siguri për mospërfshirjen e palës së tretë në rajon”, deklaroi mes tjerash Zaev.

Ndërkaq, ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë Radmilla Sheqerinska, tha se vizita e Mattis në Maqedoni është historike, pasi dy herë brenda vitit ajo ka realizuar takim me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, një në Washington dhe një në Shkup.

“Mbështetja juaj është konfirmim i qëllimit strategjik të Maqedonisë për të bashkëpunuar me SHBA-të. Për herë të parë në historinë e shtetit tonë, për më pak se një vit sekretari amerikan mban takim me ministren e mbrojtjes së Maqedonisë. Në kohët më të vështira ju keni qenë në anën tonë. Edhe këtë herë Maqedonia ka marrë mbështetjen nga SHBA-të. Qytetarët tonë e dinë mundësinë për anëtarësim në NATO dhe BE. Ata me votën e tyre do të vendosin ton të ri në rajon”, tha Sheqerinska.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat