SHGM në takime me diplomatë shprehu shqetësim nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Maqedonia

SHGM në takime me diplomatë shprehu shqetësim nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 17:57

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) Naser Selmani dhe drejtori i SHGM-së   Dragan Sekullovski dje dhe sot kishin takime të ndara me diplomatë të akredituar në Shkup, në të cilin shprehën shqetësim për ndryshimet në kodin Zgjedhor për legalizim të propagandës politike nëpër media me të holla publike dhe rregullim indirekt të onlajn-mediave, të cilët do të kenë efekt negativ ndaj lirisë së mediave.

Selmani dhe Sekullovski u takuan me ambasadorin francez Kristian Timonie, ambasadori i Mbretërisë së Holandës Vilem Vauter Plomp, zëvendës-ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian Lukash Holub, si dhe këshilltari politik në Ambasadën amerikane Poll Graden.

"Selmani bashkëbiseduesve u shpjegoi se qeveria dhe opozita dëshirojnë që me të holla publike të zhvillojnë propagandë politike nëpër media gjatë fushatës zgjedhore dhe me këtë ta kthejnë sistemin e vjetër korruptues midis politikës dhe pronarëve të mediave nga koha e regjimit të Gruevskit. Ai konsideron se të hollat që mediat do t'i marrin për publikim të propagandës politike do t'i bëjë mediat financiarisht të varura, ndërsa kjo do të ndikojë mbi politikën e tyre redaktuese", njofton SHGM.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë u bëri thirrje diplomatëve që të angazhohen tek qeveria pas referendumit që të tërhiqet mundësia që të holla publike të shfrytëzohen për propagandë politike dhe të hiqet mundësia që Komisioni Shtetëror i zgjedhjeve t'i regjistrojë dhe ndëshkojë onlajn-mediat gjatë ndonjë fushate zgjedhore ose referendum.

Përfaqësuesit e SHGM-së me diplomatët biseduan edhe për joefikasitetin e prokurorisë dhe gjykatës për procesuim të shpejtë dhe efikas të sulmeve ndaj gazetarëve. Ata konsiderojnë edhe se thirrjet publike të përfaqësuesve të lartë të pushtetit deri te udhëheqësia e Radio-Televizionit të Maqedonisë që të japë dorëheqje është kontraproduktive dhe nuk kontribuon për reformë të servisit publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat