Versioni shqip i ueb-faqes së Qeverisë, ende nuk është tërësisht funksional

Maqedonia

Versioni shqip i ueb-faqes së Qeverisë, ende nuk është tërësisht funksional

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 09:22
Versioni shqip i ueb-faqes së Qeverisë

Edhe pse paraprakisht kanë premtuar, ueb-faqja e Qeverisë së Maqedonisë, vazhdon të mos jetë funksionale, gjegjësisht, lajmet dhe kumtesat nxirren në gjuhë maqedonase, ndër vetë disa prej tyre i nxjerr me vonesë në gjuhën shqipe.

Versioni në gjuhën shqipe i ueb-faqes së Qeverisë, vazhdon të jetë i mangët. Gjegjësisht, shumë pak informata përkthehen nga versioni i gjuhës maqedonase, por edhe ata nuk publikohen në kohë reale.

Që në maj të këtij viti, nga Qeveria premtuan se do të bëjnë ueb-faqe në tre gjuhë, maqedonisht, shqip dhe anglisht, megjithatë edhe pse e përmbushën këtë premtim, ueb-faqja në gjuhën shqipe shumë pak përditësohet, gjegjësisht pjesët e ueb-it janë të përditësuara, megjithatë lajmet dhe kumtesat e përditshme nuk nixrren në kohë reale.

Nga Qeveria e Maqedonisë, thonë se ka pengesa gjatë përkthimit të materialeve, megjithatë thonë se po punohet që ueb-faqja të jetë tërësisht funksionale.

“Ka disa pengesa gjatë përkthimit të materialeve, por materialet bazë janë të gjuhën shqipe të gjitha. Kemi disa vonesa gjatë përkthimit të materialeve të cilat janë të përditshme – njoftime kumtesa. Jemi në fazën e kompletimit dhe të përpunimit të gjitha materialeve të cilat i posedojmë që edhe ueb-faqja shqip të jetë funksionale dhe njëkohësisht të publikohen materialet shqip. Ajo që ta them është se kishim për qëllim që ta përkthejmë, pra të funksionon – Qeveria të flet shqip, atë e arritëm. Tani jemi duke punuar që të gjitha materialet njëkohësisht të jenë të postuara edhe në shqip. Informimi  drejtë i qytetarëve është obligim i Qeverisë dhe ne punojmë në këtë drejtim që qytetarët të jenë të informuar në mënyrë të drejtë, pra komunikimi të jetë në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze”, thotë për Portalb, zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.

Pos kësaj, Qeveria e Maqedonisë vazhdon që edhe kumtesat nëpër media t’i dërgojë vetëm në gjuhën maqedonase, përveç kumtesave për mbledhjet e Qeverisë, të cilat i dërgon në shqip, por jo në kohë reale – pra me vonesë.

Shembullin që duhet ndjekur Qeveria, nëse s’do ta ndjekë atë të presidentit, që s’ka fare version të faqes në gjuhën shqipe, është ai i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, i cili ka ueb-faqe funksionale në 4 gjuhë (maqedonisht, shqip, anglisht dhe frëngjisht).

Kontradikta është në atë se Qeveria nuk mundet që të mirëmbajë ueb-faqen në gjuhën shqipe, por Ministria e Arsimit, Ekonomisë, Vetëqeverisjes Lokale, Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Shoqërisë Informatike dhe Administratës, por edhe Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, kanë ueb-faqe funksionale pos në maqedonisht edhe në shqip.

Nga sa gjuhë i kanë ueb-faqet ministritë?

Zv/kryeministrat

Zv/kryeministri për Çështje Evropiane – maqedonisht, shqip, anglisht
Zv/kryeministri për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit – maqedonisht, shqip, anglisht
Zb/kryeministri për Çështje Ekonomike – maqedonisht

Ministritë

Ministria e Mbrojtjes – maqedonisht, shqip, anglisht
Ministria e Punëve të Brendshme – maqedonisht, shqip, anglisht
Ministria e Drejtësisë – maqedonisht, shqip, anglisht
Ministria e Ekonomisë – maqedonisht, shqip, anglisht
Ministria  e Vetëqeverisjes Lokale – maqedonisht, shqip anglisht
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor – maqedonisht, shqip, anglisht
Ministria e Bujqësisë – maqedonisht, shqip, anglisht
Ministria e Arsimit dhe Shkencës – maqedonisht, shqip
Ministria e Shëndetësisë – maqedonisht, shqip
Ministria e Punëve të Jashtme – maqedonisht, anglisht
Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës – maqedonisht, anglisht
Ministria e Financave – maqedonisht, anglisht
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale – maqedonisht, anglisht
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve – maqedonisht
Ministria e Kulturës – maqedonisht

Ndryshe, 17 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, dhjetë vjet nga miratimi i ligjit të parë të gjuhës shipe në vitin 2008, dhe pesë muaj nga miratimi i dytë i ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjuha shqipe vazhdon të jetë e papërdorshme në institucionet shtetërore.

Sipas ligjit të ri për përdorimin e gjuhëve, i cili është bllokuar nga Ivanovi dhe ende s’ka hyrë në fuqi, institucionet obligohen që ueb-faqet e tyre t’i kenë edhe në gjuhën e 20-të përqindëshit (shqipe). Sipas Preambulës së Kushtetutës së RM-së, Maqedonia është konstituuar si shtet nacional i popullit maqedonas në të cilin sigurohet barazia e plotë dhe bashkëjetesa e përhershme e popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllahët, romët dhe kombësitë tjera që jetojnë në RM.

Neni 1 i Amendamentit V të Kushtetutës së RM-së përcakton qartë: “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen… Çdo qytetar në komunikim me ministritë, mund ta përdorë njërën nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari…”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat