Pse është e rëndësishme që partitë të prononcohen para referendumit?

Maqedonia

Pse është e rëndësishme që partitë të prononcohen para referendumit?

Më: 12 gusht 2018 Në ora: 22:45
Shkupi

Prononcimi para referendumit të 30 shtatorit nga partitë në pushtet është duke u bërë në formë të fushatës, por ato të opozitës vazhdojnë të heshtin, ndërkohë që opinioni vazhdon të mos e lexojë marrëveshjen me Greqinë. Tërë kjo situatë shfrytëzohet nga partitë për të fituar pikë politike.

Sipas njohësit të çështjeve diplomatike dhe politike, Selim Ibrahimi nxitja e ndjenjave patriotike gjatë procesit të mbajtjes së referendumit për Marrëveshjne me Greqinë ka efekt negativ.

“Nxitja e ndjenjave nacionale në prag të ndryshimeve të mëdha shoqërore mund të kenë efekte negative dhe të prodhojnë gjuhë të urrejtjes. Strategjia politike e VMRO-së tek bashkësia ndërkombëtare po zbehet, andaj 10 gushti do ta zbërthejë në tërësi politikën e tyre deri më 30 shtator. Nuk duhet pritur ndonjë ndryshim radikal nga udhëheqja e tanishme, pasi fushatat partiake po i ngjasojnë më shumë atyre elektorale”, tha Selim Ibrahimi.

LEXO: Anketë: Vetëm 3 për qind e qytetarëve e kanë lexuar marrëveshjen me Greqinë

Sipas Ibrahimit, mosprononcimi i partisë opozitare VMRO-DPMNE-së është taktizim për që të arrihet ajo çfarë dëshirohet – aministia e pjesëtarëve të saj të përfshirë në raste gjyqësore.

“VMRO-DPMNE po taktizon për sa i përket thirrjes së anëtarësisë, pra bazës partiake për vendimin që duhet të marrin. Me sjelljet e fundit VMRO-DMPNE shpreson që të rrisë pikët tek popullata maqedonase, por nga ana tjetër po bëhet parti jo kredibile. Kjo është luftë politike në mes partive maqedonase për pushtet, por kjo tani po bëhet në një kohë vendimtare për vendin. Kuptohet se kërkesat për amnisti do të vazhdojnë”, tha Ibrahimi.

Siç thotë ai, VMRO-DPMNE-ja ka tre opsione: të thirr për bojkot të hapur, të thirr për bojkot të heshtur dhe të thirr për pjesëmarrje në referendum që të përgjigjet “kundër” pyetjes: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.

Nga ana tjetër, partia udhëheqëse Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, vazhdimisht e fton VMRO-DPMNE-në që të prononcohet për referendumin dhe të tregojë a është për të kaluar të errët dhe amnisti apo për ardhmëri të ndritur e anëtarësim në NATO dhe BE të Maqedonisë.

“Sjellja e papërgjegjshme e VMRO-DPMNE-së dhe e udhëheqësisë së saj është e dëmshme për shtetin dhe të gjithë qytetarët e saj. Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja duhet të prononcohen për referendumin dhe të qartësojnë se për çfarë janë. A janë për ardhmëri të ndritur apo të kaluar të errët? A janë për anëtarësim në NATO dhe BE apo e kanë më të rëndësishme amnistimin e krimit”, thonë nga LSDM-ja.

Në prapavijë të thirrjeve “për” dhe heshtjes së VMRO-DPMNE-së, në opinion, ka një lëvizje për bojkot të referendumit, në të cilën janë kyçur, disa organizata “patriotike”, por edhe persona me ndikim publik të cilët janë të afërt me VMRO-DPMNE-në opozitare.

Tre partitë shqiptare pjesë e koalicionit qeveritar, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Lëvizja BESA me kryetar Afrim Gashi dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) kanë përkrahur referendumin duke ftuar elektoratin e tyre se votimi “për” në referendum siguron stabilitet ekonomik, siguri nacionale dhe mirëqenie social.

Por Aleanca për Shqiptarë, si opozitë më e madhe shqiptare, ende nuk ka vendosur se si do ta ftoj elektoratin e saj.

Ndryshe, sipas të dhënave të Qendrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Maqedoni (QBNM), 97 për qind e të anketuarve nuk e kanë lexuar fare marrëveshjen me Greqinë. “Për” do të votonin 41.5 për qind, kurse kundër 35.1 për qind. Në bazë të përkatësisë kombëtare, 88 për qind e shqiptarëve të anketuar do të votonin “për” në referendum, ndërkohë që për të njëjtën përgjigje do të rrethonin 32.2 për qind e maqedonasve.

Tani është në proces shqyrtimi publik i Listës Zjedhore, ku qytetarët deri më 23 gusht kanë të drejtë t’i paraqesin parregullsitë, ndërkaq versioni final i listës do të duhet të mbarojë më 7 shtator. KSHZ ka deklaruar se Lista Zgjedhore s’është ideale dhe i ka ftuar qytetarët që t’u ndihmojnë atyre për ta pastruar. Nga OJQ CIVIL kanë deklaruar se deri tek ata ka pasur denoncime nga qytetarët për votues fantomë, fenomen që ka qenë i pranishëm në ciklet e kaluara zgjedhore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat