Maqedoni: Vazhdojnë konsultimet për referendumin

Maqedonia

Maqedoni: Vazhdojnë konsultimet për referendumin

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 16:16
Vazhdojnë konsultimet për referendumin

Liderët e partive politike vazhdojnë konsultimet lidhur me referendumin për emrin edhe për çështjet tjera që kanë të bëjnë me procedurat për zbatimin e plotë të marrëveshjes për emrin me Greqinë.

Takimi i ri i liderëve të katër partive politike vjen pas bojkotit të takimit të së mërkurës nga lideri i opozitës, Hristijan Mickovski, i cili nuk u pajtua me formatin e takimit, ndërsa doli edhe me kërkesën për miratimin e Ligjit për financimin e partive politike dhe atë për Qeverinë, që ka të bëjë me formimin e Qeverisë së re para zgjedhjeve, qofshin ato të rregullta apo të parakohshme.

Kryeministri Zoran Zaev pranoi kërkesën e opozitës dhe në takimin e sotëm ftoi vetëm kryetarët e katër partitë kryesore, Hristijan Mickovskin e VMRO-së, Ali Ahmetin e BDI-së, Bilall Kasamin e Lëvizjes BESA, ndërsa LSDM-në e përfaqëson vetë ai. Zaev, paraprakisht, tha se referendumi në të cilin qytetarët e Maqedonisë do të deklarohen për Marrëveshjen për emrin me Greqinë, do të jetë konsultativ, ndërsa prezantoi edhe pyetjen që do të parashtrohet në referendumin që pritet të mbahet në vjeshtë, shkruan REL.

“I kam informuar liderët e partive politike me formulimin e pyetjes së referendumit, e cila do të ishte në këtë drejtim: ‘A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?’. Qytetarët duhet të konsultohen për një çështje kaq të rëndësishme. Vendimin duhet ta sjell Kuvend, por vullneti i qytetarëve do të jetë vendimtar dhe këtë duhet ta respektojnë të gjitha forcat politike në Kuvend”, ka deklaruar Zaev duke theksuar rëndësinë e kalimit të referendumit, që sipas tij do të sigurojë të ardhme evropiane për vendin, apo siguri, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenie për të qytetarët e Maqedonisë.

Lideri i opozitës, Mickovski, në mënyrë direkte nuk ka pranuar, por burime partiake thonë se VMRO DPMNE-ja qëndron pas kërkesës për një amnisti për ngjarjet e 27 prillit, ku për dhunën në Kuvend janë të dyshuar edhe gjashtë deputet të partisë opozitare. Megjithatë, kryeministri Zaev ka bëtë të qartë se amnisti nuk duhet të ketë pasi, sipas tij, një nga prioritet e Qeverisë është zbatimi i ligjit, e në veçanti sundimi i së drejtës.

“Ne po luftojmë për reformën më të rëndësishme në vend, sundimin e së drejtës dhe ligji të vlejë për të gjithë. Është e pamundur të pranohet diçka e tillë. Këtë nuk mund ta bëjë as unë, e as lideri i opozitës. Ne do të angazhohemi për zbatimin deri në fund të ligjit”, ka deklaruar Zaev.

Ndryshe, pas harmonizimit të qëndrimeve për referendumin, Kuvendi duhet të miratojë ndryshime në Kodin Zgjedhor, përkatësisht zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Pas kalimit të referendumit, pason procedura për ndryshimet kushtetuese, por vetëm nëse referendumi kalon me sukses. Marrëveshja për emrin e ri të shtetit, “Maqedonia Veriore”, nuk do të jetë e plotë pa ratifikimin e saj në Parlamentin e Greqisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat