VMRO: Zgjedhje ose qeveri teknike

Maqedonia

VMRO: Zgjedhje ose qeveri teknike

Më: 16 korrik 2018 Në ora: 14:47
Maqedoni

Njohësit e çështjeve politike në Maqedoni, kërkesën e liderit të opozitës Maqedonase Hristijan Mickovski për zgjedhje të parakohshme, para se Maqedonia të hyjë në NATO dhe Bashkim Evropian, e shohin si taktizim për të ushtruar trysni që edhe kjo parti të jetë pjesë e këtyre proceseve përmes formimit të një qeverie teknike apo koalicioni të zgjeruar qeverisës.

Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski, para dhjetë ditësh, gjatë marshit në qytetin e Kavadarit, kërkoi amnisti për të gjithë të involvuarit në ngjarjet e dhunshme në Parlament më 27 prill të vitit të kaluar. Mickovski ka kërkuar që njëherë të mbahen zgjedhje të ardhshme parlamentare dhe pastaj të anëtarësimi në NATO dhe BE, sepse sipas tij, populli do të dënojë këtë strukturë që është në pushtet dhe vepron në dëm të interesave të shtetit.

Kësaj kërkese, i është përgjigjur kryeministri Zoran Zaev duk thënë se të gjitha opsionet janë të hapura dhe zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen bashkë me referendumin në vjeshtë nëse një gjë e tillë është e nevojshme për tu arritur koncensusi i nevojshëm për të qenë i suksesshëm referendumi.

Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, thotë se VMRO DPMNE përmes kërkesës për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare synon të ushtrojë trysni për formimin e një qeverie teknike sepse vetëm në këtë mënyrë kjo parti mund të përfitojë nga ajo që vendi po ecë me hapa të dukshëm drejtë integrimeve euro-atlantike.

“Unë mendoj se qeveria teknike që kërkon Mickovski para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të jetë ajo e cila do të bartë mbi vete përgjegjësitë, por edhe meritat për integrimin e vendit në NATO dhe BE. Mickovski duke qenë në opozitë nuk do ta ketë atë luks ose atë opozitë të favorshme që të përkrah qeverinë në të gjitha këto procese ndërkohë që mund të marrë meritat e njëjta sikurse pushteti si bartës i këtyre proceseve, sepse ai mund të përkrah Zaevin për proceset integruese por meritat do t`i takojnë qeverisë. Pra, me kërkesën për zgjedhje ë parakohshme Mickovski legjitimon kërkesën për qeveri teknike për çka është më shumë i interesuar”, thekson Neziri.

Nga ana tjetër, Nikolla Dujovski, ligjërues i shkencave politike, duke komentuar për Radion Evropa e Lirë kërkesën e VMRO DPMNE-sëpër zgjedhje të parakohshme, thotë se bëhet fjalë për një strategji që është e njohur për këtë parti, sidomos pranë zgjedhjes së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe organizmin e referendumit.

“Të gjitha veprimet që po i bën pushteti, për momentin janë mirë të sinkronizuara me faktorin ndërkombëtar që Maqedonia në kohë t'i kryejë të gjitha obligimet që ka ndërmarrë sa i përket anëtarësimit në NATO por edhe në BE, që vendi të bëhet përfundimisht pjesë e këtyre asociacioneve. VMRO DPMNE nuk ka mundësi që të bllokojë realizimin e referendumit përmes kërkesave që i shtron së fundmi",thotë Dujovski.

Njohësit e çështjeve politike, thonë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare mund të ndodhin vetëm nëse edhe pas referendumit, VMRO DPMNE refuzon të votojë për ndryshimet kushtetuese për të cilat nevojiten dy të tretat e votave si pjesë e obligimeve që dalin nga marrëveshja Maqedoni-Greqi për mbylljen e kontestit për çështjen e emrit./rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat