Opozita nuk beson se Maqedonia mori ftesë për anëtarësim në NATO

Maqedonia

Opozita nuk beson se Maqedonia mori ftesë për anëtarësim në NATO

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 16:39
Foto ilustrim

Qeveria e Maqedonisë ka thënë se pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, do të vazhdojë me përkushtim në realizimin e obligimeve deri në konkretizimin e ftesës me anëtarësim të plotë në aleancë.

Kryeministri Zoran Zaev është shprehur i bindur në zbatimin e marrëveshjes me Greqinë, nga e cila edhe varet procesi i anëtarësimit. Procesi duhet të pasojë me referendumin dhe ndryshimet kushtetuese.

“Unë jam i bindur se populli ynë fuqishëm do ta mbështesë këtë të ardhme, pasi këtë e meritojmë. Jam i bindur se në referendum qytetarët do të dërgojnë mesazhin serioz për të ardhmen e tyre. Jam i bindur se qytetarët do të dëshmojnë se janë mbështetësit më të mëdhenj të së ardhmes së Maqedonisë në NATO dhe BE”, ka deklaruar Zaev, duke njoftuar se të shtunën në 15 qytete të Maqedonisë do të organizohen manifestime për të shënuar marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe datën për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Morëm ftesën që të bëhemi aleatë të shteteve më të fuqishme në botë. Kjo është ftesë për anëtarësim të plotë në Aleancën më të madhe për paqe dhe siguri në skenën ndërkombëtare... Me këtë realizuam qëllimet tona strategjike, shpresat dhe ëndrrat tona të përbashkëta”, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev duke shprehur besimin e plotë se Qeveria që ai drejton dhe qytetarët e vendit, do t’i thonë “PO” të ardhmes evropiane.

Image
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Por, ndryshe nga Qeveria, opozita vlerëson se vendi nuk ka marrë ftesë për në NATO dhe se konkluzionet e aleancës janë të njëjta si ato në samitin e Bukureshtit në vitin 2008, kur marrja e ftesës apo anëtarësimi në NATO varej nga zgjidhja e kontestit me Greqinë.

“Nuk ka as datë për negociata me BE-në, e as ftesë të pakushtëzuar për NATO. Nuk ka pasi kemi Qeveri të paaftë. Duhet t’u japin fund disfatave dhe çdonjëri të përgjigjet për këtë. VMRO DPMNE-ja do të vazhdojë të luftojë me të gjitha forcat kundër kësaj të keqe në të cilën po jeton çdo qytetar”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së,Hristijan Mickovski. Ai ka akuzuar Qeverisë për siç, ka thënë, gjendjen e rëndë ekonomike, ngritjen e tensioneve etnike, për dhunë dhe plaçkitje.

“Helmin që e shpërndanë në shoqëri shkaktoi urrejtje, varësi dhe mos durim. Premtuan çudira. Tani kur janë në pushtet, heshtin për padrejtësisë, kurse vrasjet gjakftohta i trajtojnë si evidencë statistikore të buletineve të zeza. Jeta, tragjeditë personale, familjet e mbuluara në të zezë, nuk janë atraktive dhe të rëndësishme si më parë. Nuk ka përgjegjësi për asgjë, nuk ka pasi nuk kanë fytyrë, as nder, e as dinjitet”, është shprehur Mickovski.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e Qeverisë ka në thënë se ftesa në NATO nënkupton realizimin e ëndrrës së gjithë shoqërisë që të rreshtohet pranë shteteve më të fuqishme në botë. Artan Grubi, kryetar i Komisionit për çështje evropiane nga radhët e BDI-së, shprehu besimin se të gjithë faktorët në vend do të angazhohen për zbatimin e obligimeve që e presin vendin deri në zyrtarizimin e plotë të anëtarësimit në institucionet euroatlantike.

“Ne jemi ta gatshëm që të japim çdo kontribut të mundshëm për të realizuar ëndrrën për një Maqedoni euroatlantike. Kemi filluar bisedimet me të gjitha partitë politike dhe po përpiqemi që të ndërtojmë konsensus në formulimin e pyetjes për referendum, në zgjedhjen e anëtarëve të KSHZ-së, në shpalljen e referendumit dhe në ndryshimet kushtetuese. Besoj se jemi në rrugë të mbarë për të arritur sukses”, ka deklaruar Grubi.

Zyrtarët e NATO-s, kanë bërë qartë me dije se ftesa për anëtarësim në NATO nuk do të formalizohet me anëtarësim pa zbatimin e marrëveshjes për emrin, që nënkupton ndryshimin e emrit të shtetit në “Maqedonia e Veriut”, që duhet të kalojë përmes referendumit dhe zbatimit të ndryshimeve kushtetuese./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat