NATO zyrtarizon ftesën për anëtarësimin e Maqedonisë - Bota Sot
NATO zyrtarizon ftesën për anëtarësimin e Maqedonisë

Maqedonia

E shtunë, 21 korrik 2018

NATO zyrtarizon ftesën për anëtarësimin e Maqedonisë

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 16:25
Jens Stoltenberg dhe Zoran Zaev

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, sot nga Samiti i NATO-s që mbahet në Bruksel, në mënyrë solemne ia ka dorëzuar ftesën për anëtarësim kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev.

Stoltenberg në konferencë për shtyp tha se pas marrëveshjes për çështjen e emrit mes Shkupit dhe Athinës, vendet anëtare të NATO-s janë pajtuar që të fillojnë bisedimet me Maqedoninë.

“Marrëveshja për çështjen e emrit me Greqinë, ka bërë që të fillojmë bisedimet. Unë besoj se marrëveshja është në të mirë të vendit dhe rajonit. Kjo ka qenë kruciale, që ka hapur rrugën për integrimet euroatlantike. Pasi të përmbushen kushtet dhe NATO të ratifikojë ato, ju do të bëheni anëtare e plotë e NATO-s. Kjo është ditë e madhe për rajonin, shtetin tuaj dhe NATO-n. Ne duam t’ju shohim si shtet demokratik dhe kjo ditë është e rëndësishme për arritjen e qëllimeve. Urime ju Zoran Zaev dhe qytetarëve tuaj”, tha mes tjeras Stoltenberg.

Ndërsa kryeministri Zaev shtoi se Maqedonia do të jetë shembull për vendet e rajonit dhe Ballkanit Perëndimor dhe falënderoi gjithë politikanët që nga pavarësimi i Maqedonisë.

“Nder i madh të drejtohem nga selia e NATO-s, me rastin e ftesës që Maqedonia të bëhet anëtare e Aleancës. Kjo është vendim historik për vendin tonë dhe për rajonin. Kjo është mirënjohje për punën e gjithë politikanëve që nga pavarësia deri sot. Maqedonia deri tani ka marrë pjesë aktivisht në misionet e NATO-s. Në bazë të kësaj ne kemi përgatitur edhe strategjinë tonë për mbrojtje. Anëtarësimi jonë në NATO do të kontribuojë për stabilitetin e rajonit. Falënderoj kryeministrin Alexis Tsipras dhe Boyko Borisovin nga Bullgaria, të cilët ndajnë qëllimet e përbashkëta me ne. Si vendi i 30-të jemi të gatshëm të jemi shembull në rajon dhe në Ballkanin Perëndimor”, tha mes tjerash Zaev.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test