Maqedonia pret ftesën për anëtarësim në NATO

Maqedonia

Maqedonia pret ftesën për anëtarësim në NATO

Më: 11 korrik 2018 Në ora: 15:06
NATO

Maqedonia pret marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në samitin e Aleancës që mbahet të mërkurën dhe të enjten në Bruksel.

Në konkluzionin për Maqedoninë që pritet të publikohet në orët e pasdites, thuhet se shtetet anëtare të NATO-s mirëpresin marrëveshjen mes Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit, të cilën e vlerësojnë si historike andaj “në përputhje me politikën tonë, ne kemi vendosur që të ftojmë Qeverinë e Shkupit për  filluar bisedimet paraqasëse për t’iu bashkuar NATO-s. Zbatimi i plotë i të gjithë procedurave të brendshme, duke respektuar Marrëveshjen për zgjidhjen e çështjes së emrit, është kusht për një konkluzion të suksesshëm të procesit të anëtarësimit”.

Autoritetet maqedonase këtë e kanë vlerësuar si një nga momentet më të rëndësishme të Maqedonisë që nga pavarësia e saj. Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, e cila në Bruksel ka marrë pjesë në një takim ministror të vendeve anëtare të NATO-s, ka thënë se vendimi është historik dhe se Maqedonia sipas saj tashmë ka të garantuar stabilitetin dhe sigurinë e saj.

“Vendi jonë edhe zyrtarisht do të marrë ftesën për anëtarësim në NATO. Këtë shans lëshuam në vitin 2008 dhe që atëherë zhvillimet shkuan në drejtim të gabuar. E kemi ndjerë se çfarë do të thotë të jetosh në shtet të pasigurt dhe në rajon jostabil. Kemi kaluar shumë kriza ndërsa shteti stagnonte në çdo sferë. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit një gjë na u bë e qartë, se pa hapjen e perspektivës për anëtarësim në NATO dhe BE, e ardhmja e Maqedonisë është e pasigurt”, ka deklaruar Sheqerinska duke shtuar se përfitimet nga anëtarësimi në NATO do të jenë të gjithanshme, pasi përveç sigurisë, vendi do të ketë edhe perspektivë ekonomike dhe mirëqenie për qytetarët.

“Anëtarësimi në NATO është shans historik të cilën duhet ta shfrytëzojmë. Me këtë Republika e Maqedonisë do të bëhet partnere dhe aleate me shtetet më të fuqishme në botë. Anëtarësimi në NATO do të thotë siguri dhe stabilitet për Maqedoninë dhe qytetarët e saj. Por, kjo do të thotë edhe shans për zhvillim ekonomik dhe prosperitet”, ka deklaruar Sheqerinska.

Megjithatë, deri në anëtarësimin e plotë, Maqedonia duhet të përmbushë kushtin kryesor, zbatimin e plotë të Marrëveshjes për emrin me Greqinë. Këtë të martë, qartë e bëri të ditur edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Pres që pas Marrëveshjes historike të muajit të kaluar për çështjen e emrit, të merremi vesh që të ftojmë Shkupin të fillojë bisedimet aderuese. Kur të finalizohet dhe zbatohet marrëveshja, do të jemi në gjendje ta ftojmë IRJM të bëhet anëtare e 30-të e NATO-s me emrin e ri, Republika e Maqedonisë së Veriut. Ky është një sinjal se dyert e NATO-s do të mbeten të hapura”, ka deklaruar Stoltenberg.

Qeveria në Shkup deri në anëtarësimin e plotë në NATO duhet të zbatojë referendumin, në të cilin qytetarët duhet të deklarohen se a e pranojnë apo jo Marrëveshjen me Greqinë, respektivisht ndryshimin e emrit të shtetit në “Maqedonia Veriore”.Në rast se referendumi dështon, me automatizëm dështon edhe marrëveshja. Në rast se referendumi kalon atëherë nevojiten ndryshimet kushtetuese, për të cilat nevojiten dy të tretat e votave në Kuvend për të ndryshuar pjesët që kanë të bëjnë me emrin e shtetit dhe termet maqedonase” dhe “maqedon”. Marrëveshja, gjithashtu nuk do të jetë e përfundimtare pa kaluar edhe në Parlamentin e Greqisë./rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat