Maqedonia përgatitet për referendum

Maqedonia

Maqedonia përgatitet për referendum

Më: 8 korrik 2018 Në ora: 19:30
Ilustrim

Marrëveshja për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, pas votimit të dytë në Kuvend, tani pret edhe përgjigjen e qytetarëve të vendit, të cilët duhet të deklarohen në referendum nëse do të pranojnë që Republika e Maqedonisë të ndryshoj emrin e saj në Republikën e Maqedonisë Veriore ose jo. Kjo është dakorduar në marrëveshjen mes palëve, sipas së cilës, nëse qytetarët i përgjigjen pozitivisht ndryshimit të emrit, atëherë procesi vazhdon me ndryshimet kushtetuese dhe pas kësaj, marrëveshja shkon për ratifikim në Kuvendin grek, në mënyrë që të dyja vende të fillojnë të zbatimin teknik të Marrëveshjes së emrit. Kryeministri i vendit, Zoran Zaev, para disa ditëve ka paralajmëruar se referendumi do të jetë në muajin shtator apo tetor, duke shpalosur si datat 13 dhe 30 shtator dhe 7 tetor si data të mundshme kur do të mbahej referendumi. Sipas tij, qëllimi është që deri në 15 janar të përfundojnë të gjitha detyrimet e parapara. Referendumit duhet t’i paraprijë një debat publik në lidhje me çështjen e emrit, i cili pritet të filloj menjëherë pas samitit të NATO-s, i cili mbahet më 11 dhe 12 korrik.

Por, përveç kryetari Ivanov, i cili me mosnënshkrimin e ligjit për ratifikimin e marrëveshjes po pengon procesin e çështjes së emrit, marrëveshja po pengohet edhe nga zvarritja e kompletimit të Komisioni Shtetëror i Zgjedhejve, përbërja e së cilit do të ketë mandat gjashtëmujor dhe është e obligueshme për referendumin.

Megjithatë, edhe pse data e formimit të përbërjes së re të KSHZ-së ka skaduar më 29 qershor, kryetari i Komisionit për zgjedhje dhe emërime, Ilija Dimovski, nuk ka caktuar akoma seancë për këtë çështje, edhe përkundër faktit se partitë politike parlamentare, veçmë kanë vendosur se kush do të jenë përfaqësuesit e tyre në Komisionin e Zgjedhjeve.

Nëse Dimovski edhe ditëve në vijim nuk e cakton këtë seancë, atëherë kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe shumica e anëtarëve të komisionit për zgjedhje dhe emërim kanë mundësi të thërrasin mbledhje dhe në atë seancë të miratojnë listën e plotë të anëtarëve të KSHZ-së të cilën e kanë definuar tanimë partitë më të mëdha.

Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Komisionit Shtetëror Zgjedhor bëhet pas ndryshimeve të fundit të kodit zgjedhor që rezultoi nga marrëveshja e partive më të mëdha parlamentare. Partitë u dakorduan që gjatë gjashtë muajve të ardhshëm KSHZ të ketë përbërje të përkohshme me përfaqësues vetëm nga partitë politike. Sipas kësaj marrëveshje, opozita maqedonase do të ketë kryetarin e KSHZ-së, ndërsa shumica parlamentare edhe shumicën e anëtarëve në komision. Më pas subjektet do të ulen përsëri për të dakorduar kodin e ri zgjedhor dhe modelin e ri të funksionimit të KSHZ-së. Propozimet e para janë që KSHZ të përbëhet vetëm nga ekspertë të pavarur dhe jo nga përfaqësues partiak siç ka qenë deri më tani. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat