VMRO zhvilloi marshin e dytë protestues në Strumicë

Maqedonia

VMRO zhvilloi marshin e dytë protestues në Strumicë

Më: 8 korrik 2018 Në ora: 17:05
Marshi i dytë protestues i VMRO DPMNE-së.

Sot u zhvillua marshi i dytë protestues i VMRO DPMNE-së. Pas Manastirit, opozita vazhdoi protestat në qytetin e Strumicës.

Lideri i partisë opozitare, Hristian Mickovski, sikur edhe në Manastir para 20 ditëve, nuk përmendi asgjë lidhur me atë se si do të pozicionohet opozita në referendumin që pritet të mbahet në vjeshtë.

Megjithatë, risi në fjalimin e tij para qytetarëve të Strumicës ishte kërkesa që të amnistohen të gjithë të akuzuarit për pushtimin me dhunë të Kuvendit më 27 prill. Ndjekjet politike, sipas liderit opozitar, janë bërë që të frikësohet populli ndërsa të akuzuarit kanë qenë paralajmërim për të gjithë të tjerët.

“VMRO DPMNE, vëllezër dhe motra, sot janë pesë deputetë që ngarkohen për diçka që nuk e kanë bërë gjegjësisht ngarkohen për terrorizëm. Asnjëherë mos mendoni se i kam harruar ata vëllezër dhe motrat që tani janë nëpër burgje dhe që janë pjesë e kësaj fushate politike kundër çdo maqedonasi që mendon lirshëm. Për këtë apeloj, nevojitet amnisti për personat e ngjarjeve të 27 prillit, për shkak se patjetër të vazhdojmë përpara. Nuk mund të ecim përpara nëse jetojmë në të kaluarën dhe kjo është ajo për të cilën do të luftojmë”, tha Hristian Mickovski, kryetar i VMRO DPMNE-së.

Mickoski foli edhe për Marrëveshjen e nënshkruar me Greqinë. Bëri të ditur se kryeministri Zoran Zaev në intervistat për mediat greke mundohet t’i bindë nacionalistët grekë se marrëveshja është e mirë, ndërsa identiteti është ndjenjë individuale. Sipas Mickoskit, Zaevi është brengosur më shumë për interesat grekë sesa për ato maqedonase. Qeveria ka punuar në lëkundjen e vetëbesimit të maqedonasve.

Mickoski u përqendrua edhe në, siç u shpreh, gjendjen katastrofale ekonomike që pushteti ka dashur ta paraqesë si sukses.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat